Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike

Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike

Foto nga trafiku për shkak të protestës

Edhe një herë më tepër pati më shumë reporterë, kameramanë e policë sesa protestues. Edhe një herë më tepër acaroi pafund disa dhjetra mijë njerëz të zakonshëm që kthehen nga punët e u detyruan të presin në mes të shiut brenda makinave në radhët kilometrike, ashtu siç pengoi të sëmurë, burra e gra që të shkojnë nëpër spitale – të gjithë të bllokuar në rrebesh e furtunë sepse Sali Berisha ka urdhëruar që duhet vuajtur për shkakun e tij edhe një ditë para Krishtlindjeve. Kemi inat qeverinë, po inatin do ta nxjerrim tek ju, megjithëse shumë prej jush mund të jenë edhe votuesit tanë!

Absurdi i bllokimit të rrugëve është ulur edhe një herë këmbëkryq në hartën e Shqipërisë. Këtë herë ishte Tirana epiqendra e një veprimi në thelb antiligjor, i cili në fakt nuk arrin dot prej muajsh të shkaktojë një krizë politike, por ama ka shkaktuar tashmë disa herë kriza trafiku nëpër rrugë.

Nuk ka gjë më të thjeshtë se të bllokosh sot trafikun në Tiranë në mes të një dite të rënduar nga shiu. Trafiku është tashmë dekori i përditshëm i qytetit. Dhe kushdo që banon në kryeqytet e di se paraliza e trafikut është ndër gjërat më bezdisëse për një tiranas të sotëm.

Natyrisht që këtë e di fort mirë edhe opozita, e cila inatin me Edi Ramën ka vendosur t’ja nxjerrë në mënyrë të përsëritur dhjetra mijë drejtuesve të makinave që kthehen në shtëpi pas ditës së lodhshme të punës.

Është në stilin politik të Sali Berishës që të shpërfillë çdo përjetim dhe interes anësor, e të shohë vetëm drejt objektivit të tij politik. Kjo qasje e drejtpërdrejtë i ka dhënë shumë fitore politike në 34 vitet e fundit. Por ajo që shkon dhe që duheet në 1995, 2005 apo 2009, nuk është e thënë të jetë e përshtatshme edhe në fund të vitit 2024. Vetëbesimi i verbër i Berishës tek intuita e tij personale, përzier me pozitën e vështirë politike e penale ku ndodhet, bëjnë që ai të tërheqë në mes të shiut dhe të humbjeve elektorale një parti të madhe që dikur ka qeverisur Shqipërinë.

I vetëm, i rrethuar nga parti të reja që duan vota e pushtet, i goditur nga armiq personalë dikur miq e aleatë dhe i mbetur pa patericën e tij kryesore – Partinë e Lirisë, Sali Berisha po shetit rrugët e vendit me vetëdijen e plotë se kjo do të jetë një tjetër humbje e radhës në zgjedhjet e ardhshme. Megjithëse e sheh shkëmbin t’i afrohet përballë, refuzon të heqë këmbën nga pedali i gazit. Një vetëvrasje e paralajmëruar.

Partisë Demokratike (jo Berishës) do t’i duhej shumë më tepër sot, sesa disa bllokime rrugës që acarojnë nervat e shoferëve, për t’u rikthyer në pushtet. Do t’i duhej më së pari një kryetar që të mos ketë halle personale me vendet më të mëdha të botës dhe me drejtësinë e vendit të tij. Do t’i nevojitej si oksigjeni një aleat si Ilir Meta, i cili me divorcin me Kryemadhin i ka vënë praktikisht minat të gjithë projektit politik që dikur njihej si partia që vendoste fitimtarin në zgjedhje. Berishës do t’i duhej një hapje si ajo e vitit 2005 kur realisht PD arriti të bëhet shtëpia e të gjithë atyre që donin rrëzimin e socialistëve nga pushteti. Realiteti flet ndryshe. Një grusht partish të reja reklamojnë sot një fetë të konsiderueshme të elektoratit opozitar. Megjithëse kjo mund të rezultojë fatale në 11 maj, Berisha vijon të mos shohë, të mos dëgjojë dhe të bëjë sikur nuk arrin të kuptojë. Fragmentimi i opozitës prodhon disfatë në zgjedhje.

Në fakt Berisha kujton se po jeton një replikë të vitit 2005, një fitore si ajo e atij e atij viti, vetëm për faktin se ja ka dalë të anullojë masën e sigurisë në një hetim që ende pret të gjykohet. E ndërkohë që ai e ka të lejuar të jetojë në universin e tij paralel pasi është e vetmja zgjidhje që i mbetet, disa dhjetra deputetë e zyrtarë të lartë të partisë po e çojnë PD drejt fatit të përbashkët me Berishën. Kanë vendosur të sakrifikojnë gjithçka pas qerres së Doktorit.

Partia më e madhe e opozitës po shkon në zgjedhjet e ardhshme duke vënë bast gjithçka ka tek nostalgjia dhe fetishi politik i Sali Berishës. Një bast i rrezikshëm, një garë e pamundur me kohën, pesimizmin e shqiptarëve dhe gjykatat. Nuk ngre peshë në këtë vrapim me pengesa as bllokimi i rrugëve, as shpërfillja e opozitës tjetër, as mallkimet për Dumanin dhe as lufta groteske për shpëtimin e platformës kineze Tik-Tok, të cilën po mendon ta mbyllë gjysma e botës. Kështu siç e shohim në këtë ditë me shi dhe erë, kjo sjellje e PD është një krizë trafiku e Tik-Toku, jo një krizë politike!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë