Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia duhen të vuajnë dënimet me burg të dhënë nga gjykata e Shkallës së Parë majin e vitit 2015 pasi ata janë autorët e vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë.
 
Është ky vendimi i gjykatës së Apelit, një kopje të së cilit ReportTv ka mundur të sigurojë ku me relatore Zeqine Sollaku më 24 Nëntor 2016 është vendosur lënia në fuqi e dënimit.
 
Në dhomën penale të kryeqytetit Bitraj u dënua me 13 vite e 4 muaj burgim ndërsa Bruzia me 10 vite pasi procesi ndaj tyre u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
 
Bitraj dhe Bruzia u dënuan më 20 Maj 2015 ndërsa pak ditë pas vendimit me burg ata ju drejtuan gjykatës së apelit duke kërkuar pafajësi.
 
Por cfarë ndodh pas këtij vendimi dhe a do të rikthehen paratë e vjedhura?
 
Më 30 Mars 2015 Banka e Shqipërisë me një padi civile kërkoi nga gjykata të detyrojë Bitrajn e Bruzian të kthenin shumën e vjedhur.
 
Kjo padi u pezullua më 30 Nëntor nga gjyqtarja Rezarta Ballia pasi dënimi ndaj Bitraj e Bruzia ende nuk ishte i formës së prerë dhe ata prezumoheshin ende të pandehur dhe jo të dënuar.
 
Me këtë vendim mbetet për tu parë nëse Banka e Shqipërisë do të kërkoj rihapje të procesit civil për rikthimin e shumës prej 713 milionë lekësh të vjedhura nga thesari i bankës.
 
Pas hetimit të skandalit nga prokurori Ramadan Toci në pranga përfundoi dhe ish Guvernatori i Bankës Ardian Fullani, por procedimi ndaj tij u mbyll pasi gjykata e Shkallës së parë dhe ajo e Apelit i dhanë atij pafajësinë.
 
Kjo pafajësi nuk u apelua nga prokuroria me rekurs në gjykatën e Lartë duke sjell për pasojë të drejtën e Fullanit për të kërkuar dëmshpërblim dhe rikthim në detyrë, por gjykata administrative i njohu ish guvernatorit vetëm 12 paga kompensim.
 
Skandali u zbulua në korrik të vitit 2014 ndërsa në total për këtë dosje u proceduan 15 persona mes tyre dhe ish drejtues të bankës dhe ekspertë të inventarizimit të arkave të grabitura në thesar.

bitraj bruzia
(Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj)


dy.b/shqiptarja.com