TIRANE- Njësia hetimore Taks-Forcë, pritet të marrë në pyetje një pronar kazinoje në Laç, pasi mësohet se ai ka marrë një pjesë të lekëve që i arrestuari Hysni Roçi, ka tërhequr nga thesari i shtetit lidhur me skemën e rimbursimit të ilaçeve. Të paktët një rrethanë të tillë e ka treguar vetë i arrestuari për skemën e mashtrimit me rimbursimin e ilaçeve Hysni Roçi, i cili u ka pohuar hetuesve se pjesën më të madhe të parave që kishte marrë nëpërmjet mashtrimit i ka lënë në bixhoz në një kazino në Laç.

Madje, ai ka treguar para hetuesve se pikërisht në këtë kazino ai ka lënë shumë të mëdha financiare duke mbetur dhe borxhe, gjë e cila është detyruar të lejë peng një nga farmacitë që ka në Tiranë. Me këtë dëshmi Hysni Roçi, pronari i 4 farmacive fiktive dhe i vetmi i arrestuar për skandalin me ilaçet e rimbursuara në Shqipëri, pranon akuzën dhe tregon se parat e fituara nga kjo vjedhje i ka harxhuar në bixhoz. Roçi, duket se ka kryer të njëjtin veprim siç dhe kishte kryer Ardian Bitraj, personi që vodhi 713 milion lek nga thesari i Bankës së Shqipërisë.