"Dashuri e gdhendur në shkëmb", vërtetë ka një histori të marrëdhënies suaj me shkrimtarin Bilal Xhaferri?
-Historia e këtij romani lidhet me takimin e parë dhe të vetëm që kam pasur me Bilal Xhaferrin në vitin 1967. Nuk e kisha takuar ndonjëherë. Isha me Fatos Arapin dhe ndërsa ai po vinte drejt nesh, Fatosi ma prezanton: "Ky është Bilal Xhaferri". "Ooh", hidhem unë entuziast, sepse e admiroja prej shkrimeve të tij. Ishte i pamshëm, por me një çehre të bardhë, i fikur në fytyrë, i dobësuar. Nuk prita dhe i thashë se ti ke shkruar një shkrim interesant, ndërsa i sugjerova se do të ishte akoma më e bukur të zgjerohej si roman. Ai i mirëpriti këto sugjerime, por nuk di nëse e shkroi si roman, sepse biblioteka e tij në Çikago u dogj. Nuk ka mbetur asgjë.
Ju mendoni se Bilal Xhaferri mund ta ketë shkruar edhe si roman?
-S'ka të thëna, sepse biblioteka iu dogj. Ndaj unë mendova që mbi motivet e atij romani, për ta përjetësuar Bilal Xhaferrin, të shkruaj "Dashuri e gdhendur në shkëmb". Romani është i lëvruar me frymën e Bilal Xhaferrit. Rrjedha e ngjarjeve vazhdon në stilin dhe në mendësitë e tij. Novela "Tej largësive" gjendet e përfshirë në veprën "Tokë e re njerëz të lashtë", botuar në vitin 1968 dhe është një nga tregimet më të mira të këtij vëllimi.
Për të bërë veprën, çfarë iu frymëzoi konkretisht?
-Më frymëzuan karakteri, mjediset, lufta e prijësit të Ilirisë Batos kundër pushtimit romak. Por mbi të gjitha këto vëreja një stil të njëjtë.
Por, duke e ditur se kur shkruat librin Bilali nuk ishte gjallë, nuk patët merak se do të mendohej ky veprim si kopjim stili?
-Jo është gjë tjetër. Vepra ime ka në themele fabulën e veprës së Bilal Xhaferrit si një gjetje artistike. Më parë këtë mendim unë ia kam shprehur kritikut të njohur Bashkim Kyçyku. Ai u tregua entuziast për linjat, personazhet dhe ngjarjet që do të shtroja në variantin e ri. Më vonë mora dhe pëlqimim e motrës së Bilalit, zonjës Anika Myrto.
Pas kaq vitesh, si e sillni ndër mend Bilal Xhaferrin?
-Për mua Bilali kishte një horizont të gjerë kulturor, të cilin e pasyqonte në poezitë e tij dhe në shkrimet e tjera. U rrit në ambjent të ndrydhur, e mposhti lufta e klasave. Babai i tij ishte pushkatuar dhe ai e vuajti këtë luftë e klasash, deri në atë masë sa ia ndërprenë të drejtën e botimit. Më erdhi një mesazh gjatë mungesës, se ky njeri duhej të kishte një vazhdimësi në krijimtari dhe u binda se kjo vazhdimësi do të vinte pas vdekjes së tij në shpirtin e një tjetri. E ndjeva kështu dhe m'u dha mua ta konceptoja të tillë këtë vepër.
A nuk duket sikur ju keni provuar të keni një lloj telepatie apo mishërimi shpirtëror?
-Pikërisht, kjo ka qenë. Por kjo ka qenë edhe drojtja ime derisa e nxora librin në dritë. Ata që e kanë lexuar e kanë pëlqyer. U them se bazament është vepra e Bilal Xhaferrit, frymëzimi është prej tij.
Dhe ju keni kërkuar të behet skenar filmi, duke propozuar edhe edhe me një kërkesë në Hollivud. Pse mendon se Hollivudi do të kishte interes për historinë Ilire?
-Gërshetohen motivet dhe detajet me historinë e Romës dhe Ilirisë dhe mendoj se ka intrigë të mjaftueshme për një film.
Më thatë se janë djegur librat e Bilal Xhaferit, keni ndonjë informacion sesi ka ndodhur kjo?
-Jo të plotë, di vetëm se çdo gjë që ka shkruar i është djegur. Nuk di kush e ka bërë këtë, Sigurimi i Shtetit apo ka qenë vdekje natyrale. Që i është djegur çdo gjë e mësova nga biseda me Bashkim Kyçykun. Bilali bibliotekën e ka pasur në shtëpi dhe s'ka asnjë dokument tjetër që të provojë se ky njeri e ka vazhduar krijimtarinë. Ka ndonjë subjekt skenari, por me përjashtim të publicistikës së tij që është botuar te "Krahu i Shqiponjës" nuk dihet më çfarë i është botuar.
Në cilat vite bëhet fjalë se ka ndodhur kjo djegie?
-Në vitet 1987 ose 1988 kur ai u vra ose vdiq...
Kur u vra ose vdiq, thatë....?!
-Nuk dihet akoma. Versioni zyrtar është që vdiq, por unë për fat të keq nuk kam mundur të gjej fakte të tjera, por Bashkim Kyçyku ka bërë disa kërkime që mbeten të vetmet të dhëna mbi krijimtarinë e Bilal Xhaferrit.
(dhh/im/shqiptarja.com)