Pavarësisht ndryshimeve të shumta ligjore, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të ketë 140 deputetë. Anëtarët e rinj, të cilët nisin punë në shtator, do të përzgjidhen me një formulë të re.
Si janë të ndarë kandidatët në fletën e votimit?
Në rang vendi, çdo subjekt zgjedhor ka kandiduar 46 emra në listën e mbyllur dhe 140 të tjerë për listën e hapur. Ata janë të shpërndarë sipas qarqeve, në varësi të mandateve. Psh. qarku Tiranë nxjerr 37 deputetë, ndaj në listën e hapur, secili subjekt ka kandiduar 37 emra, ndërsa në listën e mbyllur, 12 emra. Kodi Zgjedhor përcakton se 1/3 e mandateve nga çdo qark për çdo subjekt zgjedhor, do të dalë nga lista e fiksuar.

Cili është dallimi mes kandidatëve në listë të mbyllur dhe atyre në listë të hapur?
Kandidatët e listës së mbyllur, kanë një renditje të fiksuar nga partia. Ata nuk votohen nga zgjedhësit, por janë të parët që kanë shanset për të hyrë në parlament. Kandidatët e listës së hapur janë renditur në fletën e votimit sipas rendi alfabetik të mbiemrit. Ata janë të gjithë të barabartë me njëri-tjetrin dhe fitoren e tyre e përcakton votuesi. Zgjedhësi mund të votojë vetëm një kandidat nga lista e hapur e partisë përkatëse dhe vetëm të një partie.
Si shpërndahen mandatet më 11 maj?
KQZ numëron votat dhe shpërndan mandatet brenda subjekteve. Psh, nëse në Tiranë ndahen 37 mandate, llogariten sa i takojnë partisë A, sa partisë B dhe sa Partisë C. Që një parti të mund të marrë një mandat në një qark të caktuar, duhet të plotë pragun e vetëm që kanë zyrtarisht këto zgjedhje, 1% të elektoratit në të gjithë vendin.
Pastaj KQZ kalon në raundin e dytë të vlerësimit. Kush i merr mandatet e partisë A? Nëse kjo parti në Tiranë ka marrë 15 mandate, të parët që hyjnë në Kuvend janë 12 emrat e listës së mbyllur. 3 mandatet e tjera, merren nga lista e hapur, praktikisht 3 më të votuarit, qoftë kjo edhe një votë më shumë, pas asnjë prag. Nëse mes këtyre emrave nuk është asnjë e gjinisë tjetër, bëhet një korrigjim. Pra, në çdo tre emra, duhet të jetë të paktën një grua. Ndaj, nëse të tre më të votuarit e listës së hapur janë burra, atëherë, burri i tretë spostohet, duke i liruar vend, gruas më të votuar ndër gratë e listës.
Nëse partia B ka marrë 10 mandate, atëherë, në Kuvend shkojnë vetëm 10 emrat e parë të listës së mbyllur, sipas renditjes që ka bërë partia. Nga kjo parti, nuk del asnjë deputet nga lista e hapur, sado i madh të jetë numri i votave që të ketë marrë.
Sa vota i duhet një kandidati në listën e hapur që të dalë fitues?
Kjo nuk mund të parashikohet. Ajo që dihet është se tashmë pragu prej 10 mijë votash nuk ekziston. Pra, një kandidat mund ta mundë një tjetër, edhe me 1 votë më shumë. Votuesit nuk janë të detyruar të votojnë për kandidatin e preferuar, ata mund të votojnë thjesht partinë. Ose votat e kandidatëve mund të shpërndahen aq shumë, sa edhe me 2 mijë vota apo edhe më pak, dikush mund të hyjë në parlament.
SI.E./I.M/Shqiptarja.comKomente

