Skënder Minxhozi: Viti 2005 kokëposhtë

Skënder Minxhozi: Viti 2005 kokëposhtë

Sali Berisha

Ka një ndërmarrje të suksesshme elektorale në politikën shqiptare në këto 34 vite, të cilën edhe kundërshtarët nuk kanë arritur dot ta hedhin poshtë. Në harkun e një viti para zgjedhjeve të 2005, PD dhe Sali Berisha arritën që t’i japin formë një rikthimi të bujshëm në piedestalin e pushtetit, duke u ricikluar tërësisht nga hija e errët e vitit 1997, kur Berisha tregohej me gisht për gjëmën e fajdeve dhe mizoritë që pasuan, kur lëvizte vetëm i shoqëruar me eskortë në qytetet kryesore dhe ishte praktikisht i bojkotuar nga të gjitha shtetet kryesore partnere.

Berisha ndërtoi një skemë zgjedhore që parashihte nxjerrjen e një brezi të rinjsh në radhën e parë të karrigeve të opozitës, një truk i suksesshëm ky që i dha një imazh të ri një politikani thellësisht problematik, që në fakt meritonte skualifikim dhe dalje nga politika, e jo rikthim në postin e kryeministrit.

Por Berisha bëri edhe më shumë se kaq. Pas Bashës e të tjerëve “mustaqe pa dirsur”, ai riktheu në PD edhe ata që kishte rrahur rrugëve, që kishte përzënë brutalisht nga partia apo që kishte akuzuar në mënyrë monstruoze. Kjo qe mrekullia elektorale që e risolli në pushtet njeriun që, pas tragjedisë së vitit ’97, në një republikë normale s’duhej të ishte lejuar të aplikonte as për postin e drejtorit të ujësjellësit në një qytet provincial. Berisha bëri asokohe gjithçka (s)po bën sot dhe u zgjodh kryeministër.

Ajo që ndodhi në 2005 është parë shpesh brenda PD si një hipotekë e përjetshme dhe e rinovueshme suksesi elektoral, e cila mund të përdorej si kartë magjike nën mëngë sa herë që PD të ndodhej keq. Mjaftojnë 12 vjetët e fundit për të kuptuar sesa unikale dhe e papërsëritshme ka qenë ringritja e vitit 2005. Uji nuk rrjedh kurrë nën të njëjtat ura thotë proverbi.

Sot PD e Doktorit s’ka asnjë trajtë sado të përafërt me partinë që rimori pushtetin 20 vjet më parë. Përtej faktit që në krye është sërish Berisha, gjithçka tjetër duket e kthyer kokëposhtë në partinë dikur të madhe demokratike. Djathtas dhe në qendër një grup kërcënues partish të reja kanë ngritur krye duke kërkuar vota e duke reklamuar mandate të cilat shfaqen aktualisht në të gjitha sondazhet e opinionit publik. Fama e përbashkuesit të madh s’po punon më për Berishën.

Në anën tjetër, aleatë të vjetër si Shehi e Duka ndjehen të lirë të thonë se duhet një kurs i ri politik duke nënkuptuar largimin e Berishës ndërkohë që Alibeaj, Kulluri dhe një pjesë zyrtarësh dikur pranë Lulzim Bashës premtojnë bejejë të ashpër për votat në disa qarqe. Edhe një aleat historik si Mediu vijon të endet gjyqeve, ndërsa çamët kanë kohë që janë rreshtuar me Ramën. I mbetet vetëm besnikëria sterile e Vangjel Dules.

Berisha e di se nuk i binden më jashtë kornizës së vogël të partisë së tij të shkërmoqur nga sherret dhe koha. Prandaj edhe s’ka bërë asnjë demarsh serioz për të ndërtuar një koalicion me opozitën tjetër, çka do të ishte edhe një lloj riciklimi pas emrave të rinj që kanë dalë në skenë. Partitë e reja me makinë llogaritëse në dorë, e shohin prezencën e tij si një mundësi për të marrë ca vota më shumë djathtas dhe në qendër, miqtë e vjetër e kanë kuptuar se me të nuk shkohet larg dhe ai vetë e di këtë më mirë se të gjithë këta të marrë së bashku. Nuk do të garojë për t’u rikthyer në pushtet, po për të mbajtur atë që ka: partinë që ja rrëmbeu Bashës me gjyq.

Si të mos mjaftonte kjo, Berisha e sheh veten të mbetur vetëm para këtyre zgjedhjeve, edhe me shkrirjen de facto të asaj që dikur njihej si partia që bënte shumicën e pushtetit. Partia e Lirisë sot s’ka as kryetarin që ndodhet në burg, as çiftin historik që e themeloi dhe i dha kuota shifrore shumë serioze në të shkuarën. Një parti me të paktën 100 mijë vota elektorale në dy zgjedhjet e fundit, sot ndodhet praktikisht përballë asgjesimit, e kjo është një rrethanë e kobshme për PD e Berishës pasi është i vetmi aleat formal që i ka mbetur.

Kjo nebulozë stemash politike opozitare, dikur pjesë thelbësore e mrekullisë elektorale të vitit 2005, sot duket e hallakatur, jashtë kontrollit dhe në një masë të mirë edhe konkurente e kundërshtare për PD. Djajtë kanë dalë nga shishja dhe s’ka zot t’i mbledhë më nën autoritetin dhe hijen e Doktorit. Ajo që dikur konsiderohej historike, pra rikthimi, sot tingëllon po kaq imperative dhe e pakthyeshme në sensin e kundërt: pra, largimi! Berisha ka vendosur të jetojë gjatë në politikën shqiptare dhe ky vendim ka pasoja. Kush jeton gjatë sheh e jeton edhe gjëra që s’do të donte t’i shihte e jetonte.

Ky nuk është vetëm një problem aleancash të pamundura. Vetë PD përfundoi aty ku pritej. Tamam si një skenën e dhunshme të 8 janarit, kur Berisha sulmoi selinë e partisë me besnikët e vet të armatosur me hunj e gurë. Doktori premtoi kolegjialitet në parti dhe ndërtoi pushtetin absolut – të vetmen gjë që di të bëjë, premtoi primare dhe sot me to tallet edhe roja i selisë, premtoi të hapte partinë dhe mbeti i rrethuar prej një grushti mbështetësish fanatikë, premtoi të lejonte zërat ndryshe dhe kontrollon deri edhe listën e atyre që pranojnë të kërcejnë me këngët e tij në mbrëmjen e vitit të ri.

Njëzet vjet më parë Sali Berisha ishte i akuzuar por jo i hetuar. Sepse njëzet vjet më parë nuk kishte askush guximin që të hetonte ose të insistonte që të hetohej ish-presidenti i vitit ’97. Sot e shohim në moshë të thyer dhe duke u paraqitur në dyert e drejtësisë, aty ku refuzoi me kokëfortësi të shkojë për dekada të tëra për të dëshmuar, madje edhe pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Një ndryshim thelbësor me dy dekada më parë, ka sjellë demistifikimin dhe rënien e paprekshmërisë së figurës më dominuese politike të 30 viteve të fundit. Tani Doktorit i vijnë akuza nga të gjitha krahët, i hetohen pronat e fëmijëve, i është rihapur Gërdeci dhe 21 janari. Një tokë e përvëluar që po merr energjitë jo vetëm të familjes Berisha, por të gjithë PD së vendosur në dispozicion të axhendës së tij penale. Partia dhe kryetari janë ngujuar kështu në një dikotomi fatale që po e merr teposhtë godinën megjithë sa janë brenda. Është një 2005 e kthyer kokëposhtë!

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Fluturimet direkte me Izraelin, Rama: Lajm fantastik për forcimin e marrëdhënieve! Hap mundësi për shkëmbime kulturore, turizëm dhe biznes

Fluturimet direkte me Izraelin, Rama: Lajm fantastik për forcimin e marrëdhënieve! Hap mundësi për shkëmbime kulturore, turizëm dhe biznes