Skema e re e pensioneve, Veliaj: Nëse
s'ndërmerret e nesërmja katastrofë

Skema e re e pensioneve, Veliaj: Nëse<br />s'ndërmerret e nesërmja katastrofë
TIRANË-  Nëse skema e pensioneve në Shqipëri nuk reformohet, sipas Ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, "e nesërmja do të jetë një katastrofë financiare për të gjithë."

Erion Veliaj e ka bërë të ditur këtë sot në mbledhjen e parë të grupit të punës, të mbajtur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Sipas tij, në Shqipëri janë shumë pak të siguruarit në skemën e sigurimeve shoqërore, prej atyre që sot përbëjnë moshën aktive të popullsisë.

Probleme kanë edhe ata që sot janë të siguruar dhe derdhin kontribute shoqërore.

“Masa e fitimit është shumë e ulët dhe ka treguar se mund të përkeqësohen raportet me pagat që tregon skema. Skema është e papërballueshme për financat publike”, tha Veliaj, duke shtuar se skema e sigurimeve shoqërore ka rritur defiçitin, duke arritur në 420 mijë dollarë.

“Të njëjtët njerëz njëherë iu duhet të paguajnë sigurime shoqërore dhe njëherë të paguajnë sigurime për të mbajtur skemën gjallë. Kjo është e pandershme në raport me qytetarët”, vijoi Veliaj.
 
ÇDO BIZNES I VOGËL KA TË SIGURUAR VETËM 1 PERSON
Sipas Veliajt, në vitin 2013 ishin 640 mijë kontribues të skemës dhe raporti i përfitimit ishte 1,1 kontribues për 1 përfitues. Ndërkohë që ky raport duhet 4 të jetë me 6 për një përfitues.

Për Veliajn, “Ky raport është alarmant për shkak të informalitetit. I bie që të siguruar për biznesin e vogël është 1.45 punonjës për çdo biznes”. Ai ka bërë të ditur se, “Edhe ata që janë pjesë e skemës e bëjnë vetëm për pagën minimale, edhe për faj të vetë skemës, ku ata me paga të larta mund të paguajnë deri 5-fishin e kontributit por mund të marrin vetëm 2- fishin e kontributit të atyre që paguajnë rrogën minimale”.
 
PENSIONET NË FSHAT, SI ASISTENCË SOCIALE
Problem i mprehtë sipas ministrit Veliaj “është diferencimi mes skemës së pagesave ruarale dhe urbane.”
 
“Skema rurale është kthyer në një lloj asistence sociale”, theksoi ai.

“Me ndryshimet demografike është e padallueshme, ku filllojnë disa fshatra e disa qytete. Një rrugicë paguan shumë, njëra jo. Kjo është e pandershme për gjithë qytetarët që paguajnë kontribute. Nëse skema qëndron pa u reformuar, atëherë defiçiti thellohet”, theksoi Veliaj.
 
 ATA QË PUNOJNË SOT, RREZIKOJNË TË MOS MARRIN PENSION NESËR
Sipas tij janë vërtet shumë shqiptarët, pjesë e sotme e tregut të punës, të cilët rrezikojnë të mos marrin pension, gjë që do të përbënte katastrofë sociale në të ardhmen.
 
“Plakja e shoqërisë do të përkeqësojë skemën.  Duhet të ndërhyjmë. Në 2050-n, sipas raporteve lindje-vdekje, në Shqipëri do të jenë mbi 65 vjeç, 25 përqind e popullsisë.  Popullsia po shkon me ritme të shpejta drejt plakjes”, nënvizoi Veliaj.

Sipas tij në këtë diskutim të grupit të punës, bëhet fjalë për thelbin dhe procesin e skemës së pensioneve.
 
 KONFERENCË KOMBËTARE PËR SKEMËN E PENSIONEVE
Së pari, në lidhje me procesin, ai siguroi se me të gjithë qytetarët, punëdhënësit e punëmarrësit, skema “do t’i nështrohet një diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës”.
Do të ngrihet edhe këshilli për këtë proces.
 
“Janë të ftuar të kontribuojnë nga gjithë spektri politik. Jam krenar që jam pasues i Dashamir Shehit që ka themeluar bazat për skemën e pensioneve. Do të doja të kishte diskutime edhe me grupet e ndryshme parlamentare, ekspertët që partitë politike mund të ofrojnë, veç atyre të qeverisë".

Veliaj bëri të ditur se është planifkuar një konferencë kombëtare bashkë me Bankën Botërore, punëmarrësit etj.
Konferenca do të mbahet në Mars dhe do të hartohet edhe “dokumenti për politikat për zhvillimin e skemës së pensioneve”. Kjo gjë, sipas ministrit “do të reflektojë në gjithë aktet ligjore e nënligjore”.
 
 REFORMA NUK PREK PENSIONISTËT E TANISHËM DHE ATA QË JANË AFËR DALJES NË PENSION
 Ndërsa foli për thelbin e reformës dhe përmbajtjen e saj, ministri Erion Veliaj, siguroi të gjithë pensionistët apo ata që janë afër moshës së daljes në pension, që të mos frikësoheshin. Kjo reformë është vërtet e domosdoshme, por nuk do të prekë ata që tashmë janë në pension apo afër tij.

“Çdo pensionist i tanishëm duhet të mos trembet se asnjë e drejtë e tyre deri tani nuk do të preket. Nuk u drejtohet reforma pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm. Kjo nuk cenon të drejtat e qytetarëve që janë afër moshës së daljes në pension. Ky është investim afatgjatë”, theksoi ministri.
 
 PASTRIM I SKEMËS SË PENSIONEVE, ASHTU SI PËR NDIHMËN EKONOMIKE
Veliaj foli edhe për bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore për pastrim të skemës së pensioneve nga çdo abuzivitet.

“Nuk do të ketë reformë nëse nuk ka pastrim nga abuzimet. Ashtu si bëmë pastrim për ndihmën ekonomike edhe procesi i reformës së pensioneve do të shkojë në këta binarë. Do të ketë edhe modernizim të skemës”, vërejti Veliaj.
 
HEQJA E PENSIONIT TAVAN
Sipas tij nga reforma dhe skema e re, duhet të garantohet që “çdo i moshuar të ketë një pension dinjitoz”. Gjithashtu sipas tij, duhet të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensioneve, “për të qenë të drejtë e të ndershëm”.

“Është e arsyeshme të heqim pensionin tavan e t’i jepet e drejta çdokujt të kontribuojë më shumë nëse do. Reforma konsiston edhe në zhvillimin e skemave alternative të kontributit shoqëror. Është normale që njerëzit të jenë përfitues të disa skemave. Do të ketë benefite të mjaftueshme për të moshuarit. Deficiti mund të reduktohet, duke e bërë skemën të vetëmjaftueshme dhe të përballueshme”, përfundoi Veliaj.

DREJTORESHA E SIGURIMEVE SHOQËRORE, BRAHO: PAGESAT E PENSIONEVE, ON-LINE
 Edhe për drejtoreshën e Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, reforma e sistemit të pensioneve është e domosdoshme.

“Zhvillimet demografike e sociale kanë bërë të nevojshme ndërmarrjen e një reforme”, u shpreh Braho.

Ajo vërejti se është e domosdoshme të bëhet i mundur dixhitalizimi i sistemit aktual. "Ky dixhitalizim,- shpjegon Braho,- bëhet me mbështetjen teknike nga ana e Bankës Botërore". Reforma konsiston në dixhitalizmin e sistemit, për grumbullimin e gjithë materialit dokumentar për vjetërsinë në punë në Shqipëri.

“Me financimin e Bankës Botërore dhe qeverisë, u bë i mundur ndërtimi i arkivës qendrore në Lundër. Ka filluar të mblidhet gjithë dokumentacioni për vjetërsinë në punë. Është bërë e mundur zhvillimi i sistemit on-line të pagesave të pensioneve”, vërejti Braho.

Sipas saj, një pjesë e madhe e pagesave të pensioneve bëhet përmes Postës Shqiptare dhe projekti do të fillojë të zbatohet edhe për fshatin.
 
Ajo bëri të ditur edhe se “Është përgatitur regjistri elektronik i pensioneve”.
Braho tha se është duke u bërë edhe zhvillimi dhe implementimi i llogarisë on-line të pensioneve dhe dizhitalizimi i vjetërsisë në punë. “Ka përfundur ky proces për kooperativat dhe është duke u bërë për ndërmarrjet shtetërore”.

Sipas Brahos, sistemi i sigurimeve shoqërore nuk është i balancuar por deficitar, që kap 1.7 përqind të GDP-së.

Shkak kryesor për këtë është numri i vogël i kontribuesve dhe lëvizjet demografike, emigracioni.

“Pjesa më e madhe e shqiptarëve të aftë për punë kanë shkuar jashtë shtetit. Ka evazion, pasi kemi mosdeklarime të punësimit apo pagave reale, që ndikojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, duke e bërë defiçitare”.
Ajo vëren se, ka një lidhje të dobët mes pensionit minimal e maksimal dhe pensioni minimal dhe ai mesatar janë thuajse të njëjtë.
Sipas saj “Pensioni minimal e mesatar, është thuajse i njëjtë, si rezultat i kompensimeve”.
 
PENSIONET TE GRATË, DISKRIMIN POZITIV QË RRIT DEFIÇITIN
Sektori agrar duket se është ai që e agravon më tepër skemën e pensioneve sipas konkluzioneve, pasi këtu është numri më i madh të pasiguruarve.

Ashtu si dhe ministri Veliaj, drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, vërejti se pjesa e subvencionimit për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe ata që jetojnë në fshat e kanë çuar këtë subvencionim drejt një skeme asistenciale.

Ajo përmendi se një pikë ku duhet parë është ajo e moshës së daljes në pension. Sipas saj, “faktor i rëndësishëm është diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pesë vjet më pare, edhe pse jetëgjatësia e tyre është më e madhe se e burrave, gjë që në fakt rrit defiçitin”.

Defiçitare për të është edhe skema suplementare, ku 80 përqind e saj subvencionet nga shteti. Por defiçitar është edhe niveli i lartë i debitorëve.

Sipas saj, janë rreth 46 mijë subjekte që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore.

Edhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare e mbështet këtë nismë për reformim të sistemit të kontributeve, “përmes afrimit me legjislacionin e brendshëm dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.  AMF do të kontribuojë, “duke dhënë ekspertizën e tij profesionale”.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës