TIRANË- Emërimi nga qeveria në krye të Policisë së Shtetit, e gjen Skënder Hitën në detyrën e drejtorit të Policisë së Fierit. Zyrtarizimi i tij në drejtimin e bluve pritet të bëhet të martën përmes një ceremonie publike. Vetëm 46 vjeç, Skënder Hita iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars. Emri i tij u përzgjodh nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se ky vendim është i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.

“Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve. Drejtimi i Policisë kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”, shkroi ministri Lamallari. 

Konkursi u çel pas largimit të Ilir Prodës në fund të shkurtit, për shkak të sulmit me molotovë të protestuesve të Sali Berishës që rrezikuan jetën e artistëve të huaj brenda “Vilës 31” të ish-diktatorit Enver Hoxha. Kështu, Proda, i cili e mori gjithashtu në moshë të re drejtimin e policisë, 41 vjeç, e mbylli mandatin në 1 vit e 4 muaj. Efekte proda protesta

Skënder Hita mori zyrtarisht gradën “drejtues madhor” dhe pritet të udhëheqë blutë në një mandat 5-vjeçar.

46-vjeç, me origjinë nga Tepelena, Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit.

Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Në të njëjtin qark më herët shërbeu edhe si zv/drejtor për krimet, në qytetin historikisht problematik për rendin dhe sigurinë. Nga aty u transferua drejtor në Dibër për disa kohë dhe më pas në krye të policisë së Durrësit. Aty spikati për zbardhjen e disa ngjarjeve të rëndësishme kriminale. Ndër to zbërthimi i vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi SPAK-un të hedhë dritë mbi disa ngjarje kriminale në qytetin bregdetar, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.  Roli i tij drejtues ndihmoi edhe në zbardhjen e 2 ngjarjeve makabre në Shënavlash, ku fëmijët Meta vranë e fshehën trupin e babait, dhe pak më vonë, zbulimin e një djali vrasës që hodhi në pus trupin e të atit. 

Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi, por që vitin që lamë pas e mbylli me vetëm 2 vrasje, krim në familje.

Skënder Hita konkurroi për postin e kryepolicit përballë emrave të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, mes tyre Tonin Vocaj, figurë me karrierë të gjatë dhe me integritet, apo Lorenc Panganika, po ashtu drejtues në disa qarqe në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Skënder Hita drejtori i ri i Policisë së Shtetit/ Berisha: Emër problematik, e ka caktuar Balluku! Do dal publikisht me informacione për të

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e sotme për media, sulmoi drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i emëruar sot me propozim të ministrit të Mbrojtjes Besfort Lamallari dhe me vendim të qeverisë.

Berisha paralajmëroi se do të publikonte historikun e Skënder Hitës në Polici ndërsa e etiketoi si “Skënder Balluku” sapo iu tha nga gazetarët se emërimin e fundit e kishte në Fier.

“Skënder Hita, emër problematik dhe shumë shpejt me të gjitha arkivin e qytetarit dixhital do të paraqitem para jush. Ku punonte për herë të fundit? Në Fier? Skënder Balluku u emërua. Ky është një pion i Lubisë si Kakaraçi e stër Kakaraçi. Është thënë 1 muaj para që Lubia ka përcaktuar drejtor policie drejtorin e Fierit.”, tha Berisha.

Ora 11:59
PROFIL/ Kush është Skënder Hita, drejtori i ri i Policisë së Shtetit! Në 5 vite, drejtoi qarqet më të rëndësishme të vendit

Drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e bluve. Karriera e tij është ndërtuar në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, si dhe në struktura kyçe që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik. Gjatë viteve, Hita ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në zona me sfida të theksuara për sigurinë, mes tyre edhe në Shkodër. Përvoja në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor i hetimit të krimit, konsiderohet një nga etapat më të rëndësishme në formimin e profilit të tij profesional. Shkodra ka qenë historikisht një zonë problematike për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe atyre hetimore.

Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në Durrës, një nga qarqet më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe fluksit të madh të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Drejtimi i policisë në këtë zonë kërkon përvojë të gjerë në menaxhimin e operacioneve kundër kriminalitetit dhe koordinimin e strukturave në terren. Gjatë kësaj periudhe janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një ndër rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi në hedhjen dritë mbi disa ngjarje kriminale në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.

Në profilin e tij profesional bie në sy edhe fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Hitës nuk është përfolur për lidhje me krimin apo grupe kriminale. Ai nuk është përmendur në asnjë rast në kontekst të kultivimit të lëndëve narkotike apo aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke ruajtur një profil të pastër dhe një reputacion të qëndrueshëm profesional. Së fundmi, prej rreth 1 viti e gjysmë më drejtimin e Policisë së Fierit, qarku ka njohur nivele të uljes së kriminalitetit.