TIRANË- Shtimi i numrit të bagëtive që duhet të ketë një blegtor që të përfitojë rimbursim, do të sjellë rënie të sektorit në tërësi. 

“Mungesa e mbështetjes me investime, shoqëruar me subvencione, patjetër që do të sjellë një rënie të mëtejshme të treguesve të blegtorisë”, shprehet Agim Rrapaj

Kreu i agrobiznesit Agim Rrapaj nuk e konsideron të drejtë këtë skemë, pasi sipas tij fuqizohen të fortët dhe blegtorët e vegjël humbasin. 

“Nuk është e drejtë që të mos mbështeten edhe të tjerët që kanë më pak numër krerësh, dhe që kanë nevojë më të madhe për mbështetje”, tha Rrapaj.  

Rrapaj thotë se rimbursimi më i drejtë është për litër qumështi, dhe jo për krerë, por kjo skemë sipas tij kufizohet nga buxheti. 

“Arsyeja e vetme është buxheti i limituar që mbështet bujqësinë përmes skemës kombëtare. Mënyra më e mirë për mbështetje është ajo për njësi, pasi do të ketë më shumë përfitues por do më shumë para”, pohon Rrapaj.

Në vendimin e 9 shkurtit të Këshillit të Ministrave u specifikua që blegtorët me mbi 100 krerë dhi apo dele do përfitojnë rimbursim 1200 lekë për bagëti, nga 70 që ka qenë numri i krerëve. Ndërsa për fermat e lopëve rimbursim do të marrin ata që kanë mbi 10 krerë lopë, nga 5 që ishte kushti i kaluar dhe vlera është 10 mijë lekë për lopë.