"Skënderbeu" i rrallë
ekspozohet në Budapest

ekspozohet në Budapest">
TIRANE - Albanologjia kohëve të fundit është në qendër të vëmendjes së shumë studiuesve, katedrave e universiteteve të fushave të ndryshme në Europë e botë. Vërehet një interesim i rritur veçanërisht i historianëve dhe specialistëve të fushave përkatëse me theks të veçantë për mesjetën, për të ndriçuar sa më shumë aspektet të kësaj periudhe “të errët” të historisë sonë kombëtare.

Në këtë kuadër duhet shikuar edhe takimin që u mbajt në Bibliotekën Univesitare të Budapestit pranë “Eötvös Loránd University” (ELTE) ku u paraqiten me leksionet e tyre drejtori i kësaj bibiloteke porf. dr. László Szögi, Dr. György Réti dhe ambasadorja e Shqipërisë në Budapest, ekselenca e saj Mira Hoxha.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Shqipërisë zonja Mira Hoxha, konsuli i nderit i Shqipërisë zoti Avni Hafuzi, drejtuesja e katedrës së Albanologjisë në Budpaest prof. dr. Etleva, akademik, studiues e të interesuar të tjerë.

Janë të njohur albanologët hungarezë dhe kontributi i tyre shumë i çmuar për albanologjinë në përgjithësi dhe historinë e etnografinë në veçanti. Një pjesë e mirë e këtyre studimeve edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara.

Një kontribut të veçantë pritet të jap si vazhdimësi e albanologjisë hungareze edhe Katedra e Albanologjisë pranë Universitetit Shtetëror të ELTE-s me profilet e saj të specializua për studimet albanologjike, duke u bërë kështu njëra prej qendrave më të rëndësishme të këtyre studimeve në Europë.

Lidhjet shqiptaro-hungareze kanë një histori mjaft interesante gjatë mesjetës. Ato nuk ishin lidhje të thjeshta të çastit, por lidhje të menduara mirë dhe që pritej të jepnin fryte për politikën e mbretërve hungarezë.

Këto lidhje ishin mjaft të konsoliduara në shek. XIV, saqë mund të bëhet fjalë, për të ashtuquajturën “Politikë shqiptare të mbretërve hungareze,” duke e barazuar kështu strukturën e interesave të mbretërve hungarezë, të paktën në përkufizim, me “Politikën italiane të mbretërve gjermanë” që kishte filluar me Karlin e Madh.

Megjithëse politika shqiptare e mbretërve hungarezë nuk pati rezultatet që pati politika italiane e mbretërve gjermanë, dhe nuk arriti të ketë fryte të drejtpërdrejta në historinë e Shqipërisë, rëndësia e saj është e madhe dhe vlen të studiohet, sepse ndihmon për të kuptuar vendin që zinin tokat shqiptare në politikën e shteteve perëndimore të asaj kohe.

Përsa u përket burimeve dokumentare dhe veprave të botuara qofshin ato inkunabula, libra antikuar apo literaturë tjetër, që kanë të bëjnë me Shqipërinë, të cilat ruhen në arkivat dhe bibliotekat Hungarisë, disponojnë fakte që zbulojnë jo vetëm politikën shqiptare të mbretërve hungarezë por edhe lidhjet fetare, ekonomike, tregtare, ushtarake e politike që ekzistonin midis Shqipërisë dhe Hungarisë që nga shek. XII e në vijim.

Një nga ato që quhen “thesare” me vlera të veçanta e që ruhet në Bibliotekën Universitare të Budapesit është edhe vepra e Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis.

Kjo vepër është shumë e veçantë për të cilën foli porf. dr. László Szögi, sepse është vepra e vetme e njohur deri me sot që ka të shënuar vitin e botimit, 1493 dhe atë në dy vende në portretin e Skenderbeut dhe në kolofon (faqen e fundit).

Vepra ende nuk është studiuar me themel, ende nuk janë bërë studime specialistike tha prof. Szögi duke pohuar se ishte i hapur për të gjithë të interesuarit që t’u vinte në dispozicion këtë vepër, për të ndriçuar historinë e saj, është origjinale apo falsifikat.

Nëse është origjinale, kjo vepër atëherë shumë gjëra në lidhje me botimet për epokën e Skenderbeut do të marrin një kahje tjetër e nëse nuk është e tillë, por falsifikat, atëherë të shikohet se kush e falsifikoi, pse, në çfarë kohë dhe cili ishte interesimi i atij që ndërmori këtë veprim.

Për herët të parë për këtë vepër dhe vitin e saj të botimit kanë shkruar: Jovan S. Popović. Život i viteža kneza Epirskoga Đorđa Kastriota Skenderbega. Budim, 1828, f. V; V. Franknói, A Hunyadiak es a Jagellok kora (1440-1526).

Budapest, 1896, f. 667 dhe Francisc Pall, “Marino Barlezio: uno storico umanista.” Në: Melanges d’Histoire Generale. Cluj, 1938, v. II, f. 135-315 dhe M. Ahmeti-E. Lala, Skenderbeu i Barletit. Një ekzemlar i panjohur i vitit 1493 zbulohet në Budapest.

Në Milosao, Tiranë, 10 maj 2009, f. 1-7. Pastaj të pranishmit kishin mundësi të shikonin këtë vepër dhe të shfletoni atë, pasiqë ishte ekspozuar në sallë për t’u shikuar nga afër.


Trajtimet shkencore, të paanshme, të thelluara në studime dhe të mbështetura fort në burime e dokumente arkivore janë të mirseradhura si kontribute e ndihmesa për studimet e mëtejshme në rishikimin e historisë sonë kombëtare.

Nuk është vetëm vepra e Marin Barletit, Histori e Skenderbeut që duhet studiuar në të gjitha aspektet e saja,si filigranes, cilësia e letrës, inicialet, llojet e shkronjave etj, por edhe vepra të tjera që ruhen në Budapest, theksoj prof. Szögi i cili shfaqi publikisht një interesim të tij dhe institucionit që ai drejton për një bashkëpunim të ngushtë me Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Arkivin Qendror Shtetëror.

Ndërsa në leksionin e tij Dr. György Réti ish diplomat hungarez në Shqipëri bëri një retrospektivë të ngjarjeve dhe datave më kryesore të historisë sonë kombëtare me një theks të veçantë të raporteve hungarezo-shqiptare.

Takimet e tilla mendojmë se janë kontribute të çmuara të cilat japin shtysa të reja për studiues të merren me studime albanologjike të shëndosha të cilat kanë mbështetje të Katedrës së Albanologjisë në Budapest, ambasadës së Shqipërisë dhe vetë shtetit shqiptar, duke hedhur një hap konkret drejt një cilësie më të lartë të këtyre studimeve dhe duke lënë anash studimet tendencioze amatoreske të disa të vetëquajturve albanologë që më së paku kanë të bëjnë me albanologjinë, sepse ata drejtojnë katedra të sllavistikës, romanistikës, rusistikës, etj., që nuk kanë asgjë të përbashkët me albanologjinë si një disiplinë e veçantë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve