Skenografia në stilin “Molier”
që foli në gjuhën shqipe...

Skenografia në stilin “Molier”<br />që foli në gjuhën shqipe...
Pjetër Deda është skenografi i parë i teatrit “Migjeni”. Ishte i ati i aktorit të humorit shkodran dhe shqiptar Zef Deda, Artist i Merituar. Pjetri, bash në fillimet e punës së tij skenografike dhe pikturale, bash në hovin e lulëzimit të artit të tij, pas një sëmundjeje, asokohe thonin e çuditshme dhe e mistershme, ndërron jetë në moshën 36-vjeçare.

Pjetri ka pasur dajëAt Benardin Palaj, një klerik i njohur, veçanërisht  në gjithë Veriun, për aktivitetin e tij si grumbullues e studiues i folklorit dhe etnografisë së këtyre trevave sa të magjishme aq dhe përrallore. Studimet e tij të vyera i botoi në Itali.  Si njeri që sistemi i atëhershëm e kishte “halë në sy” Palaj arrestohet, torturohet tmerrësisht dhe nën ferrin e torturave të regjimit, vdes në vitin 1947. Po ç’ndodhi me familjen e nipit të tij, Pjetër Deda? Vërshojnë retë e zeza egërshane. Bubullima e vetëtima komuniste. Pa asnjë fjalë e motiv, nxirren nga shtëpia ku jetonin në Fushë-Firej dhe dërgohen për të jetuar në një kasolle. (Në Shkodër kësaj tip kasolleje i thonë: jerevi.) Ndonëse Pjetri punonte ende, skenograf  në teatër; ditët e tij ishin të frikësuara. I dridhej këmisha në shtat. Netët që vinin ishin edhe më të frikshme. Pjetri, ende, punonte me ca miq, që më parë i kishte bashkuar puna dhe jeta në shoqëritë kulturore. E, ia vlen t’i kujtojmë, si: Çesk Vuksani, Sabah Prizreni, Lec Prendi, etj.
          
Por Pjetri i kishte, tashmë, ditët e numëruara në teatër. Edhe pse jetonin në kushte shumë të vështira në at’ jerevi migjeniane, ku ‘miu thyente kokën për një dramcë buke’ largohet (e largojnë) nga teatri dhe nis punën në Shtëpinë e Kulturës.

Tani, për Pjetrin, ditët janë më të heshtura. Pothuajse pa fjalë. Të mërzitshme. Si gjethe vjeshte. Pjetri sëmuret dhe pas tre muajsh lëngimi, ndërron jetë... Ndërron jetë skenografi i pjesëve teatrore, si: “Zani i Amerikës” (së bashku me Lec Fishtën), “Nën okupacion” (dramaturg: Xhemal Broja, regjisor: Andrea Skanjeti), “Pëmbysja” (dramaturg: Boris Lavranjev, regjisor: A. Skanjeti), etj; për të arritur në kulmin dhe pjekurin e tij artistike me pjesën gjurmëlënëse në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, “Kopraci” (së bashku me Çesk Vuksanin)ku dritësoi interpretimi i aktorit Zef Jubani, Artist i Popullit.

[gallery]20582[/gallery]        
Në një intervistë të bërë pak kohë më parë me aktorin Zef Deda, Artist i Merituar; pasi e urova për sihariqin dhe akordimin e pensionit special, i bëra, më pas, dhe këtë pyetje: A ka “tragjizëm” fëmijëria e Zef Dedës?

Zefi, pasi bëri paksa humor, u përgjigj kështu: *Më lejoni t’ju paraqitem: Kam lindur më 27 korrik 1950 në lagjen Fushë-Firej, në Shkodër. Jam i biri i Pjetër Dedës. Për babën do të flas më vonë. E ka radhën gjyshi, Dedoka.

Dedoka ka pasur nje kafe në Gjuhadol. Ka qenë i njohur për kafenë që ka bërë. Në atë kafe mblidheshin, përveç klientëve të tjerë, edhe një grup që ishin të përditshëm e që në gene u vërshonte gjak artisti. Bënin humor, sepse edhe vetë Dedoka bënte humor, sepse nga natyra ishte i këndshëm dhe i binte dhe klarinetës.

Në Shkodër ka qenë zakon, dhe ky zakon nuk është shuar edhe sot. Të pyesin: “I kujt je? Po emri i gjyshit?” Dhe unë Zefi, njashtu si Zefi, krenohesha me Dedokën dhe me babën tim, Pjetrin.

Tani për babën Pjetër. Ishte artist. Skenografi i parë i teatrit “Migjeni”. Bënte edhe portrete, por nuk përjashtohen edhe pejsazhet. Me siguri, dhe nuk gaboj po të them se, shumë shtëpi shkodrane kanë kujtime nga peneli i babës tim. Eh, sa kujtime!.. E pamundur të numërohen…

Isha 7 vjeç, kur më vdiq baba, Pjetri. Derdha lotë për të. Të gjithë e donin. Çuditërisht nuk kuptoja një gjë: çfarë kishte ndodhur në familjen tonë, të varfër ekonomikisht, tamam si në poemat migjeniane!?

Por kishte njerëz që me buzëqeshjet, dashamirësinë e tyre, mundoheshin të më “zbusnin” varfërinë. E këta ishin artistët që e kishin respektuar babën tim, si: Zef Jubani, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Hasan Smaja, Tano Banushi, etj. Nisën të më aktivizojnë...
 
Sipas rrëfimit të Artistit të Popullit Lec Shllaku, regjisor teatri:
 
a.Mjeshtri i vizatimit...
 
Pjetër Deda ishte skenografi i parë i teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Ishte mjeshtër i vizatimit, pra, i karbonit dhe i lapsit.
           
Vërtet, aktori Zef Jubani ka interpretuar Harpagonin, dhe mbeti për të një rol klasik, i paarritshëm në galerinë e tij të personazheve, por të mos harrojmë se dekori ishte i punuar nga artisti Pjetër Deda. S’mund ta kuptosh komedinë e “Kopracit” të Molierit, pa skenografinë e Pjetër Dedës. Ishte e lidhur shumë me idenë dhe zbërthyer atë në stilin “Molier” të veprës.

Fillesat e skenografisë së Pjetrit përkojnë me vizatimet e para që i bënte që kur ishte rojtar i kohës me orë e, që i binte ziles në shkollën fillore të Fretënve. Në kohët e lira, portjeri, ndoshta i çuditshëm, vizatonte dhe vizatimet e tij “stolisnin” muret e asaj dhome të vogël. Ishte djalë i ri atëhere portjeri!.. Aty, në ato vizatimet e thjeshta, më shumë me laps se sa me akuarele, nisën “shenjat” e talentit të tij dhe bulëzimet e ëndrrave, që në të shumtën e rasteve mbeten ëndrra, siç thoshte Migjeni, një artist i madh i qytetit të tij.
 
 b.Në dyqanin e Dedokës...
 
 Përveç shkollës ku ishte rojtar, “atelieja” e dytë e Pjetrit ishte dyqani i Dedokës (i ati i Pjetrit). Kështu quhej, kështu thirrej. Një dyqan i jashtëzakonshëm dhe përjashtues për kohën!

E, këtu, ky djalë, gjithmonë i përvuajtur dhe i heshtur, rrinte pas çarranikut të vogël e vizatonte mbi bllok. Po kë vizatonte? Te Dedoka hynin të gjithë njerëzit e komedisë shkodrane, ata për të cilët  shoqëria i shikonte si njerëz, të cilët të bëjnë të qeshin, që ishin të veçuar, që njiheshin me emër.
Hynin te Dedoka. E, ky, Pjetri rrinte i fshehur dhe i vizatonte me dashuri. Vite me vonë. Në jetën e Pjetrit do të ndodhte dhe kjo ngjarje që do të linte shenjë në jetën e tij.

Mjeshtri italian i retusheve Kolura bashkë me piktorin shkodran Leon Kabashi i diplomuar në Siena, mes shumë piktorëve shkodranë, zgjodhën Pjetër Dedën për të shkuar së toku për të pikturuar lterin e Shnandout që do të transferohej nga e djathta e kishës Françeskane, në krahun e majtë.
 
c.Portreti i Fishtës
 “Ndoshta nuk e dini, po, Pjetër Deda ka qenë ai që e ka shoqëruar Fishtën në spital, në ditët e orët e fundit të jetës së tij. (Falë ndërmjetësisë që i bëri daja i tij, Benardin Palaj, njëri nga kodifikuesit e legjendave të kreshnikëve të Veriut, Pjetri punoi te Fishta, se edhe vetë Fishta ishte edhe piktor.)
                       
Në momentin që ka vdekur Fishta, daja i vet, Benardini i ka thënë: “Shiko Pjetër, ne po shkojmë me marrë teshat në Kuvend, me e veshë për me e ekspozue në kishë, ti, me përjashtim të doktor Basrisë (Bekteshi) e të motër Virxhinës, asnjeri të mos hyjë brenda. Mbylle derën. Kemi frikë se do të vërshojnë njerëzit dhe do të na prishin planet.” Pjetri merr karrigen e shkon e ulet afër të vdekunit, siç e kishte lanë deka në ato momente. Pasi ka nxjerrë laps e letër, nis e vizaton Fishtën, që në ato momente ishte ala i vokët.
           
Ma vonë, këtë portret Pjetri ma ka dorëzue mue. Më thotë: “Lec, unë po shkoj në spital. Nuk e di, a kthehem apo nuk kthehem, se unë jam smutë randë. Të lus shumë, ma ruej se lagështina që më ka hy në shpi, më ka shkatërrue tanë punimet që kam ba gjatë këtyne katër vjetëve. Të lutem shumë, ma ruej si sytë e ballit, si gjanë ma të shtrejtë, se asht i vetmi ushtar që ka mbetë nga e gjithë kompania e atyne ushtarëve të mi.” Unë e kam mbi krye portretin e Fishtës. Kuvendoj pa ja da me të.
Ky asht artisti Pjetër Deda.”

3.Në gjurmët e shkrimit të gazetares Anila Dushi
 
Gazetarja nga Shkodra, në një shkrim të saj botuar në gazetën “Shekulli” dt. 06.02.2006, në mes të tjerave shkruan: “Pak kush e di , se fotoja tepër e njohur e poetit Ndre Mjeda, nuk është foto, por një vizatim me laps i bërë duke vëzhguar fotografinë e tij . Autori i saj është piktori skenograf  Pjetër Deda, i cili e kishte njohur personalisht Ndre Mjedën. Në vitet 1947- 1948, iu kërkua që ta vizatonte Ndre Mjedën, pasi rilindasi kishte fotografi ku kishte dalë vetëm i veshur me rrobën fetare të priftit katolik dhe në kokë kishte kapelen e kësaj rrobe. Duke qenë se Mjeda do studiohej në shkolla si poet rilindas, duhej një foto e tij, por pa kapelen e rrobës fetare. Kjo u realizua nga Pjetër Deda , piktori shkodran, i cili ishte një mjeshtër i portretit, por që u la në heshtje e harresë që nga dita që vdiq.

Pjetër Deda, kishte lindur në Shkodër në një familje me njerëz të arsimuar, ku babai i tij i binte klarinetës, ndërsa daja i tij ishte kleriku i njohur e, më pas i vdekur në torturat e komunizmit, At Bernardin Palaj.

Pjetër Deda, i rritur jetim, shkollohet në Gjimnazin e jezuitëve në Shkodër dhe, para përfundimit të luftës së dytë botërore, por dhe pas saj, aktivizohet si piktor skenograf në Shoqëritë kulturore të Françeskanëve apo “Bogdani”, të cilat zhvillonin mjaft aktivitete kulturore në Shkodër. Me krijimin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Pjetër Deda nis punën si skenograf e piktor pranë tij.” 
 
Shkodër, janar, 2017

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre