Skulpturat, “Gladiatorët” e
Janaq Paços rikthehen në Durrës

Skulpturat, “Gladiatorët” e<br />Janaq Paços rikthehen në Durrës
DURRËS- Dy “gladiatorët” e skulptorit Janaq Paço pas një qëndrimi disavjeçar në Tiranë janë rikthyer në qytetin antik të Durrësit. Monumentet që kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar do të qëndrojnë për disa kohë në mjediset e muzeut arkeologjik, në pritje për tu instaluar në një nga sheshet e hapura të qytetit, i cili i kishte porositur ato gati 40 vjet më parë.
 
Drejtuesit e muzeut arkeologjik dhe bashkia e qytetit do të përzgjedhin shumë shpejt vendin ku do të vendosen dy figurat monumentale me lartësi 3 metra, të cilat u porositën në fillim të viteve 1970 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, i cili në atë periudhë drejtonte sistemin e muzeve të rrethit.
 
Nuk dihet ende se cila mund të jetë hapësira që do të mikpresë dy skulpturat, por duke iu referuar porosisë së drejtorit Vangjel Toçi, lulishtja pranë murit mesjetar duket të jetë vendi më i mundshëm për dy luftëtarët e derdhur në beton artistik.
 
Punonjësit e vjetër të muzeut arkeologjik kujtojnë se rruga me kalldrëm, që të ngjit përmes mureve të periudhës bizantine mbi amfiteatrin antik, ka qenë projekt-ideja e z. Toçi. Një mendim tjetër i vendoste dy figurat në arenën ende të pazbuluar , me pamje nga perëndimi, ndërsa një variant i tretë shihte më të mundshëm vendosjen e tyre në parkun arkeologjik, që nisi të përvijohej me sukses nga bashkëqytetari i nderuar Vangjel Toçi.
 
Taselat prej allçiu të veprës “Gladiatorët” e punuar nga Janaq Paço kanë qëndruar për më shumë se 30 vjet në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.  Ato mbaheshin fillimisht në një nga magazinat e muzeut të vjetër arkeologjik, i cili ndodhej në shëtitore, para godinës së ish-fabrikës së Cigareve.
 
Figurat monumentale janë rikthyer nga Tirana në Durës pas debatit që u hap në muajin gusht të këtij viti, kur veprat mund të humbisnin në oborrin e Qendrës së Realizimit të veprave të artit në Tiranë.
 
RIKTHIMI I GLADIADORËVE NË SHTËPI
Dy “Gladiatorët” e punuar nga skulptori i njohur Janaq Paço synonin krijimin e atmosferës antike e mesjetare në sheshe dhe lulishte publike të qytetit. Arkeologu Afrim Hoti, drejtor i institucionit në disa periudha të gjata, thotë se sipas skicave të Vangjel Toçit, dy skulpturat mbi 3 mt të larta  ishin parashikuar të instaloheshin në fillim të rrugës me kalldrëm që ngjitet deri në afërsi të Kullës mesjetare, mbi muret e Amfiteatrit.
 
Menjëherë pas kësaj hapësire ndodhet Amfiteatri dhe dy luftëtarët, që 2000 vjet më parë ndesheshin në arenën e tij pritej të krijonin një efekt të veçantë te vizitorët. Një variant tjetër, i pazyrtarizuar parashikonte vendosjen e tyre brenda amfiteatrit.
 
Por, projekti i skulpturave të parkut me jehonë të lashtë nuk u realizua i plotë. Grupi i prof. Janaq Paços mbeti vetëm një ëndërr, ndërsa pjesët e monumentit në allçi u endën për disa dekada.
 
Dy figurat ishin të ndara në pjesë, 43 të tilla sipas nipit të Paços, dhe vetëm në fundin e viteve 1990 janë transferuar në mjediset e muzeut të ri arkeologjik.
 
“Jemi kujdesur të gjithë për to, pasi e dinim që ishin vepër e prof. Janaq Paços, autorit të “Skenderbeut të Krujës”-thotë skulptori Qazim Kërtusha, edhe ai mjaft i njohur në Durrës për numrin e madh të skulpturave të parkut. Figurat dalloheshin veçanërisht për kostumografinë e shfrytëzuar nga Paço si veshje e dy gladiatorëve-kujton kolegu i ri i Paços.
 
Kërtusha vetë, në atë kohë ka përgatitur bocetin e “Gruas me patë, një figurë e frymëzuar nga periudha ilire. Ndërkaq Skulptori i Merituar, Sabri Tuçi, i diplomuar në Romë punon gjithashtu një figurë me veshje ilire, edhe ajo e destinuar të mbetet bocet.
 
Ish-drejtori Afrim Hoti dëshmon se dy “gladiatorët” me superpërmasa janë ruajtur në magazinat e të dy muzeve, megjithëse nuk ishin në listat e inventarëve. “Drejtori Vangjel Toçi, kur ende nuk kishte dalë në pension, më ka treguar se veprat ishin shlyer nga pikpamja financiare dhe përderisa zinin shumë vend ato mund të largoheshin nga muzeu-vijon prof. Hoti.
Gladiatorët nuk mund të vendoseshin më në Durrës.
 
Kohët kishin ndryshuar, autori i projektit, prof. Vangjel Toçi, kishte dalë në pension, megjithëseqë në vitet 1970 ishte kujdesur që honorari i krijimtarisë për dy “gladiatorët e Durrësit” të paguhej, brenda limiteve ligjore prej 3 mijë lek të reja për secilën prej skulpturave.
 
Në atë kohë edhe një autor tjetër, Sotir Kosta kishte përgatitur figurën e gruas ilire, Lipidia, me një lartësi prej 3 metra, por edhe ajo nuk u vendos në një nga sheshet bregdetare, siç ishte parashikuar. Sidoqoftë, Lipidia për vite me radhë u bë pjesë ie itinerarit të portikut, në krahun e majtë të muzeut të vjetër arkeologjik.
 
Shpresat e familjarëve të mjeshtrit e kanë rikthyer idenë e vendosjes së “gladiatorëve” pranë mureve mesjetare të Durrësit. Tashmë veprat janë në Durrës, në qytetin antik ku është ngjizur ideja dhe frymëzimi i autorit Janaq Paço.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz