14 për qind e popullsisë globale në moshë madhore dëshiron të emigrojë. Ky është rezultati i një sondazhi global, që Gallup ka realizuar, duke pyetur direkt mbi 586 mijë persona nga 156 vende të ndryshme të botës.
 
Sipas sondazhit të Gallup mbi 710 milionë persona në gjithë botën duan të largohen nga vendi i tyre.
 
Pas qytetareve te Sierra Leones, shqiptarët renditen në vendin e dytë me përqindje të barabartë me Haitin për numrin e personave që duan të largohen nga vendi.
 
Konkretisht, sipas sondazhit, më shumë se gjysma e shqiptarëve, përkatësisht 56 për qind e popullsisë duan të emigrojnë.
 
Sipas sondazhit, shtetasit më dëshirën më të lartë për të emigruar nga vendi i tyre janë qytetarët e Sierra Leones, një vend i mbërthyer nga luftërat civile dhe konfliktet e armatosura.
 
62 për qind e popullsisë së Sierra Leones do të donte të largohej nga vendi. Pas Shqipërisë, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.
 
Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016.


dy.b/shqiptarja.com