Skënder Minxhozi: Na falni që ju vramë, do ju rrisim rrogat ama…

Skënder Minxhozi: Na falni që ju vramë, do ju rrisim rrogat ama…

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Lulzim Basha

Është e kuptueshme (por jo normale), që një kryeministër që ka qeverisur tetë vjet, t’i bëjë bisht pyetjeve e të mos i’u përgjigjet atyre, kur e pyesin në një emision televiziv. Goja e mbyllur ndihmon kur ke përpara vetes një bilanc lara-lara. Është shumë më pak e kuptueshme nga ana tjetër, kur këtë vendos ta bëjë një kryetar tetëvjeçar opozite, i cili duhet të ketë përgjigjen gati për çdo gjë, pasi ka pasur kohë me bollëk për t’u përgatitur dhe përgjegjësi thuajse zero për ecurinë e punëve në një shtet.

Ja që mund të ndodhë edhe e kundërta. Që një kryeministri (Edi Rama) të mos i hyjë gjuha në gojë duke i dhënë përgjigje e duke replikuar me çdo gazetar, reporter a fejsbuks që i del përpara, ndërsa tjetri, oponenti i tij (Lulzim Basha), të përgjigjet se do të rrisë rrogat e pensionet edhe kur e pyesin pse u vranë njerëzit në mes të rrugës ditën që ishte ministër i brendshëm.

Edi Rama dhe Lulzim Basha po ju bien kryq e tërthor mediave në këto ditë të nxehta fushate. I pari që shet kudo e pa hesap improvizimin dhe hazerxhevapin e njohur, markën e vet të preferuar, i dyti që është mësuar nga këshilltarët hebrenj (çifutët e Bashës, do të thoshte aleatja e tij kryesore), edhe si të qeshë, edhe si të mbajë duart, edhe si të flasë e mbi të gjitha…edhe si të mos i përgjigjet asgjëje që mund të nxisë debat, apo që lidhet me të shkuarën e tij e që për pasojë mund të çojë ujë në hulli të rrezikshme.

Kjo qasje ndaj publikut dhe pyetjeve të tij, e kanë bërë lehtësisht të dallueshme fushatën e Ramës dhe Bashës, si dy rrugëtime të ndara thuajse në gjithçka. Jo më kot prej tetë vjetësh i dyti ndjek të parin pa e kapur dot askund. Edi Rama justifikon thuajse gjithçka të pakryer në mandatin e tij të dytë, me pandeminë dhe tërmetin. Do të duhej shtuar këtu edhe kriza e mandateve, që mori thuajse të gjithë pjesën më produktive të vitit 2019.

Nëse kjo taktikë e tij ka sot pro dhe kundra sa të duash ndër ata që e dëgjojnë Ramën nga mëngjesi në darkë, kjo vjen pasi në thelb ajo është një justifikim i pjesshëm i mosmbajtjes së shumë prej premtimeve që e majta bëri në 2017, e që sot rezulton të mos i ketë realizuar. Tërmeti dhe pandemia do të dëmtonin rëndë çdo bilanc të një qeverie në një vend mizerabël si Shqipëria, por ato janë gjithashtu edhe një maskim i paplotë i dobësimit të qeverisë dhe vetë qeverisjes në katër vitet e fundit, kur shteti i ka kthyer sytë ekskluzivisht nga prijësi dhe kur bullonat e maxhorancës nisën të lirohen dukshëm.

Në tryezën përballë kemi një tjetër diagnozë dhe një tjetër pacient. Kemi një kryetar opozite i cili vijon prej tetë vjetësh luftën titanike në gotën e tij të ujit, për t’i dhënë formë, kuptim dhe domethënie mandatit që i kanë lënë në dorë të nesërmen e zgjedhjeve të tetë vjetëve më parë.

Pak por e sigurt, për sa kohë që Sali Berisha të ketë shëndet të plotë dhe mbi një milion ndjekës në Facebook, me shumë gjasë nuk do të arrijmë ta shohim Lulzim Bashën e vërtetë, por vetëm një klon anemik të atij që mund të kishte qenë kryetari i vërtetë i Partisë Demokratike pas vitit 2013.

Këtë figurë pa formë, ngjyrë dhe erë, Lulzim Basha po e projekton të plotë dhe të përforcuar edhe në këtë fushatë zgjedhore. Nuk di të bëjë diçka më të mirë se kaq, mos i kërkoni më tepër. Është ai që të gjithë njohim tashmë.

Në emisionin e të enjtes së shkuar ‘Real Story’ tek Sokol Balla, kreu i opozitës u vu përballë disa pyetjesh të vjetra dhe të reja që lidhen me të shkuarën dhe të tashmen e karrierës së tij politike. Me fjalë të tjera ju dha mundesia të sqarojë disa kapituj të mbetur mbyllur në raftet e historisë politike të dekadës së fundit. Pa e tradhëtuar për asnjë moment indin e tij prej “ikanaku politik”, Basha refuzoi të përgjigjet thuajse ndaj çdo pyetjeje që ju drejtua. Njeriu që ka fshehur gjithçka që nga koha e studimeve, nuk na “zhgënjeu” as kësaj rradhe.

Duke e shtyrë auto-lëvdatën për atë që ka bërë deri tek anëtarësimi në NATO e heqja e vizave (vitet 2009 dhe 2010), Lulzim Basha i hapi rrugë me duart e tij mundësisë së disa pyetjeve shtesë që kanë të bëjnë me rolin e tij politik në disa ngjarje të tjera të asaj periudhe kohore. Ata që e ndoqën atë emision, panë sesi kreu i opozitës i iku në mënyrë të shëmtuar dhe aspak elegante pyetjeve për 21 janarin dhe zgjedhjet e trukuara lokale, ku ai e mori mandatin e kryebashkiakut të Tiranës nmë tavolinë, me duart e Arben Ristanit. Ne do të rrisim pagat dhe pensionet, qe pak a shumë përgjigja e Lulzim Bashës për këto pyetje, duke vendosur një standart qesharak komunikimi me publikun e shumtë që e ndiqte. Ju vramë por do ju rrisim rrogat, qe domethënia e pashprehur e asaj sjelljeje, që në thelb tregon mungesë lidershipi dhe peshe, në një garë me shumë rëndësi, si ajo për postin e kryeministrit të pas 25 prillit.

Paaftësia e një lideri për të pasur një përgjigje për aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij nuk i bën nder Lulzim Bashës. Vetëm sa rikonfirmon në mënyrë të përsëritur dobësinë e tij përballë sfidave të mëdha si kjo e zgjedhjeve aktuale. Megjithëse për këtë s’ka më dyshime prej vitesh askush që ndjek sadopak politikën shqiptare.

Në vitin 2017 një sjellje e ngjashme i kushtoi Bashës humbjen më të thellë elektorale që PD ka pasur që nga viti 1997. Këtë rradhë shpata e Damokleut është edhe më e rëndë mbi kokën e tij, pasi vështirë se do të ketë një tren tjetër për Lulzim Bashën. Dhe kur pyetjeve më të vështira ju jep përgjigjet më joserioze të imagjinueshme, prognoza nuk është e mirë. Aspak e mirë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 13/04/2021 23:39

    Lulshi ka ik per lesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja