Skënder Minxhozi: Protesta që sfidon gravitetin dhe kohën

Skënder Minxhozi: Protesta që sfidon gravitetin dhe kohën

Sali Berisha

Ju kishte marrë malli për oktavët e zërit të Sali Berishës në një miting?! Dita erdhi, ora e politikës u kthye mbrapsht me të paktën një dekadë dhe sërish do të dëgjojmë zërin që ka shoqëruar shumë prej tridhjetëvjeçarëve të sotëm, që nga fëmijëria e tyre e hershme, teksa frikësosheshin me “atë burrin që bërtet në televizor”. Doktori do të kthehet në habitatin e tij, majë podiumit të një mitingu, duke bërtitur e kërcënuar si të ishte viti 1996, e jo viti 2022. E nëse ai bën atë që di të bëjë më mirë, pra të mbjellë tension e të krijojë përçarje në mjedisin shqiptar, të tjerë pas tij e kanë ndarë mendjen të hedhin mënjanë frikën nga Amerika, për t’ju bashkuar karros më të vjetër që njeh politika shqiptare pas vitit ’90: qerres së Sali Berishës!

Protesta e të enjtes në mbrëmje ka brenda të gjitha kundër-indikacionet e imagjinueshme. Zhvillohet në mesin e një klime verore torturuese për këdo që jeton në një qytet mbytës si Tirana, ajo mbahet në momentin kur një pjesë e popullit ka veshur kostumin e plazhit diku në bregdetin shqiptar apo edhe jashtë vendit, protesta sfidon me tonet e saj kërcënuese mijëra turistë që kanë ardhur për të parë një vend të panjohur, e që papritur zbulojnë se këtu ka zhurmë partish edhe kur s’ka fushata elektorale. Protesta sfidon gjithashtu me disa ditë distancë edhe festën e pavarësisë së SHBA, si për të provuar se halli personal i bariut të turmës së protestuesve me amerikanët është aty, mes mijërave që do të mbushin sheshin. Kjo protestë sfidon më në fund logjikën e thjeshtë të numrave dhe moshës biologjike të një politikani normal, i cili e nis dhe e mbaron karrierën jo si një sfidë ndaj të gjitha ligjeve të fizikës, gravitetit dhe kohës që kërrusin shpinën e turbullojnë trurin, e as si një garë me pengesa pa fund dhe pa krye, por si një profesion me term, që nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Të gjitha këto koordinata nuk vlejnë më për Sali Berishën e tretë. Aq e vërtetë është kjo sa ai vetë e ka pranuar më shumë se një herë, në formën e një sinqeriteti-bumerang, se nuk kishte ndërmend të merrej më me politikë aktive, nëse SHBA nuk do ta shpallnin non grata. Me fjalë të tjera, nuk jam për këtë punë, por këta më shkundën me zor nga pensioni e më futën në ring.

PD e Berishës (pasi ajo tjetra është thjesht një konvencion juridik tashmë) zyrtarizon të enjten në darkë lindjen e një projekti-njeri, të një formati-person, që nuk pyet për logjikën dhe taktikën, as për të ardhmen ose të shkuarën, por vetëm për të tashmen. Të tashmen e një njeriu, që tashmë ka normalizuar të qenit ‘non grata’ brenda partisë, duke ja arritur të mpakë grupin e deputetëve rebelë, duke kapur degët e partisë, e duke grupuar rreth vetes të gjithë korpusin e medias opozitare. Të gjithë këta faktorë bashkë, as që duan t’ja dinë se kjo që po ndodh është anti-historike, e as që duke vepruar kështu Partia Demokratike largon rotacionin aq të nevojshëm në kokën e saj. Duke ju dhënë pa mend dhe pa kushte emocionit dhe “nostalgjisë mashtruese” siç thotë Al Bano në nga këngët e tij, përkrahësit e militantët e orës së fundit, inatçinjtë e të gjitha ngjyrave dhe luftëtarët e paepur të rrjeteve sociale që shajnë nga mëngjesi në mbrëmje, do të sfidojnë të enjten hallin tetëvjeçar të liderit anemik që iku, duke u ngjitur pas një halli të ri disamujor të liderit historik që po vjen. Me këtë protestë merr udhë opozita e tipit të ri, që për paradoks në krye ka liderin e tipit të vjetër. Kundërvënie më të madhe se kjo s’ka, por në PD dhe rreth saj tani vetëm duan të dëgjojnë zërin e Doktorit në podium. Ju mjafton kaq, të tjerat janë “detaje”.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sot një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë serbe, testohen dronë kamikazë! I pranishëm Vuçiç dhe komandanti i KFOR

Sot një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë serbe, testohen dronë kamikazë! I pranishëm Vuçiç dhe komandanti i KFOR