Pa Sali Berishën në krye të saj, Partia Demokratike merr më shumë vota. Ky është rezultati i një sondazhi në Report Tv dhe Shqiptarja.com, i ngritur mbi pyetjen, “Po të mos ishte Berisha në krye të saj, a do të ktheheshe të votojë PD-në?
Në sondazhin e nisur më 31 tetor, nga 919 vota në total, të cilat janë unike, pra një qytetar mund të votojë vetëm 1 herë, mbi 50% e qytetarëve që kanë shprehur mendimin e tyre, vlerësojnë se Po, do të ktheheshin të votonin për Partinë Demokratike, vetëm nëse Sali Berisha nuk do të ishte kryetar i saj.
Pra thënë më thjesht, kjo kategori zgjedhësish, 50.4%, edhe pse më herët kanë votuar djathtas, së fundmi janë detyruar të mos votojnë për partinë që ata preferojnë, PD-në, vetëm se drejtimin e saj vijon ta ketë Berisha.
Në sondazhin me vota unike të Report Tv dhe Shqiptarja.com, 38.9% e personave që janë bërë pjesë e tij, thonë se nuk do të votonin për PD-në, edhe sikur Sali Berisha të largohej prej saj. Këta mund të jenë të zhgënjyer me Partinë Demokratike në përgjithësi, votën ndaj së cilës nuk do e jepnin më, pavarësisht se kush do të ishte në krye të saj.
Sipas sondazhit, me 916 vota totale unike. 10.7% janë në mëdyshje, dhe pyetjet se “po të mos ishte Berisha në krye të saj, a do të ktheheshin të votonin PD-në”, i janë përgjigjur me Nuk e di.
Në zgjedhjet e 11 majit, ku socialistët siç kanë nisur prej 2017-a e më tutje, kanë shkuar të vetëm në garat për parlamentaret, PD, në traditë koalicionesh, me 25 parti politike së fundi, mori rreth 528 mijë vota, ndërsa socialistët 855 mijë vota, që i dhanë numrin më të madh ndonjëherë në kuvend të një force politike, 83 mandate. Sfida e radhës, ku PD këtë radhë është fshehur pas të pavarurve dhe jo me kandidatë të sajë zyrtare, është ajo e 9 nëntorit, për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki.
Rezultatet e sondazhit në Shqiptarja.com
Komente










