97 mesazhe ankesash tha deputeti Erion Braçe se disponon nga fermerët e Lushnjës, të cilët ankohen se kompanitë private po bëjnë fushatë kundër qumështit të blegtorëve, duke i çuar ata drejt falimentimit.
“E gjithë kjo fushatë kundër qumështit të blegtorëve, në fillim atje nga fabrikat kundër blegtorëve e pastaj në media, sponsorizuar qartësisht nga fabrikat, rezulton vetëm me dy mostra aflatoksine dhe me një sasi, e gjitha e konsumuar. Për gjithë periudhën janar, dhjetori i vitit që shkoi e deri tani, nuk ka më. Çfarë ndodhi që gjithë kjo fushatë vuri përpara blegtorët dhe i detyroi ata ta derdhin qumështin në kanal?”, tha Braçe.
Në përgjigje, ministri i Bujqësisë Andis Salla tha se askush nuk mund të inkurajojë fermerët të prodhojnë qumësht të kontaminuar me aflatoksinë.
“Gjatë vitit 2025 janë analizuar 32 mostra për aflatoksinë M1 në qumësht, nga të cilat 13 kanë rezultuar jo-konforme. Për të gjitha rastet jo-konforme, janë vendosur masa administrative, janë bllokuar produkte, konkretisht mijëra litra qumësht dhe dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara dhe është ndjekur gjurmueshmëria deri në fermë. Kjo është arsyeja pse kontrollin nuk e kemi kufizuar vetëm në produktin final, por e kemi shtrirë në të gjithë zinxhirin, që nga ushqimit për kafshë i importuar, në kufi. Të gjitha procedurat janë ndjekur në afate dhe ajo që ngremë si shqetësim është që s’duhet të inkurajojmë fermerët tanë të jenë pjesë e këtij procesi. Duhet t’u garantojmë konsumatorëve shqiptarë siguri ushqimore dhe konsum të kontrolluar. Në fund të fundit, bëhet fjalë për diçka shumë thelbësore: ushqimin që ne, fëmijët tanë dhe familjet tona konsumojnë çdo ditë dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe për këtë, nuk ka asnjë kompromis”, tha Salla.
Sipas Braçes, fushata e kompanive pati 3 efekte kryesore te fermerët: mosmbledhje të produktit, ulje të çmimit nga grumbulluesit dhe masa e kosto shtesë për blegtorët. Në vijim të interpelancës socialisti Erion Braçe, foli edhe për dëmet që sipas tij po u sjell fermerëve aplikimi i TVSH-së.
“Për të marrë 10% të vlerës, një bujk apo blegtor duhet ta çojë qumështin veç te fabrika, askund tjetër pa TVSH. Fabrika duhet të lëshojë faturë edhe nën presion të blegtorit. Lëshimi i faturës do të nxirrte në pah evazionin e frikshëm”, tha Braçe duke thënë se importi për vitin 2025 arriti në 7.9 milionë litra.
“Fabrika është me fitim qoftë kur merr qumësht në import, qoftë brenda vendit”, tha Braçe, duke evidentuar dy probleme të tjera:
“Prodhimi vendas po zëvendësohet nga importi dhe gjysma e importit është qumësht i pasterizuar që nuk bëhet djathë, kos e gjizë. Me çfarë po prodhohet djathi, kosi, gjiza në këtë vend? Certifikatat që dorëzohen në doganë janë ulëritëse. Në to nuk thuhet asgjë. Është një certifikatë e thatë që thotë është konform rregullave të OECD”, tha deputeti.
Për këtë, ministri Salla tha se importi s’duhet të kthehet në sistem deformimi për tregun e brendshëm.
“Importi nuk mund dhe nuk duhet të kthehet në sistem deformimi të tregut të brendshëm, aq më pak në presionin e drejpërdrejtë mbi fermerët. S’mund të kemi zhvillim të sektorit të qumështit pa kontroll funksional, me analiza të cilësisë dhe ruajtjes së zinxhirit të ftohtë, dokumentim të sasisë dhe marrëdhënie më të qartë mes fermerit e grumbulluesit. Çmimi duhet të lidhet me parametra të matshëm, etiketimin, cilësinë, përmbajtjen, higjienën dhe sasinë. Më shumë kontroll, më shumë formalizim, standard, mbështetje për prodhimin vendas”, u shpreh ministri.
Braçe përmbylli duke theksuar sërish se skema e TVSH nuk është favorizuese, ndërsa theksoi dëmin prej heqjes së naftës falas në moment krize.
“Skema e tatimit mbi vlerën e shtuar nuk e favorizon. Kompanitë do t’i drejtohen importit për të marrë qumësht që nuk i jep kokëçarje. Pse nuk favorizoni prodhimin, por favorizoni kokët e lopëve? Jepi lekë për litër. E dyta, ajo skemë ka hequr naftën që ishte falas, në një moment krize, unë jam ai që ka thënë po, duhet të ndryshojë skema e naftës, por jo kur janë çmimet sipër”, tha Braçe.
Komente










