Fatos Çoçoli: Skudi energjitik 2023

Fatos Çoçoli: Skudi energjitik 2023

Foto ilustruese

Gjatë vitit 2022, Buxheti i Shtetit ka dhënë 500 milionë euro më shumë për të blerë energjinë e shtrenjtë të importit, ose 71 euro në muaj për familje. Ose mbi 8 mijë lekë në muaj.

Në vitin 2018, vendi ynë kishte ndër çmimet e energjise elektrike më të larta në Evropë. Çmimi mesatar vjetor në Bursën e Budapestit(bursa ndërkombëtare e referencës për ne) luhatej në 46-68 euro për megavat-orë(MWh), ndërsa ne, me çmimin 9.5 lekë për kilovat-orë(KWh) për qytetarët dhe biznesin e vogël, e kishim 79 euro/MWh dhe, së bashku me TVSH-në, 94 euro/MWh. Çmimi më i lartë ishte vënë, për të përballuar dhe financuar reformat në sistem, si vendosjen e matësve inteligjentë, investimet në transformatorë, në modernizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, etj. Me tërmetin shkatërrimtar të 26 nëndorit 2019 dhe më pas, me pandeminë nga Covid-19 gjatë vitit 2020, këto reforma ngecën në cektinë, ngaqë munguan fondet në Buxhetin e Shtetit.

Mbrojtja e hekurt nga tetori 2021

Në muajin shtator 2021, çmimi në bursën e energjisë elektrike në Budapest(si dhe në të gjitha bursat e tjera ndërkombëtare) u dyfishua me shpejtësi, nga 76 euro/MWh në 158 euro. Shkaku ishte i trefishtë: shtimi i kërkesës për energji nga vendet që dilnin nga dara e Covid-10, një sezon i ngrohtë i paparë 2020-2021 dhe me thatësirën e tejzgjatur, kushte të pafavorshme të motit për të prodhuar energji të rinovueshme nga uji. Dhjetë ditët e fundit të shtatorit ishin gati dramatike, pse panë një rritje rekord të çmimit te energjise elektrike në 223 euro/MWh, të parregjistruar kurrë më parë.

Ndërsa viti 2021 po projektohej i tëri shumë i thatë, më 3 tetor, vendi ynë shpalli emergjencën nga kriza energjitike. Vendimi, si një rrufe në qiell të pastër, u duk i nxituar apo gati një shou i kryeministrit, por gjendja ishte serioze. Kompanitë shtetërore të energjisë OST, OSHEE dhe KESH ndërprenë investimet kapitale dhe të gjitha fondet u përqëndruan në sigurimin e energjisë elektrike nga importi. Qeveria nisi të përgatitej për skenarë të ndryshëm të evoluimit të situatës.

Tabela 1. Skenarët e importit të energjisë

I. Skenari optimist
II. Skenari bazik
III. Skenari negativ
Bie shi dëndur që në tetor 2021. Importojmë 10-15% të energjisë. Buxheti i Shtetit paguan 120 milionë euro importe më shumë deri në mars 2022
Viti kthehet në vit normal, me shira të bollshëm në  nëntor-dhjetor 2022. Importojmë 18-28% të energjisë që na duhet.  Buxheti i Shtetit paguan 200 milionë euro importe më shumë deri në mars 2022
Vijon vit i thatë, pavarësisht shirave në mes të shtatorit. Shirat fillojnë në fund të nëntorit 2022, por nuk janë të bollshëm. Importojmë 30-40% të energjisë.  Buxheti i Shtetit paguan 340 milionë euro importe deri në mars 2022

Ndodhi skenari i dytë, skenari bazik. Për qytetarët, nga shtatori 2021, kur çmimi në tregjet ndërkombëtare praktikisht u dyfishua, nisi mbrojtja e hekurt nga ana e Buxhetit te Shtetit. Duke qenë se çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar, por ka mbetur po ai i mëparshmi, 9.5 lekë/KWh, kjo mbrojtje nuk ndihet dhe nuk duket. Por ajo është reale dhe e fortë.

Tabela 2. Çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare tetor 2021-dhjetor 2022

Nr.
Koha
Çmimi mesatar mujor
1
tetor 2021
248 euro/MWh
2
dhjetor 2021
336 euro/MWh
3
shkurt 2022
441 euro/MWh
4
gusht 2022
545 euro/MWh
1
tetor 2022
377 euro/MWh
2
dhjetor 2022
242 euro/MWh

500 milionë eurot e skudit energjitik 2022

Me afrimin e muajve të ftohtë të dimrit 2022, qeveria pa në shtator 2022 se viti shumë i thatë dhe çmimet mesatare të energjisë elektrike, që në tregjet ndërkombëtare kapnin edhe shifra 690 euro për megavat-orë, nuk do t’i mundësonin, sado para të harxhonte nga buxheti, sigurimin e të gjithë energjisë që vendi kishte nevojë për muajt e ftohtë. Dhe u detyrua të deklarojë vendosjen e fashës 800 kWh për muajt tetor-dhjetor 2022. Por çfarë ndodhi?

Në ditët e fundit të shtatorit, pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE) për të vendosur fashën e 800 kilovat-orëve(kWh), familjet tona nisën gati insiktivisht ta kursejnë energjinë, si një parapërgatitje për kursimin edhe më të madh gjatë muajve të fashës tetor-dhjetor 2022. Kështu, nisën të mos e shpërdorojnë më energjinë, me atë ritëm që ishin mësuar ta shpërdoronin(lënie llampash elektrike ndezur, kondicioner pafund, lavatriçe me një çerek kazani, etj.) deri atëhere. Sipas zvkryministres Belinda Balluku, kemi arritur të kursejmë si vend 20 përqind të energjisë në tetor 2022.

Kursimi i energjisë bëri që qeveria të deklarojë heqjen e fashës jo vetëm për tetorin, por më vonë, me ardhjen e shirave dhe menaxhimin e mirë të Kaskadës së Drinit, edhe për dy muajt e fundit të vitit 2022.

Nga tetori 2021, kohë kur nisi kriza e energjisë elektrike, çmimi në rajon(Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë) është rritur mesatarisht me 12-18%. Për të gjithë këta 15 muaj tetor 2021-dhjetor 2022, çmimi për familjarët nuk është rritur vetëm në Shqipëri.

Ndihma për 720 mijë familjet shqiptare dhe 98 mijë bizneset e vogla gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, kohë kur çmimi ndërkombëtar i energjisë u rrit me tre, katër deri pesë herë, në krahasim me çmimin normal që ka patur në periudhën maj 2020-shtator 2021, ka qenë 500 milionë euro. Gjatë vitit 2022,Buxheti i Shtetit ka dhënë 500 milionë euro më shumë për të blerë energjinë e shtrenjtë të importit, ose 71 euro në muaj për familje. Ose mbi 8 mijë lekë në muaj. 500 milionë euro do të harxhonim më shumë për faturën e energjisë elektrike këto 12 muaj, nëse qeveria nuk do të na mbronte.

Kjo ndihmë e ngjit Shqipërinë, nga një prej vendeve më çmimin më të lartë të energjisë në rajon në vitin 2018, në vendin e dytë për çmimin më të ulët në Evropë për banor, pra më të subvencionuar, pas Norvegjisë.

Ndihma nga taksa mbi energjinë

Sipas kryeministrit Rama, në prill do të nisin të shpërndahen fondet që do të grumbullohen nga taksa e jashtëzakonshme e përkohshme mbi prodhuesit e mëdhenj privatë të energjisë në Shqipëri. Kjo taksë ka hyrë në fuqi në 1 janar 2023 dhe në prill do të shpërndahet kësti i parë i mbledhur.

Tabela 3. Taksa mbi prodhuesit e mëdhenj privatë të energjisë

·         Për eksporte(ose shitje brenda vendit) me çmim mbi 180 euro/MWh

·         Efektive nga 1 janari 2023

·         Mblidhet çdo tremujor

·         E përkohshme(ndoshta deri më 30 qershor 2023)

·         Të gjitha paratë e taksës për shtresat e popullsisë në nevojë

Taksa është vendosur sipas veprimit të ngjashëm të BE-së: Mbledhje më 30 shtator 2022 e 27 ministrave të energjisë: Direktivë në formën e Tavanit mbi të ardhurat dhe Taksë Solidariteti.

Parate e mbledhura nga kjo taksë tek ne, do të shkojnë të gjitha në ndihmë të shtresave më në nevojë, në rradhë të parë të pensionistëve.

55 projektet energjitike të vitit 2023   

Gjatë vitit 2022, Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka miratuar 7 projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga uji, nga panelet diellore dhe nga era, të cilat do të na sigurojnë një kapacitet prej 300 MWh, përkundrejt një investimi prej 180 milionë euro. Një prodhim i tillë është i barabartë me nevojat që kemi si vend për import të energjisë elektrike, në vitet normale hidrike.

Ndërkohë, zvkryeministrja Belinda Balluku cilësoi dje se në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë janë depozituar për miratim 55 projekte, të cilat në totalin e tyre sigurojnë një prodhim prej një mijë e shtatëqind MWh, duke realizuar një investim prej 1.1 miliardë euro në ekonominë tonë. E ardhmja për energjitikën shqiptare ngjan e siguruar, mbi bazën e projekteve të tilla.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?