Prokuroria e Matit ka mbyllur dosjen për një tjetër skemë piramidale. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar 15 vjet burg për Flamur Shahinin, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit.

Nga hetimi ka rezultuar se ai u ka marrë para nëpërmjet mashtrimit 8 personave, shuma e të cilave arrin në rrethj 25 milione lekë të reja. I pandehuri u premtonte se paratë që u merrte borxh do t’ua rikthente me interes më të lartë se sa ato të bankave.

Flamur Shahini, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, është kallëzuar nga 8 persona, por ndërkohë që gjatë gjykimit ka rezultuar se ai ka mashtruar rreth 100 persona, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë bërë kallëzim dhe nuk është përcaktuar shifra e parave që u ka marrë atyre personave.

Shahini ka marrë kredi në shumën 10 milionë lekë të reja në shoqëri financiare para dy vitesh, të cilës nuk i ka likujduar asnjë këst. Pas mashtrimit të personave të ndryshëm, i pandehuri është larguar nga Shqipëria.

Ai është arrestuar në Gjermani për llogari të hetimeve nga Prokuroria e Matit dhe është ekstradruar, duke vijuar gjykimin nën masën e sigurisë “arrest në burg”.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)