Skënder Minxhozi: Macron, fitorja e thartë e Ballkanit Perëndimor

Skënder Minxhozi: Macron, fitorja e thartë e Ballkanit Perëndimor

Emanuel Macron

Një fotografi gjigande me fytyrën e buzëqeshur të Manuel Macron zuri fasadën kryesore të Kryeministrisë në Tiranë të dielën në mbrëmje. Pas daljes së rezultatit të turit të dytë në Francë, kryeministri Rama shpejtoi të përshëndesë, së bashku me një dyzinë liderësh botërorë, fitoren e presidentit aktual francez. E mundura e zakonshme ishte Marine Le Pen, politikania e ekstremit të djathtë që ka koleksionuar në karrierën e saj të deritanishme tetë dështime elektorale. Vetëm Lulzim Basha mund t’i afrohet, do të thoshte një demokrat i Foltores.

Entuziazmi i politikës evropiane për fitoren e Macron ka arsye dhe shkaqe të ndryshme. Kancelari Scholz bashkë me liderët e tjerë brenda Unionit, marrin frymë lirisht për vijimësinë e projektit evropian në një kohë të turbullt për kontinentin. Të tjerë në Evropë dhe SHBA e shohin prezencën e Macron në këtë fazë të krizës ukrainase, si një shmangie të rrezikut të ardhjes në pushtet të Le Pen, e cila veç të tjerash njihet edhe si simpatizante e hershme e Vladimir Putin dhe mund t’i jepte politikës së sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë një rrjedhë krejt të ndryshme.

Në këtë cep të kontinentit, në Ballkanin Perëndimor, gëzohen se humbja e një figure euroskeptike dhe armike e procesit të zgjerimit të BE-së si Marine Le Pen, mban të gjalla shpresat se procesit i afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE do të vijojë.

Pikërisht këtu qëndron shpresa, por edhe problemi i maskuar pas kësaj aspirate të hershme të popujve ballkanikë. Natyrisht që me Le Pen politika evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor kishte të gjitha gjasat që të pësonte një frenim të fortë, edhe më të keq se frenimi i deritanishëm. Le Pen s’ka përtuar të merret me shqiptarët dhe përgjithësisht me muslimanët gjatë karrierës së vet politike, aq sa në llogaritë e saj të rrjeteve sociale është postuar edhe Sheshi Skënderbej në një ditë faljeje të besimtarëve myslimanë, shoqëruar me komentet “pikante” të zonjës në fjalë.

Pasi ka mbyllur edhe një herë kapitullin Le Pen, Franca e bashkë me të edhe Evropa e Bashkuar do të vijojnë t’i hedhin sytë me përtesë mbi dosjen ballkanike të zgjerimit. E këtu qëndron problemi real që ne kemi me klubin e pasur evropian. Macron përfaqëson sot një figurë politike shumë të paqëndrueshme ndaj procesit të zgjerimit. Është politikani më tipik që mishëron lodhjen, pasivitetin dhe hipokrizinë evropiane ndaj afrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Është Macron ai që ka propozuar e lobuar një mijë truke të reja në vitet e fundit për modalitetet e afrimit të vendeve ballkanike në BE, nga procedura të reja të negociimit e deri tek BE-ja e disa shpejtësive. Është i njëjti Manuel Macron i cili, me zgjedhjet  presidenciale në horizont, injektoi në tryezën evropiane gjatë vitit të fundit një dozë të tillë negativiteti, aq sa “infektoi” edhe Holandën e Danimarkën në një moment të caktuar. Presidenti francez ka qenë epiqendra e problemit që ka Ballkani Perëndimor me Brukselin. Një qendër evropiane, ku institucionet më të larta të BE, përjashtuar Këshillin, kanë vite që lobojnë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë.

Kjo e fundit e sheh veten jashtë procesit të negociatave megjithëse ndryshoi emrin, përzuri politikanët e akuzuar për lidhje me Moskën dhe kreu një numër reformash në drejtim të zbatimit të parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. E megjithatë sërish mbeti jashte dere, duke marrë gjatë rrugës edhe shuplakën bullgare. Në kushte të ngjashme, plot zigzake e premtime të pambajtura, ka ecur edhe procedura e Shqipërisë.

Në të gjitha këto peripeci të cilat e largojnë edhe më tej frymën e hapjes dhe zgjerimit të Samitit të Selanikut të vitit 2003 (plot 19 vjet nga ai moment), dora e Manuel Macron ka qenë e kudondodhur. Një prezencë negative karshi ballkanasve, nisur nga kalkulime të brendshme që merrnin parasysh rregullisht “rrezikun Le Pen”, por më në përgjithësi edhe ftohjen e publikut francez ndaj zgjerimit të BE.

Qëndrimi në zyrë i presidentit francez dhe fitorja e pritshme e lëvizjes së tij politike edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit, shpresohet ta mbyllë më në fund sezonin e llogarive politike meskine të Macron në kurriz të hapjes dhe zgjerimit të BE-së. Një proces i cili me fjalë është bërë shumë popullor këto javë të luftës në Ukrainë, por që me vepra ende nuk po shihet në horizont. Edhe për shkak të qëndrimit të thartë të “Monsieur le President”!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes