Javën e ardhshme pritet një hap konkret në Reformën Zgjedhore: prezantimi i projektligjit të ri për financimin e partive politike, që përbën një hap përpara drejt zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për Kodin Zgjedhor.
Lajmin e bëri të ditur bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri i cili bashkë me bashkëkryetarin tjetër nga rradhët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u takuan me delegacionin e ODIHR, ku bënë një përditësim të punës së deritanishme. Delegacioni ishte i përbërë nga Kakha Inaishvili, Raul Mureșan dhe Nataliya Vasylevska.
“Bashkë me kolegun Oerd Bylykbashi pritëm në një takim delegacionin e ODIHR-it, të përbërë nga Kakha Inaishvili, Raul Mureșan dhe Nataliya Vasylevska. I informuam për ecurinë e deritanishme të punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore. I njoftuam se javën e ardhshme do të prezantohet nga ekspertët, para anëtarëve të komisionit, projektligji i ri për financimin e partive politike. Me miratimin e këtij projektligji, që ishte edhe prioriteti i parë, Komisioni nis punën për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it sa i takon Kodit Zgjedhor. Misioni i ODIHR-it është i angazhuar të bashkëpunojë ngushtësisht me ekspertët e komisionit për gjetjen e zgjidhjeve teknike që adresojnë rekomandimet në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare për zgjedhjet, u shpreh Gjiknuri.
Komente











