Sokol Cikalleshi pritet që të largohet nga Konyaspor brenda kësaj jave. Mediet në Turqi bëjnë me dije se Rizespor është në gjurmët e sulmuesit të Kombëtares, kjo pasi kavajasi ka probleme me pagat në ekipin aktual.
Edhe pse merkato e dimrit në Evropë u mbyll, në Turqi ka edhe tre ditë afat për lëvizjet e lojtarëve. 33-vjeçari nuk ishte pjesë e ekipit në fitoren e sotme 0-1 kundër Sivasspor në Kupë, teksa në Turqi janë të bindur se Cikalleshi do jetë sërish pjesë e kampionatit turk.
Të ndodhur në vendin e pestë dhe vetëm tri pikë larg Besiktasit, Rizespor po bën surprizën këtë sezon në Turqi. Në kërkim të golave, ata janë duke bindur Cikalleshin që këtë edicion ka shënuar tetë gola dhe kontrata me Konyaspor skadon verën e këtij viti.