Duke filluar nga pranvera e ardhshme në Portin e Shëngjinit pritet të mbërrijnë emigrantët e parë të paligjshëm azilkërkues në Itali. Një protokoll bashkëpunimi është firmosur nga kryeministrat Rama e Meloni, ndërsa debatet filluan menjëherë. Por çfarë parashikon kjo marrëveshje?

Ku do të ndërtohen strukturat për emigrantët e paligjshëm?

Dy do të jenë strukturat që sipas marrëveshjes me Italinë do të ndërtohen në Shqipëri për të pritur emigrantët. E para do të jetë në Portin e Shëngjinit, ku do të jetë akomodimi i parë i emigrantëve, regjistrimi i tyre, kontrolli i parë dhe nisja e tyre për në strukturën tjetër, e cila do të ndërtohet vetëm 20 kilometra me tutje, ose rreth 30 minuta larg, në fshatin Gjadër në Lezhë. Aty do të qëndrojnë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës për azil.

Cilët dhe sa emigrantë të paligjshëm do të akomodohen?

Strukturat në Shëngjin e Gjadër është parashikuar që të presin jo më shumë se 3 mijë persona në muaj që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Pra, do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 vendstrehime. E rëndësishme të theksohet është fakti se nuk bëhet fjalë për çdo emigrant të paligjshëm që shkon në Itali por vetëm ata që shpëtohen në detin Mesdhe, me shumë mundësi ato që shpëtohen nga anijet e organizatave jo qeveritare, dhe nuk ka arritur të shkojë në territorin italian. Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë parashikon që jo të gjithë emigrantët që kapen në det do të vijnë në strukturat që do të ngrihen në territorin shqiptar. Do të përjashtohen të miturit, gratë shtatzëna dhe grupe të tjera vulnerable, të cilët me t’u shpëtuar në det do të shkojnë në Itali dhe jo në strukturat e ndërtuara në territorin shqiptar.

Sa do të qëndrojnë në Shëngjin e Gjadër emigrantët e paligjshëm?

4 javë mendohet të rrijë maksimalisht një emigrant i paligjshëm në strukturat në Shëngjin dhe në Gjadër. Procedurat për vlerësimin nëse ka të drejtë të fitojë azil do të zgjasin pikërisht 28 ditë, dhe nëse ata nuk do të kualifikohen si fitues të së drejtës për të marrë azil do të kthehen mbrapsht në vendet e tyre.

Kur do të vijnë emigrantët e parë?

Në pranverën e ardhshme pritet të mbërrijnë në Shëngjin e Gjadër refugjatët e parë të shpëtuar nga autoritetet italiane në det. Nuk ka një datë të saktë se kur strukturat e pritjes dhe akomodimit do të jenë gati por vetë kryeministrja italiane tha se qeveritë shpresojnë që pranvera 2024 të jetë momenti kur të vijnë anijet e para me refugjatë.

Kush do të financojë?

Çdo shpenzim që lidhet me shpëtimin në det, transportimin, akomodimin, ushqimin, kujdesin shëndetësor, depërtimin në vendet e tyre kur nuk u jepet azil apo transporti për në Itali kur marrin përgjigje pozitive do të kryhet nga shteti italian.

Çfarë do të bëjë Shqipëria?

Detyrimi i Shqipërisë nga kjo marrëveshje, përveç vënies në dispozicion të hapësirës ku 2 strukturat do të ndërtohen, është vetëm garantimi i sigurisë dhe observimi nga jashtë qendrave. Policia dhe organet e tjera të sigurisë së vendit tonë do të mbikëqyrin dhe garantojnë rendin.

Kush drejton në qendra?

Strukturat do të jenë nën juridiksionin italian dhe do të kenë status ekstra territorialiteti. Rregullat, ligjet dhe garancitë e shtetit italian dhe të Bashkimit Evropian do të zbatohen në këto 2 struktura.

Çfarë thotë Bashkimi Evropian?

Mediat italiane shkruajnë se marrëveshja e bërë mes Italisë dhe Shqipërisë për  emigrantët e paligjshëm tashmë po shqyrtohet edhe nga BE-së. Komisioni Evropian është në dijeni të marrëveshjes dhe thotë se është e rëndësishme çdo marrëveshje e këtij lloji të respektojë plotësisht ligjet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.