550 aplikantë për kursin e patrullës së përgjithshme kaluan me sukses testin fizik, ndërsa 181 të tjerë u skualifikuan. Pjesa më e madhe e skualifikimeve nuk plotësuan kriterin e gjatësisë, ndërsa 68 nuk arritën të kalojnë pragun e pikëve. Fazat e radhës janë intervista me gojë dhe testi psikologjik, për 500 vende vakante.
Këta të rinj, vajza dhe djem, janë të apasionuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Por, për të arritur deri në një emërim të mundshëm duhet të kalojnë në disa faza testuese, që fillimisht të nisin kursin për patrullë të përgjithshme pranë Akademisë së Sigurisë.
Për këtë vit janë 500 kuota të hapura, ndërsa të hënën u mbyll faza e testit fizik. Jo të gjithë mundën të kalojnë nga kjo fazë, për shkak të vështirësisë dhe nevojës për përgatitje më të mirë fizike.
Pas përfundimit të testit me shkrim, ishin 731 konkurentë që në ambientet e repartit RENEA iu nënshtruan testit fizik. Vetëm 550 prej tyre mund të kalojnë në fazën tjetër dhe 181 të tjerë u skualifikuan.
Për të konsideruar kalueshmërinë në këtë fazë duhet që aplikanti të marrë minimalisht 70 pikë, ndërsa pjesa më e madhe e skualifikimeve, 80 prej tyre ishin për shkak të mosplotësimit të kriterit të gjatësisë, 170 cm për djemtë dhe 160 cm për vajzat.
31 të tjerë munguan në testin fizik, çfarë përkthehet me skualifikim dhe 68 nuk arritën të kalojnë pragun e 70 pikëve. Sërish hendeku mes gjinive vijon të mbetet i madh, vetëm 57 vajza të kualifikuara kundrejtë 493 djemve.
Për t’u pranuar zyrtarisht në Akademinë e Sigurisë aplikanti duhet të kalojë edhe disa faza të tjera. Të radhës janë intervista me gojë dhe testi psikologjik.
Deri në përfundim parashikohen skualifikime të tjera pasi jo të gjithë 550 aplikantët mund të kalojnë me sukses të gjitha fazat. Studentët e rinj të Akademisë së Sigurisë, pas përfundimit të kursit dhe arritjes deri në emërim, detyrim kanë edhe testin e drogës.
Po testin e droges e kaluan se mos dalin pozitiv dhe thoni qe pijne ilace
Përgjigju