Sollaku: Ekstradimet, loja
e PD-së  për të më hequ

TIRANE- Ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotë se marrëveshja e ekstradimit me Italinë hyri në fuqi vetëm vjet në gusht, ndërsa në 2007 ai u shkarkua nga PD-ja në Kuvend, se nuk kishte ekstraduar rreth 225 të kërkuar nga drejtsia e vendeve të tjera.

Z.Sollaku kur ishit ju në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm kishte marrëveshje ekstradimi me Italinë?
Marrëveshja e ekstradimit të shtetasve në të dy vendet, nisi të hartohej në kohën kur u shkarkova unë. Mua më hoqën se gjoja se nuk kisha bërë ekstradime, por vetë deputetët e PD-së e kuptonin se duhej marrëveshja. Ajo u bë pas gati një viti. Në Shqipëri u votua në parlament menjëherë, por italianët e vonuan shumë. Mua më akuzuan, ndër të tjera, se nuk kisha bërë ekstradimet e shtetasve shqiptarë që kërkoheshin nga vendet e tjera për krime.
Mund të kenë qenë rreth 300 shtetas që priteshin të ekstradoheshin. Por nuk ishte se nuk donte Prokuroria e Përgjithshme. Nuk kishte marrëveshje. Disa figura në PD e përdorën akuzat dhe shkarkimin tim për karrierë në PD. Berisha ka sikletin më të madh, sepse nuk ua jep italianëve kriminelët, duke në vënë në siklet me ta. Atëherë unë u thashë: Bëni marrëveshjen dhe hajde t’i ekstradojmë, sepse nuk të lë kushtetuta. Por ata më shkarkuan.

Kjo është një marrëveshje ndërqeveritare?
Marrëveshje ndërqeveritare dhe ndërparlamentare, ku bien dakort të dyja vendet.

Po pse nuk u bë e zbatueshme më parë, kur ka patur një fluks kaq të madhe kriminelësh që kërkohen?
Marrëveshja për ekstradimin hyri në fuqi vetëm prej gushtit 2011. Më parë nuk binin dakort italianët, sepse nuk i besonin drejtësisë shqiptare. Pastaj marrëveshja është reciproke: nëse na kërkojnë shqiptarë të dënuar në Itali, ne do të kërkojmë italianë që kërkohen nga drejtësia shqiptare.

Po pse ka ngecur nga italianët, kur ata janë më të fituar, sepse është një kontigjent shumë i madh që kërkohet nga italianët?
Por edhe këtu ka një problem: konkurrimi mes dy akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria dhe me Italinë. Nga njëra anë ka qenë njohja e vendimeve të huaja penale, pra ne nuk i ekstradonim, por kur vendimi merrte formë të prerë atje, ata na kërkonin që ne ta njihnim dhe ta ekzekutonim. Dhe kështu ndodhi. Çuditem përse italianët nuk e bënë kështu edhe për rastin e Fatmir Kajollit. Ata zakonisht i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë dhe bëhen procedurat e njohjes së vendimit për të vuajtur masën e dënimit në Itali, këtu. Tani italianët kërkojnë që i dënuari në Itali, Fatmir Kajolli të shkojë dhe të vuajë dënimin atje.

Nuk kanë besim te drejtësia shqiptare?
Ka një sërë faktorësh këtu. E para ata kanë më tepër interes që këtu të mbushen burgjet shqiptare, sesa ato italiane, sepse atje ka mbipopullim. Por kam përshtypjen që këto vendime të formës së prerë, i dënuari mund të arrestohet dhe të futet në burg dhe ta vuajë këtu dënimin, sipas konventës. Ose edhe mund të të çohet në Itali. Këtu ka një analizë të qëndrimit oportun të italianëve. Pse nuk përdorin të parën që të njohin vendimet, por i duan atje. Mund të jetë ajo që nuk kanë besim te drejtësia shqiptare, konvertimi.

Dënimi me 40 vite i Fatmir Kajollit, sa mund të konvertohet në Shqipëri?
Ky dënim në Itali nuk mund të konvertohet më shumë se 25 vite burg, sepse kështu e ka Kodi Penal. Por jo gjithmonë vitet e dënimeve mblidhen në mënyrë aritmetike. P.sh. mund të jepet dënimi me 24 vjet burg, që i ka dhënë njëra gjykatë, por jo më shumë se 25 vite. Pra nuk mund të bëhet mbledhja e dy dënimeve të Kajollit nga gjykata e Romës dhe Torinos dhe gjykatat italiane duhet të mblidhen dhe duhet të shprehen.

Po pse marrëveshja e ekstradimeve hyri në fuqi në gusht 2011 dhe arrestimi u bë tani në prill?
Kjo është e varur nga kërkesat që kanë bërë italianët. Duhet të jetë një rifreskim. Edhe para se të hynte në fuqi marrëveshja, një personi, të cilin ata e kishin në procedim i kanë nxjerrë urdhëra ndërkombëtarë dhe Interpoli e ka patur.

Pra kërkesa ka qenë që kur ishit ju prokuror i Përgjithshëm?
Kërkesa ka qenë në zyrën e Interpolit dhe në të gjitha këto çështje u kemi thënë çfarë materiale keni hajdeni të fillojmë, sepse ne si prokurori nuk mund të ekstradojmë shtetasit tanë. Italianët sollën një pjesë. Por nga ana tjetër të ndalon parimi kushtetues që të dënohesh dy herë për të njëjtën vepër penale.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe temperatura të ulëta, parashikimi i motit për sot

Vranësira dhe temperatura të ulëta, parashikimi i motit për sot