Familja e re shqiptare i ka nxjerrë të moshuarit “të tepërt”, çka është e papranueshme. Është ky alarmi që dha sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV sociologu i mirënjohur Gëzim Tushi, për këtë plagë sociale që sa vjen e bëhet më e prekshme në shoqërinë tonë.
“Ka ndodhur një ndryshim i madh në familjen shqiptare, kjo familje e re i ka nxjerrë të moshuarit të tepërt. Është e papranueshme largimi dhe ndërprerja e kujdesit për të moshuarit”
Sipas profesor Gëzim Tushit, i cili është edhe autor i librit “Mosha e tretë”, një nga plagët më të mëdha të këtij shekulli është vetmia, që ka prekur jo vetëm të moshuarit por edhe të rinjtë në Shqipëri.
“Një nga plagët e mëdha që kanë të moshuarit sot është vetmia, bëhet fjalë për një nga plagët më të mëdha sociale të këtij shekulli edhe për të rinjtë që jetojnë mes 4 mureve”
Duke sjellë eksperiencat në vendet më të zhvilluara ku të moshuarit japin një kontribut në komunitet, sociologu i mirënjohur Gëzim Tushi solli në vëmendje mungesën e shërbimeve komunitare në Shqipëri.
“Ne i kemi shumë të dobëta shërbimet komunitare, ka nevojë që bashkitë të ndërtojnë sisteme të angazhimit komunitar të tyre. Eksperienca në vendet e zhvilluara tregon se si të moshuarit japin një kontribut real në komunitet”.
Sociologu Gëzim Tushi, i cili mban dhe titullin “Mjeshtër i Madh” ishte i ftuar në studion e “Rreze Dielli” për të diskutuar mbi temën “A e kemi braktisur moshën e tretë”, ku u soll në vëmendje rasti i 70 vjeçares Shadije Bakalli, e cila prej 20 vjetësh jeton e vetmuar.
Komente
