***
Shtrëngimi i sotëm i duarve mes kryeministrave Rama dhe Mitsotakis në Athinë, vjen pas një periudhe problematike që shoqëroi marrëdhëniet mes dy vendeve pas arrestimit të Fredi Belerit në vitin 2023. Një pasqyrë e ulje-ngritjeve të një raporti që mbetet gjithnjë i brishtë e lehtësisht i ndikueshëm, qoftë dhe nga momente episodike. Report Televizion sjell një përmbledhje të momenteve kryesore që kanë shenjuar qasjet e të dy qeverive ndaj njëra tjetrës.
Marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis kanë qenë të trazuara, ku momentet e afrimit janë thyer nga dallgë të forta përplasjesh. Edhe pse të dy kryeministrat janë takuar disa herë, vizitat zyrtare në kryeqytetet respektive kanë qenë të kufizuara.
Katër muaj pasi nisi zyrtarisht detyrën si kryeministër, Mitsotakis do ta priste Ramën në Athinë në tetor të 2019. Në harkun kohor të pak më shumë se 3 vitesh, kryeministri do të shkojë dhe tre herë të tjera, ku takimet me kreun e qeverisë greke do të jenë të natyrave të ndryshme. Në shtator 2020 ata do të darkojnë së bashku në një restorant në qendër të Athinës, ndërsa 4 muaj më pas. Në janar 2021 ata do të drekojnë në shtëpinë e Mitsotakis-it.
Një periudhë, ku duket se marrëdhëniet po lëviznin në një terren tashmë solid, pavarësisht trashëgimisë së gjatë të problemeve mes dy vendeve që kishin shkaktuar dhimbje koke të shpeshta në të dy anët e kufirit. Edhe çështja e Detit, që shfaqej herë pas here si guralec në këpucët e diplomacisë, dukej se ishte futur në një rrjedhë të qetë, me një zgjedhje për të cilën të dyja palët dukeshin të kënaqura. Në 20 tetor 2020, në krah të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, Rama kishte njoftuar papritur se Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Erërat e ngrohta vazhdojnë të fryjnë mes dy vendeve. Në 6 dhjetor 2022, Mitsotakis-i do të shfrytëzojë samitin BE-Ballkani perëndimor në Tiranë, për të realizuar dhe ai vizitën zyrtare në Shqipëri. Rama e pret në zyrën e tij, ndërsa pak ditë më pas, më 22 dhjetor të dy liderët u shfaqën në Dropull ku u pritën nga minoriteti grek atje.
Rama do të rikthehet shumë shpejt në Athinë. Në mars të 2023, ai do të hapte me një ceremoni të bujshme, një ekspozitë me pikturat dhe skuLpturat e tij, në një nga qendrat më me emër të artit. Në krah do të ketë Mitsotakis-in dhe Dendiasin.
Të nesërmen pritet zyrtarisht nga presidentja e Greqisë dhe kryetari i Parlamentit. Por siç ka ndodhur rëndom në raportet mes dy vendeve, mjafton një episod që të hedhë në erë gjithçka. Vetëm 2 muaj më vonë ujërat do të trazoheshin në prag të zgjedhjeve lokale më 14 maj 2023.
Arrestimi dhe më pas dënimi i Fredi Beleri nga të gjitha shkallët e gjyqësorit riktheu klimën e acartë mes dy vendeve. Athina reagoi me tone të ashpra dhe kërcënime të hapura për ndikim në rrugën evropiane të Shqipërisë.
Sinjalet politike po ashtu nuk munguan. Në gusht 2023, Mitsotakis me një mesazh të qartë politiko-diplomatik, la jashtë Ramën në përvjetorin e samitit të Selanikut, përpjekja e parë serioze e BE-së për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, si në çdo histori të gjatë fqinjësie, edhe këtu dera nuk u mbyll kurrë plotësisht. Edhe pse munguan takimet kokë më kokë, dy liderët vazhduan të përplasen dhe të përshëndeten në korridoret e samiteve ndërkombëtare, duke mbajtur një dialog minimal, por të domosdoshëm.
Por dimri i gjatë në marrëdhëniet dy palëshe duket se tanimë i ka lënë vend një stine të re ngrohtësie. Të mërkurën e 22 prillit të dy kryeministrat u ritakuan në pallatin Maksimos në Athinë dhe shkëmbyen së bashku veç batutave edhe një optimizëm të madh se çështjet që i ndajnë dy vendet po shkojnë drejt një zgjidhjeje finale.
Komente










