Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ishte në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, aty ku janë instaluar dhjetëra kamera me ngjyra, të cilat ofrojnë një panoramë të gjerë në të gjithë ambientet, nga Brenda klasave, në korridore dhe oborr.

Përmes inteligjencës artificiale kamerat pikasin nëse nxënësit kanë elementë të dyshimtë të fshehur në trup, siç mund të jenë armët e ftohta e sende të tjera metalike, por sistemi pikas edhe sjelljet e tyre.

“Jemi këtu për të parë nga afër pikërisht fillimin e zbatimit të programit ‘Smart City’ për sigurinë në shkolla”, u shpreh Lamallari, duke shtuar se gjimnazi “Qemal Stafa” dhe nxënësit e tij do të jenë ndër të parët që do të përfitojnë nga siguria e shtuar përmes teknologjisë.

Sipas ministrit, sistemi i ri kombinon teknologjinë e avancuar me përdorimin e inteligjencës artificiale, duke i shtuar një tjetër dimension masave të sigurisë në institucionet arsimore. Janë bërë testime ku përmes inteligjencës artificiale janë lëshuar  alarme për raste të dyshimta.

“Kjo nënkupton shumë siguri, jo vetëm për nxënësit, por edhe qetësi për prindërit e këtyre nxënësve”, theksoi Lamallari.

Ministri nënvizoi se teknologjia do të kombinohet me praninë fizike të Policisë së Shtetit në shkolla. Në gjimnazin “Qemal Stafa” aktualisht shërbejnë dy oficerë policie, të cilët do të vijojnë të jenë pjesë e masave të sigurisë gjatë vitit të ri shkollor.

“Kjo i shtohet përpjekjeve të qeverisë shqiptare, krahas oficerëve të policisë në shkolla”, tha Lamallari, duke theksuar se teknologjia dhe prania policore do të funksionojnë së bashku për garantimin e sigurisë.

“Nga data 14 shtator, kur fillon edhe viti i ri, urojmë vetëm suksese. Siguria është përgjegjësia jonë”, u shpreh ministri.

Drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa” vlerësoi mbështetjen për forcimin e sigurisë në shkollë.

“Edukimi cilësor ecën më së miri edhe me mjedise më të sigurta, të cilat në shkollën tonë janë krijuar më së miri”, u shpreh ajo.

600 kamerat janë vendosur deri më tani në 20 shkolla në Tiranë dhe Kamëz, duke ofruar më shumë siguri për 14 mijë nxënës. Zbatimi i teknologjive të reja të sigurisë në shkolla synon të krijojë një mjedis më të mbrojtur për nxënësit dhe mësuesit, duke i dhënë prindërve më shumë siguri dhe besim në nisjen e vitit të ri shkollor.