Skandali Moisi, Fushata denigruese
e nacional-socialistëve ndaj aktorit

Skandali Moisi, Fushata denigruese<br />e nacional-socialistëve ndaj aktorit
Rreshta me poshtë janë pjesë e një letre që nëpërmes shtypit, gruaja e Aleksandër Moisiut (Johanna Terwin Moisi) i drejton grave të qytetit të Salzburgut për të sqaruar pozicionin e burrit të saj, por edhe të asaj vetë mbi “Skandalin në Klinikën e Lindjeve”, në të cilin aktori i madh ishte i përfshirë.
 
„......Si gruaja e Aleksandër Moisiut jam e detyruar që ta mbroj burrin tim nga sulmet e padrejta që  i janë bërë, pasi ai ndodhet  në turne jashtë shtetit, e mbi të gjitha  pasi isha unë ajo që e pengova që ai të reagonte duke u mbrojtur vetë. …..

….nuk kam pikë dyshimi që kjo fushatë e egër kundër tij është një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit, për ta paraqitur bashkëshortin tim, nga njëra anë si një figurë të shëmtuar morale, e nga ana tjetër: për të sulmuar “Çifutin Moisi” dhe jo veprimin e tij…..   

Kam dëgjuar kohët e fundit një numër të madh sulmesh, nga gazeta të ndryshme, nga të gjitha vendet gjermanishtfolëse. Në titujt e tyre shkruhet:
….Çifuti Moisi, po kënaqet….
…një aktori çifut i lejohet të asistojë në një lindje…
…një poshtërsi e padëgjuar. Moisi – Moze (Moisi – Moses), asistent në lindje…
…lindja e një vajze katolike bëhet lojë teatri për një çifut…
…kush e ka hapur derën e dhomës së lindjeve për aktorin komendiant të Jedermann-it, Moisi Moses?
….lindja e një gruaje nuk arriti të argëtojë, epshin e ndyrë të një hebreu….. etj….etj…
 
Siç shihet në këtë shkrim, gazetat dëshirojnë që zemërimi të bie së pari mbi një “çifut” (hebre) dhe vetëm kalimthi mbi ngjarjen – praninë e tij aty.  Eshtë e ditur që Moisiu si njeri social nuk ndikohet nga Racat apo Besimet, kështu që akuzat e çmendura si Hebre nuk e prekin aspak. Vetëm për arsye profesionale dhe për të sqaruar këtë shpifje të shëmtuar për të cilën gazetat nuk janë kursyer, vërtetoj këtu që Aleksandër Moisiu si edhe unë jemi me prejardhje të pastër ariane e cila vërtetohet nga dokumentat përkatës, mbi të gjitha nga Dëshmia e Pagëzimit e Aleksandër Moisiut (e bërë nga famullitari i kishës së San Nicolës në Trieste) që mund të verifikohet në çdo kohë.
 
“SKANDALI”
Ishte gushti i vitit 1931 dhe Moisiu gjindej në Salzburg për të marrë pjesë në përgaditjet e festivalit teatror të qytetit ku do të luante Jedermannin e tij. Pas provave, që i merrnin pjesën më të madhe të ditës, ai gjindej kurdoherë në mes të njohurve e miqve të shumtë, të cilët  ishin intelektuale të sferave të ndryshme, gazetarë, aktorë, poetë, por edhe mjekët më në zë të Salzburgut. Në kuadrin e profesionit të aktorit (që i duhet të studioj momentet më të vështira apo më të bukura të jetës për ti sjellë në skenë), por edhe për një roman që kish nisur të shkruante, Moisiut i nevojitej që në 100 faqet e para të pasqyronte përshtypjet e tij mbi plastikën, procesin psikologjik e reagimin e gruas ndaj dhimbjeve të lindjes.

Për këtë arsye, Moisiu kishte kohë që dëshironte të shihte nga afër, ngjarjen e bukur e të ardhurit në jetë të një fëmije. Rastisi që ndër ato ditë ai të takonte miqtë  e vjetër Dr. Leitinger e Dr.Hofer, të cilët ishin mjekë gjinokologë në Klinikën e Lindjeve në Salzburg, për ti kërkuar këtë favor. Sipas Salzburger Volksblatt të datës 6.9.1931, mjekët ja përkrahën idenë, por i treguan që i duhej një leje e veçantë nga drejtoria e spitaleve në Prefekturë të cilën ja kërkuan Dr. Karajanit  që asokohe ishte drejtori i shëndetsisë së qytetit.

Moisiut ju dha leja për të asistuar në lindje me motivacionin: Aktorit Aleksandër Moisiu, thjeshtë vetëm për qëllime artistike me objekt studimi,  i lejohet të asistojë në një lindje në Klinikën.....
Në fillim të muajit shtator 1931, Moisiu ftohet në Klinikën e Lindjeve të Salzburgut të asistojë në momentet e shumë dëshiruara të lindjes së një foshnje. Së bashku me Dr. Hofer dhe Dr. Leitinger si dhe mamijet Fr. Kimml dhe Fr. Spängler, ai hyn në sallwn e lindjeve i veshur me bluzën e bardhë (të cilën duhej ta mbante sipas rregullit spitalor) mbi të cilën gjindej shënimi “Dr. Aleksandër” ......

Sipas Wiener allgemeine Zeitung  11 shtator 1931: Gruaja e re që priste të bëhej nënë ishte një vajzë 19 vjeçare e cila vinte nga një familje e mesme zejtarësh nga Burgenlandi dhe punonte si nënpunëse e një dyqani në Salzburg. Si gjyshi ashtu edhe babai i saj ishin rrobaqepës, kishte dy motra dhe dy vellezër. Familja gëzonte një gjëndje të mirë ekonomike. Duhet theksuar për lexuesin, që vëllai i madh i saj ishte zyrtare shteti por dhe antarë i lëvizjes Nacionalsocialiste. Burri i vajzës ishte 21 vjeç dhe punonte në skuadrën e  zjarrfikësve të qytetit.

Pas lindjes së foshnjës që ishte një vajzë,  shkruajnë gazetat, vajza pyeti përsonelin për burrin e panjohur. Mamia i tregoj asaj për mjekun Dr. Aleksandër, i cili  vinte nga Vjena e që ishte Aleksandër Moisiu i famshëm, që ai kishte sjellë për të edhe një dhuratë të çmuar. Vajza e kishte parë Moisin duke luajtur rolin e Jedermann- it dhe e kishte pëlqyer shumë por nuk e kish njohur aktorin të veshur me bluzë të bardhë.  Moisi u tregua gjatë kohës shumë i tërhequr dhe i rezervuar.

Vëllau i lehonës do të deklaronte më vonë për gazetën e Salzburgut Volksablatt (6.9.31): ..më vjen shumë keq që motra ime u bë objekt studimi......., ka disa orë që në qytet u hapën thashethemet që Moisi hyri në lindje me dijeni e pëlqimin e motrës, e cila u shit për shumën 1000 Schilling. Me kërkesën e motrës dhe të burrit të saj, pohoj se kjo nuk qëndron. Motra e cila u dërgua me shpejtësi nga dhimbjet në klinike, nuk ka kuptuar që në mes të mjekëve ndodhej një aktor dhe që ajo po përdorej si  objekt. Më vonë asaj i tregoi një nga mamiet që ai ishte Dr. Aleksandër, një mjek nga Vjena. Nuk është e vërtetë, çka thuhet,  që Moisiu shikonte lindjen nga një dhomë pranë. ....Duhet të theksoj që motra e mori vesht të gjithë ngjarjen të enjten pas mbledhjes së nacionalsocialistëve....

Ngjarjet ndodhën me një shpejtësi marramendëse. Aleksandër Moisiu u bë objekti kryesor i sulmit të gazetave nacionaliste të kohës të cilat filluan ta quanin SKANDAL dhe ta motivonin ngjarjen politikisht. Në cdo ambient publik filloj një propagandë intensive antisemite nga NZ e shtypi i tyre duke e quajtur Moisiun një CIFUT I URRYER ... Familja e lehonës pajtoj dy avokatë për “tu marrë me padrejtësinë” të cilët bënë një padi edhe pranë gjykatës. Sipas tyre vajza ishte e tronditur nga ngjarja dhe po trajtohej nga mjekët.

Sic do të deklaronte më vonë në një interviste nga Svicra ku ndodhej për pushime: ...ai donte të bënte studime për romanin e tij që po shkruante e qëllimi i tij ishin  vetëm interesat njerzore e artistike.. , ai nuk e kishte njohur lehonën para operacionit...,  ai donte të përjetonte si laik këtë (një lindje) e që ajo (vajza) e mbajti për një mjek, por edhe mbrapa këtë besonte.... Do të më vinte shumë keq, vazhdon ai, sikur ndonjë nga personat që më dhanë autorizimin të më zbulonte, pasi kjo do të krijonte situata të pakëndëshme....

Sipas  shtypit të kohës, konkretisht,  romani i tij përshkruante  jetën e vështire të një vajze të thjeshtë nga populli e cila ishte një nënë e paligjëshme.
Filluan debate të përditëshme pro dhe kundra: ...shkrimtari i përmendur Henrich Eduard Jakob deklaron: ...unë nuk kam marrë ndonjëherë pjesë në ndonjë lindje edhe pse shkruajta shpesh për të. Ju kujtoj që edhe Shiller pikturoj malet e Svicres pa qënë kurrë atje. Nuk e quej të nevojshme që të bësh një studim biologjik të jesh aty prezent.

Gazeta Salzburgut “6 Uhr” e datë 6.9.1931 shkruan për një lëvizje të nacionalistëve kundër Prefektit të Salzburgut për lejen e dhënë Moisiut për të asistuar lindjen. Fillojnë akuzat kundër mjekve gjinokologë të klinikës së lindjeve për  të cilët thuhej se kishin marrë nga aktori bileta falas dhe në vendet më të mira për shfaqjen e Jedermann-it.

Eshtë e kotë që këtë marrëzi ta mbulojmë me mantel letrar – shkruan Gazeta Kristiane, është e pakonceptueshme që të lejohen persona të jashtëm në klinikë për të parë një lehonë për “arsye artistike” apo studime të ndryshme..... Ne nuk na intereson sjellja korrekte e Moisiut ndaj keqtrajtimit që ju bë gruas. Për prokurorinë do të ishte detyrë të sqarojë: Kur është shkolluar Moisiu si mjek??.. Njerzit e thjeshtë apo të varfër duhet që shërbimet në spital “ti paguajnë” me shitje trupit për studiusit?

Një gazetë tjetër shkruan: ...një qind herë vdiq ai (Moisiu) “si Jedermann” pa pasë nevojë për njohuri mjeksore për fundin e proceseve njerzore......Moisiu aktor, me bluzën e mjekut, hyri në sallën e lindjes si dëshmitar pamor e degjimor në oren më të rëndë të një gruaje që po bëhej nënë, për të asistuar në misterin e lindjes së një gruaje që është një ngjarje e shenjtë..... Kjo është “ vjedhje e sferës private nga një cifut i shfrenuar e kureshtar”....
Deputetja nga Salzburgu Ema Kapral me datën 25.10 1931 dorëzon pranë kryeministrit të vendit,  ministrit të socialit e atij të arsim kulturës një ankesë kundër prezencës së Moisiut në Klinikën e lindjeve dhe kundër shkeljes së sferës private.

Më pas në shtyp botohet një letër e grave të Austrisë të cilat protestojnë dhe bëjnë thirrje për dalje në protestë si të indinjuara  nga nëpërkëmbja dhe diskriminimi. Gruaja e Moisiut, Johanna Terwin detyrohet të takojë arqipeshkvin e Salzburgut për të sqaruar pozicionin e burrit të saj në këtë ngjarje.

Avokati i Moisiut shprehet: Alfons Daudet dhe Chamisso de Boncourt kanë bërë studime nëpër spitale si shkrimtare, por dhe aktorët duhet të studiojnë këto situata për rolet që do interpretojnë. Një grua që vjen në një spital falas duhet të pranojë që të asistohet edhe nga njerëz të tjerë që mund të jenë studentë...apo njerëz me qellime studimi... Një aktor që luan rolin e Osvaldit te “SHPIRTERAT” mund të vrojtojë një të sëmurë ...për të realizuar figurën e tij. Edhe piktorët kanë të njëjtën procedure si Moisiu, p.sh. Profesor John Quinch Adams e ka ndjekur Prof. Bertheim(Foto 11) gjatë një operacioni lindje dhe vepra është ekspozuar në galerinë e artit, në publik.
Regjisori dhe miku i Moisiut, Max Reinhardt deklaron për ngjarjen:......mund të them vetëm....që jam i sigurtë, që nuk ka asnjë arsye të akuzohet Aleksandër Moisiu. Jam i bindur që ai nuk ka pasur as më të voglin qëllim të keq.....Kush është ai që e ka tepruar në këtë komplot apo rrjetë intrigash, këtë nuk e di...(Foto 2)

Gazeta Standard e 2.12.1931 shkruan: Skandali i njohur i Moisiut në Salzburg, ka sjellë konseguenza që zyra organizatore e festivalit teatror, aktrimin e sivjetshëm të Jedermann-it, nuk mund të ja lërë Moisiut.... Aleksandër Moisiu ka qënë aktori që në Festivalin e Teatrit në Salzburg ka filluar të luajë Jedermann-in dhe është e pakuptueshme që të luhet nga dikush tjetër. Për nga zhurma e situata e krijuar nga incidenti fatkeq që egziston në Salzburg, ftesa për Moisiun duhet të anullohet. Mendohet që Jedermann-in ta luaje Paul Hartmann....

Gazeta “6 Uhr” e datës 30.1.1932 në shkrimin e saj - Nazistët lëvizin kundër Moisiut - : ...shtypi sot pasdreke lajmëron që: nazistët do të protestojnë kundër aktorit Moisi para shfaqjes së dieles në Raimund Theater në Vjenë. Nacionalsocialistët kundërshtojnë hapur që Moisiu, i cili me skandalin e Salzburgut ka fyer rëndë ndjenjat e grave gjermane duke sfiduar regullat e mirësjelljes e moralit, të luaj në teatrin e Vjenës.....Ato bëjnë të qartë, n.q.s. drejtoria e teatrit nuk anullon shfaqjen do të shkallëzohen protestat (por shfaqja u bë).

Gazetat e majta shkruajnë: Përse nuk mundet një aktor të shohë fillimin e jetës së një krijese? Lindja nuk është dicka e pakëndëshme që duhet të mbahet sekret. E vetmja gjë që nuk kuadron është që të jesh prezent pa dijeninë e lehonës nuk është serioze. Por do të ishte e mirë që cdo njeri ta shikonte apo të kishte njeherë në jetë rastin të shtrihej në shtratin e lindjes  e ta provonte. Të mos harrojmë që në shumë raste asistojnë edhe studentët, por interesant është krahasimi në mes një gruaje të pasur e një gruaje të varfër. A nuk janë dhimbjet të barabarta?

Nderkohë skandali i Klinikës së Lindjeve në Salzburg përfshiu të gjithë Austrinë. Lëvizje “qytetare – nacionalsocialiste” u organizuan edhe në Vjenë duke vënë nën presion drejtorët e teatrove dhe trupat e teatrove ku luante Aleksandër Moisiu. Ndërsa në Salzburg, gruaja –lehonë u bë përson shumë i njohur, aq sa frekuentohej nga turistët që vizitonin Salzburgun, të cilët kërkonin ta njihnin gruan që u asistua nga aktori i famshëm. Qytetarë të Salzburgut dyndeshin në dyqanin ku punonte gruaja që ta pyesnin për ngjarjen, emocionet e saja kur mori vesht për praninë e Moisiut....

Ajo i tregonte kureshtareve për dhuratën që i kishte derguar Moisiu pas lindjes (një garniture treni ngjyrë rozë që kishte kushtuar vetëm 22 Schilling) duke ironizuar për cmimin e lirë të saj dhe që burri i saj i kishte derguar një letër atij ku i kerkonte që të paguante një pushim të shkurtër për “familjen viktimë” që ti sherbente për tu riaftesuar pas “traumës psikologjike”. Thuhet që Aleksandër Moisiu ia plotësoj kërkesën duke paguar për familjen pushimet e dëshëruara.

Dhe kështu vazhdoj muaj me rradhë në shtyp dhe në ambientet qytetare debati i politizuar antisemit me personazh Aleksandër Moisiu (Cifutin Moisi)  të cilit  për të vertetuar identitetin e tij të vertetë, ju desh të paraqiste dokumentat autentike të lindjes dhe të pagzimit.

Ka qënë dëshirë e imja e kaherëshme që të sillja këtë material mbi “Skandalin Moisi”, me qëllim që lexuesit e thjeshtë dhe opinioni shqiptar të mësojë për vështirësitë me të cilat aktori u përball për të ndërtuar karrieren e tij në perëndim. I diskriminuar, i nënvleftësuar, i lënë në harresë, i fyer si në jetën e tij private edhe në atë publike e shoqërore nga segmente të ndryshme të shoqërisë e politikës së kohës. Por jo vetëm gjeniu i skenës Aleksandër Moisi  u keqtrajtua nga këto fushata denigruese.....

Edhe kolosi i arkitekturës botërore me origjinë shqiptare Karl Gega ka qënë viktimë po ashtu e makinacioneve dhe intrigave të pashoqe për ta penguar në realizimin e veprave që sot bota i quan monumentale. Ishin, si Moisiu ashtu edhe Karl Gega, dy nga personalitetet më të mëdha të artit dhe shkencës botërore, të cilet  përjetuan “Parajsën Europiane “ ku ne kërkojmë të integrohemi.

skandali moisi







































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit