Është thënë e stërthënë gjatë fushatës së fundit elektorale, se pala fituese e zgjedhjeve do t’i linte humbësit në një batak krize e dilemash që do të ishin të vështira për t’u zgjidhur. Nëse humbte Rama, çështja e pasardhësit, por edhe menaxhimi i një rrëshqitjeje në opozitë pas tetë vitesh qeverisjeje, do të ishin patate të nxehta në duart e socialistëve. Nëse humbnin Basha e Kryemadhi skenari do të ishte edhe më i rëndë, pasi opozita do të arshivonte disfatën fatale të tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare.
Ndodhi skenari i dytë. I cili duket se po paraqitet edhe më i rëndë e kompleks sesa ishte parashikuar. Shpallja e Berishës non grata, kërcënimi me largim i Ilir Metës nga Kuvendi, e mbi të gjitha reagimi i tyre në javët që po pasojnë, e kanë bërë papritur edhe më të errët panoramën opozitare. Askush nuk kishte menduar brenda PD për shembull, se në këto ditë të nxehta pas 25 prillit, demokratëve do t’ju duhet të mbrojnë jo vetëm rizgjedhjen e një kryetari që nuk fiton dot përballë Ramës, por edhe që do t’u duhet të luftojnë edhe për të mbajtur mbi shpinë betejën donkishoteske të Sali Berishës me Amerikën.
Ndërsa Lulzim Basha përpiqet t’iu mbushë mendjen audiencave të mërzitura të militantëve për vjedhjen masive të zgjedhjeve, teksa Monika Kryemadhi është larguar në drejtim të paditur dhe Petrit Vasili i shkruan statuset në Facebook sikur i kanë vënë pistolenën në kokë, shefat e vërtetë të opozitës, Sali Berisha e Ilir Meta nuk kanë humbur fare kohë që ta bëjnë edhe më të zezë gjendjen gri të partive të tyre.
Tashmë kemi dy deklarata publike si nga presidenti, ashtu dhe nga ish-kryeministri, për planet e tyre për rikthimin në krye të partive që themeluan. Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, Ilir Meta njoftoi se në korrikun e vitit të ardhshëm (nëse nuk shkarkohet brenda kësaj vere), do të kthehet në LSI. Më saktë, në krye të LSI.
Kurse Berisha, i cili vetëm pak ditë më parë deklaronte se nuk ka asnjë interes për garën për kryetarin që po zhvillohet në PD, papritmas deklaroi të enjten në darkë se nuk përjashton asnjë opsion për të ardhmen e tij në politikë: as rikthimin në krye të partisë!
Një skenar të tillë të zi zor se do ta kishte parashikuar edhe Nostradamusi në kuatrinat e tij profetike. Sali Berisha në krye të PD dhe Ilir Meta në krye të LSI! Një shirit politik i kthyer me dhunë pas, një format antihistorik lidershipi në formën më të kulluar, një provë flagrante materiale e mosndryshimit dhe riciklimit të së keqes në skenën politike shqiptare.
Teksa në debatin tonë mediatik e publik gëlon prej vitesh diskutimi rreth formës, përmasave dhe ritmeve që duhet të ketë pastrimi i elitave, rotacioni i tyre dhe përgjithësisht largimi i të vjetrës për t’i bërë vend të resë, dy politikanët më të vjetër, të cilëve po ju shqyhet xhaketa nga dekoratat e llamarinat që i kanë vënë vetes në gjoks, papritur po i thonë shqiptarëve se mund të rikthehen që të dy kapur për dore, në krye të opozitës shqiptare.
Të biem dakord, në LSI s’ka garë. Ajo parti është ndërtuar për të qenë pronë e një njeriu. E ky është një hall i madh, në kushtet kur vetë “njeriu” i ka kryer kilometrat e tij, porsi ajo makina e vjetër që ankon nga gomat, gominat dhe motori. Meta e ka rrugën të shtruar në parti, por nuk është ky problemi. Petrit Vasili do e votojë Ilir Metën deri në fund të ditëve, por a e votojnë më atë shqiptarët?! Kjo është sfida.
Në PD gjendja është pak më ndryshe, megjithëse në thelb hija e Berishës mbi demokratët është thuajse po e rëndë sa e Metës në LSI. Imagjinoni katër kandidatët që garojnë të dielën, sesi janë ndjerë kur kanë dëgjuar Berishën të thotë se kërkon të përfitojë nga të gjitha “të drejtat e tij kushtetuese”!
Është lehtësisht e supozueshme se Sali Berisha po shton presionin mbi Bashën dhe partinë për mbështetje, në kushtet e luftës me amerikanët, më shumë sesa po lajmëron një rikthim të vërtetë në krye të PD. Por kjo ka pak rëndësi, sepse edhe sikur të bëhej thjeshtë fjalë për një ndihmë më të madhe nga partia në sfidën me SHBA, sërish fatura politike e Partisë Demokratike do të ishte mjaft e kripur.
Berisha dhe Meta po japin sinjale të qarta se nuk kanë ndërmend t’jua zgjidhin duart partive që themeluan, nga e shkuara e tyre dhe nga fati i tyre personal. Një dekadë e gjysëm pasi Fatos Nano ka hedhur realisht hapin e largimit dhe ndarjes nga PS, Berisha dhe Meta ngurrojnë ta bëjnë këtë me PD dhe LSI në vitin 2021. Rotacioni i pambyllur duket se po shkatërron jo vetëm karrierat e Bashës e Kryemadhit, por po e bën edhe më aktual e të nevojshëm presionin ndërkombëtar për largimin e elitës së vjetër nga skena.