Që prej mbrëmjes së djeshme, në disa platforma online, rrjete sociale e kryesisht në whatsapp, po qarkullojnë një seri videosh të cilat kanë në qendër një emër të njohur të botës së muzikës, dhe këngëtare e artiste, të përfshira në marrëdhënie seksuale me të.
Ajo që i jep gjithë kësaj, përmasat e një skandali, nuk është përmbajtja e tyre. Të gjithë protagonistët e tyre, janë në moshë madhore dhe secili është i lirë të bëjë zgjedhjet e tij. Të kryesh marrëdhënie seksuale në një ambjent privat nuk përbën krim.
I rëndë është fakti i publikimit të videove, për më tepër, pa kujdesin me të vogël për të ruajtur anonimitetin, të paktën të grave të përfshira dhe mbulimin e pjesëve intime të trupit. Jeta private e gjithkujt është e mbrojtur, dhe askush nuk mund ta cënojë atë.
Elton Tozaj, ka marrë autorësinë e publikimit, duke folur për një investigim mbi mënyrat e ulta, dhe ngacmimet seksuale me të cilat detyrohen të përballen shpesh artistë që duan të bëjnë karrierë në botën e artit. Situata të tilla janë të njohura në botë dhe nuk kanë munguar rastet kur janë zbuluar dhe nga gazetarët. Por ato kanë patur në bazë rrëfimet e viktimave, dhe jo publikimin e akteve apo rrethanave në të cilat ato kanë qenë të përfshira. Ndërkohë që në këtë rast, nuk kemi, të paktën për momentin, asnjë indicie të një situate të ngjashme. Përkundrazi, gratë që sipas pretendimeve të Tozajt, do të ishin viktimat e artistit të njohur, janë “dënuar” në mënyrën më brutale e të shëmtuar, nga publikimi i këtyre videove. Gjatë ditës një prej artisteve të përfshira, u shtrua me urgjencë në spital, në kushtet e një traume të fortë psikologjike.
Ndërkohë policia ka reaguar vetëm sonte pasi videot bënë xhiron e rrjetit dhe u përhapën me shpejtësi në media sociale një natë më parë. Në njoftimin zyrtar blutë njoftojnë se kanë nisur hetimet për identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale
Çfarë parashikon kodi penal për çështje të tilla?
Neni 121
Ndërhyrje të padrejta në jetën private
Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafine parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Neni 122
Përhapja e sekreteve vetjake
Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një ose personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori ku kanë nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime, ku në fokus janë disa personazhe të njohur të botës së artit dhe muzikës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se materialet në Prokurori janë referuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Ndërkohë Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht, pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas skandalit me publikimin e videove seksuale të disa prej personazheve publikë.
"Është shkelje e rëndë e etikës për të gjithë gazetarët dhe mediat që publikojnë foto e video të personave krejt privat në momente intime. Nuk ka lidhje me gazetarinë publikimi i tyre. Ndaj gjithkush duhet ta ndalojë urgjentisht shpërndarjen e tyre dhe të fshihni çdo material që ka të bëjë me këtë", reagoi përmes një postimi në rrjete sociale kreu i AGSH, Isa Myzyraj.

Pas videove që po qarkullojnë në rrjete sociale ku figura të njohura janë përfshirë në një skandal seksual ka reaguar edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në një deklaratë Komisioneri thekson se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi dhe se interesi i publikut për jetën intime nuk përbën në vetvete interes publik që justifikon publikimin. Në reagim nënvizohet gjithashtu se fakti që një material është publikuar më parë në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin apo rishpërndarjen e tij.
Deklarata e plotë
Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.
Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.
Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.
Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.
Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.
Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme.
-
Hallati punon, i zoti levdohet or teeeejjjjj
Përgjigju







Komente
Komento