Skënder Minxhozi: Kur shembet godina, të gjallët zakonisht vuajnë mes rrënojave!

Skënder Minxhozi: Kur shembet godina, të gjallët zakonisht vuajnë mes rrënojave!

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Dje mund të ketë qenë një ditë fatale për Partinë Demokratike. Mund të ketë qenë dita kur dy fraksionet e krijuara në muajt e fundit, hodhën një hap vendimtar drejt ndarjes de facto të partisë në dy pjesë. Logjika e dy kongreseve çon drejt ndarjes pa kthim, pasi vendimet që ato pritet të marrin prodhojnë një situatë të tillë.

Tashmë retorika e egër mes Bashës dhe Berishës, e shoqëruar me akuzat e ndërsjellta të përkrahësve të tyre, kanë krijuar një hendek të thellë, i cili duket se u bë i pariparueshëm me vendimin e kreut të PD për të mbajtur një kongres alternativ ndaj atij të 11 dhjetorit të shpallur nga Sali Berisha.

Lufta e firmave merr një formë të re, më komplekse dhe më të skajshme, pas votimit të kryesisë së PD për të thirrur një kongres në 18 dhjetor, një javë pas fraksionistëve. Nga rreth 7000 delegatë që ka në letër Kuvendi, një shifër qesharake që s’ka sallë të zerë brenda, Basha dhe Berisha do të përpiqen të tërheqin sa më shumë firma në kongresin e tyre. Një tërheqje litari e paimagjinueshme vetëm pak javë më parë, një thyerje që ka të gjitha gjasat të krijojë në fundin e këtij viti, dy parti politike, në vend të një sigle që deri më sot i ka mbajtur bashkë.

Mbajtja e dy kongreseve shënon aktin final të ndarjes mes bashistëve dhe berishistëve në PD. Është një hap që duket se s’ka kthim pas, një hedhje dorashke që çon vetëm në duel, e jo në marrëveshje.

Ka vend të reflektohet në këtë orë të errët për Partinë Demokratike, rreth papërgjegjshmërisë, instiktit të vetëshkatërrimit dhe mazokizmit politik që ka udhëhequr pas shtatorit Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Asnjë përçapje për dialog, kompromis apo marrëveshje çfarëdo. Javë të tëra luftë verbale, kërcënime, deklarata ultimative. Një konflikt që po çon jo vetëm drejt ndarjes përfundimtare mes dy njerëzve që deri dje përbetoheshin për dashuri të përjetshme mes tyre, po që po shkatërron në mënyrë të pakthyeshme Partinë Demokratike, ashtu siç e kemi njohur 30 vitet e fundit.

Fantazma e ndarjes shoqëron këto orë të dramën politike që po luhet në PD. Vendimi i Bashës për një kongres alternativ, që dikush e quajti jo pa të drejtë “antimiting”, përbën farën e një ndarjeje pa kthim të dy kampeve në parti. Forca politike që për tre dekada dogji me zjarr çdo zë kundër, që përjashtoi kryetarë e nëkryetarë partie, themelues e deputetë, ministra e ofiqarë të të gjitha rangjeve, sot e gjen veten në një rrugë pa kthim ku e ka futur shpërfillja totale e dy burrave që kanë vendosur të lajnë një herë e mirë hesapet mes tyre.

Dekori i kësaj beteje “deri në pikën e fundit të gjakut” është më qesharaku i imagjinueshëm. Basha dhe Berisha po luftojnë për të marrë për kongresin respektiv, sa më shumë nga votat e 7000 delegatëve që ka sot në letër PD. Vetë shifra është groteske dhe krejt joserioze. Një vështrim i shpejtë në internet të thotë se psh Partia komuniste e Kinës me 1,5 miliard banorë, ka një kongres prej 2980 delegatësh, kurse Konventa Republikane që zgjodhi Donald Trump kandidat presidencial kishte 1500 delegatë.

Gjigandomania e Lulzim Bashës, me qëllimin tinzar për të filtruar në Kuvend njerëzit e tij, ka prodhuar sot një gjueti qesharake firmash nga të dy palët. Pylli i emrave të zyrtarëve lokalë, të cilët as Basha e as Berisha me siguri që nuk i njohin, është sot sheshbeteja e bërrylave që po konsumon indin e partisë, ADN-në e saj, që po përçan edhe katet e poshtme të ngrehinës, duke armiqësuar pa kthim disa mijëra demokratë që kanë bërë opozitën së bashku prej kohësh që s’mbahen mend.

Dy kongrese janë baraz me dy parti! Ky është parashikimi më i lehtë që mund të bëhet sot, është konkluzioni më logjik dhe më i thjeshtë që mund të nxirret nga tuneli pa dritë në fund ku kanë hyrë taboret e Berishës dhe Bashës. Dhe në këtë kontekst tragjik për një parti të vjetër si PD, fatet personale të dy kalorësve janë vetëm relativisht të rëndësishme. Sepse kur shembet godina, të gjallët zakonisht vuajnë mes rrënojave…

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë