Kryeministri Edi Rama ka qenë tepër i prerë dhe i qartë sa i takon marrëdhënies së eksponentëve të PS-së, të emëruarve në Qeveri dhe në Administratë në lidhje me korrupsionin. Ai ka nënvizuar se kush ka humbur PIN-in, apo ka një zorrë që nuk “ndalon së ngrëni”, duke tradhëtuar pas krahëve atë, dhe Partinë Socialiste, nuk ka asnjë mbrojtje politike prej tyre dhe është gati për ta cuar vetë te SPAK.
Po kujt i referohet konkretisht përvec ish ministrit Lefter Koka dhe ish deputetit Alqi Bllako, tashmë të arrestuar për skandalin e inceneratorëve?
''A thua se në rrugëtimin e kësaj jete fajin e ka kush të jep besim, dhe jo kush e shkel besimin e marrë - tha Rama - E kam thënë 1000 herë, përgjegjësia për shkeljen e ligjit është indivuduale, jo kolektive. Një kryeministër, një kryetar partie, një familje politike, nuk mban përgjegjësi pse një pjesëtar i familjes e humbet PIN-in, kur i thonë fjalës, dhe del nga rruga e ligjit. Jo! Ata mbajnë përgjegjësi për sesi reagojnë ndaj shkelësit të ligjit(...).
''Kjo parti nuk jep shërbime avokatie për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë kryetar bashkie dhe për asnjë zyrtar anëtar të kësaj familje që duhet të përgjigjet përballë organeve të drejtësisë. Dëgjoj, se më vijnë, edhe pse mua më vijnë pak nga zërat e brendshëm këtu, po më vijnë zëra, që thonë “Ky i Gjati nuk të mban! Ky i Gjati lëshon”. E thonë apo jo? E thonë “Ky i Gjati nuk i mbron njerëzit e vet!” Dëgjoni këtu. Unë nuk lëshoj askënd në këtë familje që bëhet shënjestër për punët e përbashkëta, i vë gjoksin, i vë fytyrën, i vë zërin në dispozicion, dhe i dal unë përpara baltës që hidhet drejt kujtdo që është pjesëtar në këtë familje kur është fjala për punë të cilat i kërkon detyra e gjithësecilit. Por unë jo vetëm që nuk mbaj dhe nuk mbroj asnjërin që besimin e marrë nga zgjedhësit, besimin e marrë nga kjo familje, besimin e marrë dhe nga unë vetë, i përdor për t’i ngrënë pas shpine edhe zgjedhësit, edhe partinë tonë politike, edhe mua. Që borxhin nuk ja kam askujt kur i merr koka erë, por ja kam vetëm kësaj familje dhe ja kam këtij populli, përvecse natyrisht atyre që më kanë lënë mua mbiemrin që kam. Dhe pikërisht se jam edhe i gjatë si mund t’i mbroj dhe ti mbaj unë ata që më vënë mua në pozitë përballë ca të vegjëlve me mikrofona që më kërkojnë llogari dhe për cfarë? Për cfarë? Për zorrën e atyre që nuk ndalojnë së ngrëni dhe që nuk e kanë marrë vesh akoma që në botën tjetër, dhe bota tjetër e jona është këtu shumë afër në Sharrë, nuk punojnë kartat e kreditit, as parajsat fiskale nuk figurojnë në llogari. Madje në Sharrë, më mirë përgatituni të shkoni sic dilja unë dikur në plazh, se asgjë, asgjë, nuk ju dallon nga ata të tjerët atje. Kështuqë edhe kostumet lërjani djemve, se me burrat e kam''.
''Mua nuk më kanë zgjedhur për të mbajtur nën sqetull këtu dhe për të mbrojtur nga drejtësia aq më tepër në emër të Partisë Socialiste, dmth të mbroj unë nga drejtësia në emër të pensionistëve që votojnë Partinë Socialiste dhe që akoma nuk iu është rritur pensioni, ata të cilët duan të jenë edhe deputet, edhe ministra, por duan të kenë edhe pasuri. Po pse, ca kanë ata më shumë nga pensionisti, ca kanë ata më shumë se mësuesit, ca kanë ata më shumë se një infermierët e të gjithë ata të tjerët që iu pikon djersa deri në fund të kurrizit, dhe që mbi të gjitha, edhe pse kanë 1001 arsye që të na kthejnë kurrizin, na mbështesin, na japin besim, na falin gabime, na pranojmë kështu sic jemi dhe shpresojnë që ne do të bëhemi më të mirë. E si? S’na mban ai i Gjati? Të Gjatit nuk ja beson njeri kur thotë që ma bënë prapa krahëve''.
''Ndërkohë që në gjithë Parlamentet e botës deputetët janë shprehje e komuniteteve, në gjithë parlamentet e botës nuk flasin të gjithë deputetët, nuk shquhet në gjithë për oratori, po ka shumë deputetë që flasin atje në territor me njerëzit. Ata që flasin nëpër Parlamente nuk shkojnë zakonisht në spital natën për t’u ndenjur në kokë atyre që vijnë në spital nga zonat e largëta dhe u thonë “deputet, kam fëmijën sëmurë!”. Janë ata që nuk flasin në parlament që shkojnë atje në spital, Prandaj është një gjë e larmishme. Por ajo që është arsyeja që pse i zgjedhim të tërë, nuk është që t’i zgjedhim dhe ti mbrojmë ne, por është që ata të na mbrojnë ne, të mbrojnë zgjedhësit, të mbrojnë partinë, të më mbrojnë edhe mua. Të më mbrojnë edhe mua e ta mendojnë atë skenën e Guliverit me ata liliputët që e lidhin atje dhe i thonë jep llogari. Të jap llogari unë sepse duan t’i bëjnë filmat me kauboj pasi i kanë parë kur kanë qenë të vegjël...” , tha Rama duke këmbëngulur që PS nuk do të bëhet avokat i asnjë të korruptuari brenda gjirit të saj", tha Rama.