Klubi i Skënderbeut po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së tij. Sikur të mos mjaftonte dënimi në Europë me 10 vite apo gjoba prej 1 milion euro e vendosur nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, heqja e titullit kampion të vitit 2016, një dënim tjetër vjen nga Komisioni i Antidopingut në UEFA.
Mbrojtësi kosovar i ekipit korçar, Bajram Jashanica, është dënuar me dy vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike, përfshi këtu edhe ndeshjet me pëfaqësuesen e Kosovës, pjesë e së cilës është që prej dy vitesh. Vendimi është marrë prej kohësh, por në klub nuk kanë dashur ta publikojnë, duke pritur zhvillimet e mëtejshme.
Bëhet fjalë për një dënim për përdorim të substancave të ndaluara. Ndërkohë, Skënderbeu ka përgatitur apelimin e këtij vendimi, duke u mbështetur në dy pika kryesore. Fillimisht është kërkuar rigjykim, duke u bazuar te testi B i antidopingut dhe më pas hapi i dytë është kërkesa për të riparë dënimin e dhënë për lojtarin.
Përdorimi i medikamentit predisolut ka ardhur në mënyrë emergjente, si pasojë e një alergjie akute që kërcënonte ndjeshëm gjendjen shëndetësore të lojtarit para ndeshjes kundër Yong Boys vitin e kaluar në Europa League. Pak a shumë kjo kërkesë bazohet edhe te precedenti i futbollistit francez Nasri, i cili thuajse në një rast të ngjashëm, u dënua vetëm gjashtë muaj pezullim.
Komento