TIRANE- Bashkëaksionerët e fabrikës së çimentos në Fushë Krujë Charles Bouri dhe Jorge Jeha denoncuan në polici se janë kërcënuar nëpërmjet mesazheve të ardhura në telefonat e tyre celular.

Burime nga policia bënë të ditur për shqiptarja.com se dy bashkëaksionerët dorëzuan dje pasdite kallëzimet penale në policinë e Tiranës.

Mendohet se mesazhet kërcënuese, më shumë se një, kanë mbërritur në telefonat celularë të Charles Bouri, shtetas britanik dhe Jorge Jeha, shtetas brazilian, gjatë ditës së djeshme. Dy shtetasit e huaj deklaruan për policinë se nuk e dinin se kush ishin personat që mund ti kenë dërguar mesazhet.

I kontaktuar nga gazetari i "Shqiptarja.com" Jorge Jeha ka thënë se mesazhet ishin të gjata, kishin karakter kërcënues por nuk ishte në gjendje t'i shqiptonte pasi nuk e kupton mirë shqipen. Gjithashtu ai ka pohuar se nuk i njeh se kush mund të jetë dërguesi i mesazheve.

Policia hap hetimet për të identifikuar autorët e mesazheve kërcënuese. Fabrika e çimentos vazhdon të mbulohet “me mister” për shkak të shpërthimeve me telekomandë, kërcënimeve deri në vrasjen e nëndrejtorit të saj shtetasin palestinez Anwar Rizik, më 8 maj.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)