Në një intervistë shumë ndryshe përballë Ilnisa Agollit në podcastin e saj Flet, që transmetohet në Top Channel dhe Top Albania Radio, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi u pyet për shtetin Bektashi dhe nëse mbi këtë ide, e cila ka mbi 1 vit që është propozuar prej Kryeministrit Rama, ka progres apo është arkivuar.

Baba Mondi me qetësi u shpreh se çdo gjë që niset nuk mund të arkivohet. Ai theksoi rëndësinë që Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me seli në Tiranë nuk mundet të operojë si një OJF, por i duhet një status i veçantë diplomatik në mënyrë që të përgjigjet për besimtarët e saj përballë çdo shteti.

“Ne kemi 30 vjet që kërkojmë një status diplomatik të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Nuk mund të jetë një qendër botërore OJF. Ne kërkojmë këtë status. Shteti Shqiptar ka menduar ta bëj shtet, a do ta bëjë mini-shtet, a do ta bëjë Urdhër, atë do ta vendosë shteti. Kur të vendosi shteti, ne do të hyjmë ndërkombtarisht që të na njohin dhe shtetet e tjera si Kryegjyshatë Botërore Bektashiane. Duke patur një shtet, do të përballemi dhe me shtete ku janë bektashinjtë dhe nuk i kanë të drejtat” – tha Baba Mondi.

Kur u pyet nëse a i vlen shqiptarëve ndarja e këtij komuniteti në krijimin e nje shteti tërësisht të pavarur, Kryegjyshi Bektashi bëri një paralelizëm me modelin e Vatikanit. “Ç’humbet Italia nga Vatikani?” – tha ai, duke vënë theksin që një model i tillë jo vetëm funksionon, po shton një proces harmonik midis shtetit dhe besimit. Gjithashtu Baba Mondi rikujtoi sakrificat që kanë bërë bektashinjtë për Shqipërinë, duke mos e ndarë asnjëherë identitetin e tyre fetar nga ai kombëtar.

“Ne shqiptarë jemi, ça do i bëjmë Shqipërisë? A kemi dhënë? A jemi masakruar për Shqipërinë? Skënderbeu, bektashi ka qenë, që i mblodhi. Kush e ka bërë përveç Skënderbeut? Asnjë. Ishte atje… ishte bektashi! Babain e Bektashinjve e ka djegur të gjallë sulltani, se i tha, ti ke të drejtë ta sjellësh Skënderbeun këtu prapë. Dhe ai ka vajtur të luftojë për kombin e vetë” – shtoi Baba Mondi në Flet përballë Ilnisa Agollit./TopChannel