GREQI- Pas refuzimit të paketës së kreditorëve ndërkombëtare nga qeveria greke dhe hedhjes së saj për votim në referendum, pyetja më e rëndësishme që ngelet është: A ishte vërtet e pamundur të arrihej një marrëveshje??

Thënies së kreditorëve se marrëveshja ishte pothuajse e mbyllur të premten në mbrëmje, i përgjigjen grekët duke thënë se kreditorët dëshironin t’i mbysnin me masat që propozonin. Por cilat ishin vërtet propozimet e kreditorëve ndërkombëtarë që qeveria greke i tha ‘’jo’’?

Tatimi i vlerës së shtuar
E para është tatimi i vlerës së shtuar, që sipas skemës së kreditorëve nuk do të ndryshonte por do të shpërndahej. Qeveria greke pretendonte të mbante një TVSH 13% për restorantet, ndërkohë që kreditorët propozonin që kjo të shkonte në 23 përqind, siç është tani për konsumin e përditshëm.

Mosha e pensionit
Një pikë e dytë shumë problematike dhe e diskutuar është sistemi i pensioneve, i cili sipas trojkës është i pamenaxhueshëm dhe që ka një kosto prej 13 miliardë eurosh në vit, rreth 16% tëtë gjithë shpenzimeve publike. Propozimi kryesor i kreditorëve ishte që të rritej mosha e pensionit në 67 vjeç, ose në 62 vjeç nëse kishte 40 vjet kontribute. Sot, një në gjashtë grekë mes moshës 50 dhe 59 vjeç është në pension dhe i kushton shtetit 300 milionë euro në muaj. Një ndër propozimet e trojkës ishte dhe rritja nga 4 në 6 përqind i kontributit për shëndetin e pensionistëve.

Shpenzimet ushtarake
Një propozim tjetër ishte që shpenzimet ushtarake greke të uleshin me 400 milionë euro, pasi sot janë të dytat më të mëdha brënda NATO-s. por, kjo është një çështje e paprekshme për qeverinë greke, ndoshta dhe për shkak të një frike për një luftë të mundshme me Turqinë.

Taksa për bizneset
Pika e tretë ishte rritja e taksës mbi bizneset nga 26 në 28 %, ashtu si dhe vendosja e taksimit mbi reklamat. Ideja kryesore e trojkës ishte që të goditeshin të pasurit, që në Greqi në një masë të madhe kanë lidhje me marinën, me shoqëritë e mëdha detare.

Trojka propozoi një rritje të taksës nga 10 në 13 %. Një ndër pikat më të dobëta të administratës greke është Agjencia e të Ardhurave e cila është pothuajse jo ekzistente dhe që Trojka e kreditorëve kishte propozuar që të miratohej legjislacioni i nevojshëm për krijimin e një agjencie të tillë autonome.

Paga minimale
Një çështje tjetër shumë e debatueshme dhe e paprekshme për qeverinë e Tsipras ishte dhe paga minimale, e cila në Greqi është 683 euro, dyfishi i rrogës minimale në vendet Baltike dhe Hungari dhe gjithashtu më e lartë se në Portugali dhe Poloni. Trojka propozonte një ulje të saj, qoftë dhe të përkohshme.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)