Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e sotme për media, sulmoi drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i emëruar sot me propozim të ministrit të Mbrojtjes Besfort Lamallari dhe me vendim të qeverisë.

Berisha paralajmëroi se do të publikonte historikun e Skënder Hitës në Polici ndërsa e etiketoi si “Skënder Balluku” sapo iu tha nga gazetarët se emërimin e fundit e kishte në Fier.

“Skënder Hita, emër problematik dhe shumë shpejt me të gjitha arkivin e qytetarit dixhital do të paraqitem para jush. Ku punonte për herë të fundit? Në Fier? Skënder Balluku u emërua. Ky është një pion i Lubisë si Kakaraçi e stër Kakaraçi. Është thënë 1 muaj para që Lubia ka përcaktuar drejtor policie drejtorin e Fierit.”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha vijoji me sulmet ndaj qeverisë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kryetari i PD thotë se Edi Rama ia ka mbyllur Shqipërisë dyert e BE edhe njëherë tjetër me moslejimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.

“Raporti IBAR, apo raporti mbi vlerësimin e përkohshëm të standardeve, në të cilin vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, në sistemin gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në dy kapitujt më themelorë të procesit të integrimit, kapitujt 23 dhe 24, në rastin e Shqipërisë, mbeti në klasë. Pra, shqiptarët ta kenë të qartë se Edi Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij duke bllokuar me parlament arrestimin e Lubi Ballukut, bllokoi de facto procesin e integrimit në BE. Janë disa vende, jo një vend, që kundërshtojnë në mënyrë të prerë pas vendimit të Edi Ramës për të asgjësuar sistemin e drejtësisë. Të marrim përpjekjet e Edi Ramës për të hequr dorë dhe për t’u anëtarësuar si vend anëtar i dorës së dytë jo me të drejta të plota në BE”, tha Berisha.