TIRANE- Lënia e lirë e Halil Ficit, shtetasit shqiptar që kërkohej nga drejtësia italiane, ka tentencë të mbyllet me “justifikimin” se nuk kishte hyrë në fuqi marrëveshja e ekstradimit mes 2 shteteve.

Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme tha se Fici ishte shtetas në kërkim kombëtar, pra që nuk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe s’mund të arrestohej në Shqipëri.

Ndërsa Theodhori Sollakut, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, thotë se “Në bazë të nenit 39 të Kushtetutës ekstradimi i shtetasit shqiptar mund të lejohet vetëm në bazë të një marrëveshjeje, ku Shqipëria është palë dhe vetëm me vendim gjyqësor. Në muajin gusht 2011 ka hyrë në fuqi marrëveshja e ekstradimit midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Halil Fici u vra bashkë me kunatin e tij Astrit Gjepali afër Rrogozhinës mesditën e 16 janarit 2014.

“Në bazë të nenit 39 të Kushtetutës, ekstradimi i shtetasit shqiptar mund të lejohet vetëm në bazë të një marrëveshjeje ku Shqipëria është palë dhe vetëm me vendim gjyqësor. Në muajin gusht 2011 ka hyrë në fuqi marrëveshja e ekstradimit midis Shqipërisë dhe Italisë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, dy shtetet kanë rënë dakort që të ekstradojnë edhe shtetasit e tyre, nëse shteti kërkues ka nxjerrë një urdhër arresti apo ka një vendim gjyqësor dënimi të formës së prerë.

Në këto raste, së pari lokalizohet personi, në ngarkim të cilët janë nxjerrë një nga dy vendimet e sipërcituara, pastaj arrestohet, në pritje të ardhjes së dokumentacionit të nevojshëm që justifikon ekstradimin”, tha ai për Shqiptarja.com.

Sipas ish-kreut të Akuzës, pavarësisht vendimit të gjykatës që lejon ekstradimin, është ministri i Drejtësisë ai që firmos përfundimisht në lidhje me ekstradimin e një shtetasi shqiptar, për t’u dorëzuar jashtë vendit. 

Kështu, shpjegon ai, përpara gushtit 2011, shtetasit shqiptarë, megjithëse mund të kishin urdhëra arresti apo vendimi dënimi të formës së prerë, nuk mund të ekstradoheshin për shkak të mungesës së marrëveshjes dypalëshe. Para asaj periudhe, kryesisht është vepruar me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të dënimit të formës së prerë dhe ekzekutimin e tyre në Shqipëri.

“Ndërsa, përsa u përket rasteve të urdhërave të arrestit, ato janë ekzekutuar edhe përpara gushtit 2011 për ato raste kur autoritetet italiane ishin dakort që, me Letër Porosi, të vinin në dispozicion të Prokurorisë shqiptare të gjitha provat në ngarkim të personit që ndodhej në Shqipëri, duke hequr dorë nga vazhdimi i procedimit të mëtejshëm të tij në Itali”, deklaroi Theodhori Sollaku.

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)