Ndërsa shumë futbollistë ankohen për vapën dhe kushtet e vështira të lojës në Brazil, krahasuar me çfarë u duhet të kalojnë disa futbollistë në Skoci, ajo është si një shëtitje në park. Në Blairmore të Skocisë luhet loja më e ndotur e futbollit që keni parë ndonjëherë dhe ç’është më e rëndësishme, ka dhe një kampionat për këtë që quhet Kupa e Botës së Futbollit në Llucë.

Lojtarëve u duhet guxim i fortë, kordinim, vendosmëri dhe sigurisht një shampo e mirë për larje pas lojës, e cila krahasuar me një lojë normale futbolli të zakonshme është një tmerr i vërtetë. Duhet pothuajse një ditë për përgatitjen e fushës, të cilës pasi i hiqet bari dhe gërmohet me traktor në një thellësi nga 16-20 cm, i shtohet shumë ujë dhe pas pak orësh është gati.

Rregullat e lojës janë gjithashtu paksa ndryshe ku lojëtarët e kanë të ndaluar të ndërrojnë këpucët gjatë lojës, si dhe goditjet nga këndi, penalltitë dhe rivëniet anësore bëhen me gjuajtje të lirë. Organizuesi i aktivitetit tregon se është një lojë shumë e vështirë për t’u luajtur dhe se kërkon durim dhe forcë për ta përfunduar.

Ky sport po bëhet një fenomen i praktikueshëm në të gjithë botën pasi prej kohësh zhvillohen turne të futbollit në baltë edhe në Brazil, Hollandë, Kinë e këtë vit dhe në Indi.
Kushtet perfekte të diellit e favorizuan akoma më tepër zhvillimin e kampionatit i cili mirëpriti 16 skuadra gjatë turneut, në një fundjavë plot me njerëz që sfidojnë rëndesën e baltës në rrobat e tyre dhe bëjnë çdo hap me vështirësi të madhe.

Kampionati është i hapur për çdo person mbi moshën 17 vjeçare dhe pranon skuadra femrash dhe meshkujsh, ashtu si dhe mikse.

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)