Ilir Proda, kryepolici i Elbasanit, i propozuar sot për drejtor të Policisë së Shtetit
Gara për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që do pasojë të dorëhequrin Muhamet Rrumbullaku, zyrtarisht ka përfunduar dhe janë mësuar 5 emrat e listuar dhe vlerësuar me pikë nga Komisioni Ad-Hoc.
Ditën e sotme (30 Shtator), Ministria e Brendshme konfirmoi përfundimin e procesit dhe ministri Ervin Hoxha njoftoi se i ka propozuar kryeministrit Edi Rama si kandidat fitues të garës pikërisht drejtorin e Policisë së Qarkut Elbasan, Ilir Proda, me 19 vite karrierë në radhët blu.
Ky i fundit u verifikua nga SPAK-u pas dyshimeve për operacionin e dekonspiruar të dosjes “Çopja” në Elbasan, ku shumë nga të dyshuarit nuk u arrestuan dot dhe iu sekuestrua telefoni. Pas verifikimeve ka vijuar garën dhe tashmë është propozuar për kryepolic.
Por kush është Ilir Proda: Karriera e 43-vjeçarit nga oficer i thjeshtë, deri në detyrat e larta si Shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë përgjatë vitit 2014, ku u denoncua edhe për një incident i denoncuar nga një vajzë 19-vjeçare për dhunë, por që SHÇBA nga hetimet e nxori të pafajshëm, deri tek posti i kryepolicit të Elbasanit dhe tani i propozuar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Pas mbarimit të Akademisë së Sigurisë në vitin 2005, punoi si oficer në Komisariatet nr. 3 dhe 4 deri më 2012, për të kaluar më pas në Policinë e Shtetit për një vit dhe më tej si shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë.
Pas incidentit të vitit 2014, zhvendoset në Bulqizë për dy vite shef Komisariati dhe më pas në Drejtorinë e Përgjithshme, te sektorët e Antidrogës dhe Antikrimit për tre vite. Më 2019 emërohet zv/drejtor në Korçë dhe më 2021 me të njëjtën detyrë në Elbasan, ku më pas emërohet edhe drejtor më 2023, post që e mban aktualisht.
Karriera e Ilir Prodës:
– 2002-2005 Akademia e Policisë
-Gusht 2005-Nëntor 2011, Komisariati Nr.3 Tiranë
-Nëntor 2011-Mars 2012, Komisariati Nr.4 Tiranë
-Mars 2012-Qershor 2013, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit
-Qershor 2013-Tetor 2013, në Policinë e Lezhës
-Tetor2013-Dhjetor 2014, Shef Komisariati Nr.2 Tiranë
-Dhjetor 2014-Shkurt 2016, Shef Komisariati Bulqizë
-Shkurt 2016-Maj 2017, Seksioni për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
-Maj 2017-Korrik 2019, Drejtoria e Përgjithshme, Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë
-Korrik 2019-Tetor 2021, Zv/Drejtor për hetimin e krimit në Korçë
-Tetor 2021-Mars 2023, Zv/Drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan
-Mars 2023 dhe në vijim, Drejtor i Drejtorisë Vendore i Policisë së Elbasanit
Lajmi kryesor: