SPAK goditi grupin kriminal të Jetmir Pepës, i cili akuzohet se ka trafikuar 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Me vendim të GJKKO-së u sekuestruan plot 232 pasuri që vlerësohen rreth 12 milionë euro, mes tyre 100% e aksioneve të kompanisë “Pepa Group”, në pronësi të familjarëve të Jetmir Pepës, firmë ndërtimi e cila ka fituar tenderë me vlerë totale miliona euro nga pushteti lokal dhe qëndror.

***

Pepa Group shpk, është kompania mëmë, e themeluar në vitin 2014, e cila ka shtrirë më pas bashkëpunimin në ortakëri në disa shoqëri të tjera, në sektorë të ndryshëm, që nga hoteleria, energjia, estetika, ndërtimi apo argëtimi.

Ajo rezulton të ketë një Kapital themeltar prej 385 milionë lekësh, ose gati 4 milion euro me kursin e sotëm. Kompania është themeluar nga Urim Pepa, i cili ka qenë aksioner i vetëm, ndërsa aktualisht zotërohet në pjesë të barabarta nga familjarët e tjerë Leorik, Urjola, Brian dhe Brixhilda Pepa të cilët i ndajnë aksionet në kuota të barabarta.

Urim Pepa është vëllai i Jetmir dhe Lulzim Pepës, ky i fundit i arrestuar gjatë operacionit të SPAK-ut.

Në faqen e saj online, Pepa Group e prezanton veten si “një kompani ndërtimi me përvojë, që ofron zgjidhje të plota dhe të personalizuara në fushën e ndërtimit”, shoqëruar dhe me foto të punimeve të realizuara, mes të cilave dhe vepra publike.

Janë të paktën 12 tendera publikë, kryesisht në gara të qeverive vendore, të fituara nga Pepa Group, për një total prej mbi 69 milion euro. Nga punët e realizuara për Bashkinë e Tiranës, bie në sy ndërtimi i shkollës Pjetër Budi, i Qendrës Ten, apo rikonstruksioni i Varrezave të Dëshmorëve. Garat e tjera në Bashkitë Kukës, Lezhë e Fushë Arrëz, përfshijnë rikonstruksione, e rehabilitime kanalesh kulluese apo rrugësh.

Pepa Group ka marrë po ashtu dhe dy tendera në sektorin e shëndetësisë, për një total prej më shumë se 211 milionë lekësh, ose mbi 2.2 milionë euro, për punimet e kryera për rikonstruksionin e Maternitetit të Fierit dhe të Godinës së Anatomisë së Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

Sipas të dhënave nga burime të hapura, kompania rezulton të ketë patur një aktivitet në rritje konstante, me një përmirësim të ndjeshëm nga viti 2020. Ajo ka regjistruar xhiron më të lartë në vitin 2023 me 1.15 miliardë lekë ose mbi 12 milion euro, por me një fitim prej 34.5 milionë lekësh, ose mbi 350 mijë euro. Por fitimin më të madh Pepa Group, prej 94.5 milionë lekësh, rezulton ta ketë në vitin 2018 kur xhiroja vjetore ishte afro 330 milion lekë.

Në bashkëpunim me kompani të tjera Pepa Group ka qenë fituese dhe në 36 gara të tjera publike, me një vlerë të përgjithshme të tyre që arrin në 6 miliardë lekë, ose 60 milion euro.

Aktivitetin e ndërtimit Pepa Group e ka shtrirë dhe përmes kompanisë B.I.V. ku ajo zotëron 50 përqind të aksioneve të blera nga Albert Fusha, partneri i saj me pjesën tjetër të aksioneve. Kompania deklaron si aktivitet “prodhim të materialeve inerte, betone, parafabrikate, transport dhe eksport i tyre si dhe tregtim të materialeve të ndryshme inertesh, industriale dhe të ndërtimit”. Po ashtu ofron “projektim të ndërtimeve civile dhe ushtarake si dhe  ndërtime civile, industriale e turistike”. B.I.V. rezulton me një fitim para tatimit prej 19 milion lekësh në vitin 2024, ku ka deklaruar një xhiro prej 58 milionë lekësh.

Po në fushën e ndërtimit Pepa Group shfaqet si pjesë e një konsorciumi të udhëhequr nga Gjoka Construction me 97 përqind të kuotave në shoqërinë AKPL” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën e koncensionit për segmentit Kashar-Pezë-Lekaj (Rrogozhinë) një investim privat i parashikuar prej 475 milion euro. Këtu, Pepa Group është përfhirë me 0.3 përqind të aksioneve. Vendimi është marrë nga qeveria në dhjetor të vitit 2024, por nuk ka ndonjë të dhënë nëse ky projekt ka avancuar.

Pepa Group është angazhuar dhe në fushën e Energjisë ku së bashku me Shpresa.al dhe Marçeli SHPK, themelojnë në vitin 2016 kompaninë Hec Arsti, duke investuar 225 milionë lekë, (mbi 2 milionë dollar) në ndërtimin e një hidrocentrali, mbi përroin me të njëjtin emër, Arsti, në zonën e Fierzës. Tre tre kompanitë ortake ndajnë kuota të barabarta me nga 33.3 përqind të aksioneve secili. HEC-i ka një fuqi të instaluar prej 3.130 kW, me një kapacitet prodhuar prej afro 12 milion kwh/vit. Eja e ndërtimit u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit në vitin 2018. Kompania ka deklaruar në vitin 2024 një fitim (para taksave) prej afro 92 milionë lekësh.

Hotel Oxford është një tjetër nga pasuritë e sekuestruara nga SPAK, sipas të cilit struktura i përket pikërisht vëllezërve Jetmir dhe Lulzim Pepës. Hotel butik, me çmime që nisin nga mbi 9 mijë lekë nata, ndodhet në zemër të Tiranës, vetëm pak metra larg parlamentit shqiptar. Siç përshkruhet dhe në faqen e vet zyrtare hoteli “ofron 28 dhoma për mysafirët në pesë kate të një ndërtese ku klasikja ndërthuret me modernen. Çfarë na bën të veçantë është origjinaliteti dhe ngrohtësia e stilit Boutique e cila është e dallueshme si në ambientet e brendshme ashtu dhe ato të jashtme të hotelit, ideale për ata që kërkojnë të përjetojnë veçoritë e Tiranës së vjetër kombinuar me një standard të lartë të akomodimit”.

1776282546_hotelimirepepajetmirpepa.png

Hotel Oxford

Pepës, i cili është ende në kërkim pas operacionit të SPAK, i është sekuestruar edhe një klub luksoz buzë detit. Bëhet fjalë për klubin Soluna, një ndër më të njohurit për jetën e natës në Shëgjin, ku mbledh qindra të rinj e të reja përgjatë sezonit turistik.

1776283404_soluna.jpgKlubi Soluna

Në sekuestro është vënë edhe një klinikë estetike luksoze në Tiranë, “Maison Nuvé Aesthetics”, e vendosur në kompleksin River Residence. Klinika ofron një gamë të gjerë trajtimesh estetike mjekësore, duke përfshirë trajtime fytyre, hydrafacial, peeling kimik, mezoterapi, skin boosters, filler dermal, microneedling, terapi LED, epilim me lazer dhe trajtime të avancuara si lazer fraksional CO2.