Ashtu siç presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin njoftoi gjatë vizitës së tij në Tiranë pak ditë më parë do të dërgojë një delegacion që do të monitoroj zgjedhjet që po zhvillohen në shoqatat rajonale të futbollit. Delegacioni i përbërë nga 3 persona do të vijë në Tiranë më 14 shkurt dhe do të ketë një vizitë 2 ditore duke u larguar më 16 shkurt do të monitotojë procesin zgjedhor të Shoqatave rajonalen të futbollit.
Përmes një shkrese zyrtare, UEFA ka njoftuar Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për axhendën e vizitës së delegacionit që do të vlerësojë ecurinë e procesit zgjedhor e që do të mbërrijë në vendin tonë më 14 shkurt.
“Bazuar në diskutimet e tij me Kryeministrin Rama dhe Ju, u ra dakord që UEFA të dërgonte një mision vëzhgimi me objektivin e vlerësimit të ecurisë së procesit zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Zakonshme të planifikuar për në datën 2 mars 2022. Dëshirojmë t’ju njoftojmë se delegacioni i UEFA-s do të përbëhet nga përfaqësuesit e mëposhtëm:
– Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA)
– Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative)
– Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve)
Delegacioni do të udhëtojë për në Tiranë të hënën, 14 shkurt dhe do të kthehet të mërkurën, 16 shkurt. Ne do të jemi në kontakt gjatë ditëve të ardhshme për të diskutuar dhe organizuar takimet dhe ju falënderojmë paraprakisht për disponibilitetin e të gjithë stafit të FSHF-së”, – shkruhet në letër.
Këto zgjedhje janë shoqëruar nga skandale të njëpasnjëshme, ku FSHF ka manipuluar thuajse çdo proces zgjedhor për të fituar kandidati që do të përkrahë Armand Dukën në zgjedhjet për kreun e Federatës më 2 mars. Skema e trukimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit u përsërit edhe sot në Shkodër ku kryetar u zgjodh mbështetësi i Armand Dukës, Lazër Matija. Përveç listës me emrat e votuesve që u bë e ditur vetëm sot, edhe numri i anëtarëve ishte më i madh nga se duhet të ishin realisht. Ndërkohë, nesër, më 9 shkurt, do jetë radha e shoqatës së Lezhës për të kryer zgjedhjet. Edhe në këtë rajon nuk ka asnjë informacion për kandidatët, ndërsa mungon edhe lista e anëtarëve, me qëllim që federata në fund t’i manipulojë, njëjtë siç ndodhi në Tirana, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.