Skënder Minxhozi: Tre 'tabutë' kosovare që na bëjnë të ndjehemi keq

Skënder Minxhozi: Tre 'tabutë' kosovare që na bëjnë të ndjehemi keq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Para pak javësh Kosova festoi 15 vjetorin e pavarësisë së saj. Një shtet i rrethuar nga jo pak armiq e kundërshtarë, ende i panjohur dhe i paintegruar tërësisht në sistemin ndërkombëtar, por me një ëndërr që ka marrë shtat dhe formë: pavarësinë e plote dhe të pakthyeshme. Në këtë rrugë jo pa peripeci e sfida, kosovarët po i japin formë gradualisht jo vetëm pozitës ndërkombëtare të vendit të tyre, por edhe po ndërtojnë një standart demokratik brenda shtëpisë, të cilin ne “shteti amë” s’kemi ditur ende ta ndërtojmë këtej kufirit pas vitit 1991, megjithëse e dimë veten më të rritur e më të vjetër në punë qeverisjesh.

Që nga lufta çlirimtare e vitit 1999, Kosova ka mbajtur tetë zgjedhje të përgjithshme, nga të cilat tre të rregullta dhe pesë të parakohshme, që të gjitha pas vitit 2010. Një shenjë e qartë pjekurie graduale, e cila rrëzon në thelb karakterin fatalist e deri edhe “hyjnor” që partitë fituese i kanë dhënë zakonisht pushtetit të fituar me votë, e të palëshuar as me pushkë, kur vinte koha për të ikur nga zyrat.

Ndërsa Kosova i ka vënë në rresht zgjedhjet e parakohshme, të cilat dikush me të drejtë mund t’i shohë si shenjë mungese stabiliteti, por dikush tjetër me po aq të drejtë mund t’i konsiderojë edhe si çmitizim dhe normalizim të raportit mes shtetarit dhe postit – kur Kosova pra shkon në zgjedhje të parakohshme pa asnjë dramë, ne në Shqipëri kur kemi shkuar për të fundit herë në zgjedhje para mbarimit të mandatit të partisë në pushtet, janë vrarë nja tre mijë veta dhe kanë dalë në sipërfaqe mbi një milion armë nga depot e ushtrisë.

Në Shqipëri pushteti ka vrarë për të mos lëshuar zyrën, në Shqipëri pushteti ka vjedhur për të mos lëshuar zgjedhjet, ka djegur media, ka vandalizuar kundërshtarët politikë e ka dhunuar institucionet e zgjedhjeve. Të gjitha këto fenomene i gjejmë në forma më minimale në Kosovë. Përfshirë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, që nuk shihen si gjëmë apo kataklizmë, por si një proces fiziologjik i demokracive liberale.

Sistemi ynë politik është një krijesë mastodonte e zhytur në dhjamë korrupsioni, tarafe, klane, krushqi interesash dhe miliona e miliona abuzime për shkak të pushtetit. Klasën politike shqiptare po e pastron gradualisht vetëm vdekja, e jo rotacionet,  konsumi politik apo energjitë e brendshme të partive për të kërkuar e gjeneruar ide dhe njerëz të rinj. Rikthimi i Berishës është rasti klasik i kapitullimit të të ardhmes përballë të shkuarës, por një situatë e ngjashme mbretëron edhe në partitë e tjera ku fytyrat e shefave të partisë mbeten në muret e selive edhe kur i ha mola apo kur fotografive ju ka dalë boja.

Në vitin 2004, kur Ilir Meta themelonte Lëvizen Socialiste për Integrim, Albin Kurti në Kosovë hidhte bazat e krijimit të Vetëvendosjes. Një force politike që ndryshe nga LSI, nuk aspironte të bëhej shtojcë e partive të mëdha, apo një fik parazitar në trupin e një peme të madhe. Ajo i sulmoi pemët e mëdha të politikës kosovare, si PDK ashtu dhe LDK, duke i fryrë populizmit të majtë dhe një nacionalizmi deklamativ dhe shpesh agresiv. Vetëvendosja është partia më e votuar parlamentare në Kosovë që nga viti 2017, duke fituar zgjedhjet e përgjithshme dy herë.

Për ne shqiptarët shembulli i Vetëvendosjes ka rëndësi jo edhe aq për atë që ajo thotë dhe bën në aspektin programor, sesa për ecurinë e saj si forcë politike jashtë sistemit tradicional. Në këtë prizëm, Kurti është gjithçka që Meta nuk diti dhe nuk deshi të bëhej. Ndërsa tek ne në 31 vjet ka pasur shumë nisma të vogla, lëvizje e fraksione që kanë premtuar të thyejnë bipolarizmin PS-PD, asnjera prej tyre nuk arriti t’i largojë e vëtme dy partitë e mëdha për të dhënë një shpresë se Shqipëria qeveriset edhe nga të tjerë, përveçse nga Berisha, Nano, Rama e Basha (me Metën si shtojcë që priste perdes së pushtetit). Vetëvendosja mund të jetë partia më e papërshtatshme politike për linjën që ndjek, por s’mund të mohohet se akti i saj i rrëzimit të bipolarizmit në politikën kosovare është një gjest emancipues dhe me vlerë historike për Kosovën, i cili tejkalon edhe vetë siglën e kësaj partie. E kjo është tabuja e dytë e madhe me të cilën Kosova në bën më turp ne shqiptarët e Shqipërisë, me “shtet 111 vjeçar”!

Së treti, sistemi politik kosovar, i influencuar padyshim edhe nga roli ende esencial që ndërkombëtarët luajnë në zyrat e pushtetit në Prishtinë, na ofron një tjetër “tabu” nga ato që tek subkoshienca e jonë zgjojnë makthet më të këqia të tre dekadave të fundit. Kosova ka rrëzuar me vendime të Gjykatës Kushtetuese dy Presidentë të Republikës, përkatësisht Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin. Këtë të fundit vetëm dy muaj pasi kishte marrë detyrën!

Nëse ne shqiptarëve të tjerë na duhet të vrasim mendjen sesi ka vajtur puna e kryetarëve tanë të shtetit, do të kujtojmë fjala vjen që ata kanë preferuar të zgjidhen mes armësh dhe rrëmujash biblike, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, si dhe më pas kanë ngulmuar ta fusin vendin në kaosin më të keq që mbahet mend, vetëm që të mos linin zyrën e punës.

Kjo marrëdhënie maniakale me postin dhe pushtetin, ka provokuar kosto të skajshme për vendin dhe shqiptarët, të cilët janë ende sot totalisht të pamësuar me faktin se demokracia nuk ofron stabilitet me çdo kusht, por vetëm mekanizmin për të larguar në çdo moment nga detyra ata që nuk dinë të qeverisin. Në 31 vjet kemi rritur me votat tona jo një, por disa Enverë të vegjël që sot s’po na hiqen qafe, ndërkohë që kushërinjtë tanë matanë Morinës i ndërrojnë krerët politikë dhe elitat drejtuese pa asnjë dramë dhe kuje.

Kosova është një cikël politik para nesh dhe kjo duhet të na bëjë të ndjehemi keq kur shohim përditë në televizion Sali Berishën që mallkon të shkuarën dhe flet për të ardhmen edhe në vitin 2023!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare