Bullgaria me këngëtaren DARA triumfoi në Eurovision Song Contest 2026 me këngën “Bangaranga”, duke rrëmbyer trofeun e edicionit jubilar të 70-të me 516 pikë. Një natë spektakolare në arenën “Wiener Stadthalle” të Vjenës, mes emocioneve, performancave shpërthyese dhe polemikave për pjesëmarrjen e Izraelit, kurorëzoi Bullgarinë fituese të festivalit më të madh europian të muzikës.

Në vendin e dytë u rendit Izraeli, mes polemikave e fishkëllimave në momentin e shpalljes së rezultatit të televotimit. Rumania u rendit e treta me 296 pikë, Australia e katërta me 287 pikë, ndërsa Italia me Sal Da Vinci u pozicionua në vendin e pestë me 281 pikë. Britania e Madhe u rendit e fundit me vetëm një pikë. Mbrëmja u karakterizua nga një garë e ashpër dhe tepër e fortë mes Izraelit dhe Bullgarisë. Pas këtij triumfi, Eurovision 2027 do të mbahet në Bullgari.

Shqipëria që përfaqësua nga Alis Kallaci me këngën ‘Nan’, u rendit në vendin e 13 me 145 pikë, nga të cilat 85 pikë ishin mbështetja nga publiku dhe 60 nga juria. Shqipëria mori pikët maksimale (12) nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi. Në votat e saj, Shqipëria i dha 12 pikët maksimale Italisë dhe 10 pikë Norvegjisë.

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.

Balada “Nân” nuk është thjesht një këngë; është një himn për dhimbjen e emigracionit dhe mallin e nënës që pret fëmijën, një mesazh që ka rezonuar çka bëri që edhe gjiganti mediatik britanik, BBC, ta theksojë si një perlë të këtij festivali.

1778960602_eurovizion2026.png

Alis duke performuar në Eurovision

Finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit, në Vjenë, u kthye në një maratonë flakësh dhe akrobacish. 25 shtete ishin në garë, ndërsa pritja për rezultatet ishte e gjatë. Artistët parakaluan me flamujt e tyre, ndërsa Australia, e përfaqësuar nga “Barbie” Delta Goodrem, kishte fansa të zjarrtë. Këngëtarja ukrainase Viktorija Leléka, në fund të performancës së saj, bërtiti: “Slava Ukraini!”, “Lavdi Ukrainës”, mes duartrokitjeve të publikut.

Sal Da Vinci me këngën “Per sempre sì” mbajti lart flamurin italian. “Bangaranga” e bullgares Dara jehoi kudo, ndërsa Antigoni, që beson se është Shakira, me këngën “Jalla” hipnotizoi publikun. Por edhe koreografia popullore e Sal Da Vincit, me nusen që zbulon poshtë fustanit flamurin trengjyrësh italian, elektrizoi sallën.  “Da Vinci”, u njoftua gjatë spektaklit, se “do të jetë një nga ambasadorët e kandidaturës së këngës klasike napolitane për t’u shpallur pasuri e UNESCO-s”, në eventin e 5 qershorit në Arena di Verona.

Në arenën “Wiener Stadthalle”, rituali vazhdon: Monroe për Francën mahnit publikun, ndërsa Satoshi nga Moldavia bën të gjithë të kërcejnë. Por protestat kundër pranisë së Izraelit nuk ndalen. Helikopterët fluturonin mbi qytet teksa marshonte protesta pro Palestinës, me rreth tre mijë persona dhe polici të vendosur në çdo cep.

Marshimi pro-Palestinë nëpër rrugët e Vjenës të shtunën pasdite 

“Të ftosh Izraelin në një skenë prestigjioze si Eurovision është një fyerje për të gjithë njerëzit që besojnë te humanizmi, dashuria dhe solidariteti”, deklaroi artisti kongolezo-austriak Patrick Bongola, një nga organizatorët e protestës.

Pesë shtete bojkotuan eventin, Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, në platformën X, deklaroi se “ndihet në anën e duhur të historisë”. Për izraelitin Noam Bettan me këngën “Michelle” pati si fishkëllima ashtu edhe duartrokitje të forta.

Renditja e shteteve

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:57
Votat e jurisë në finalen e Eurovision/ Shqipëria vlerësohet maksimalisht nga Portugalia, renditet në vendin e 14! I jep 12 pikë Italisë

Votat e jurisë në Eurovision 2026 kanë sjellë surpriza dhe një garë të fortë mes vendeve favorite. Në krye të renditjes është ngjitur Bullgaria me 204 pikë, e ndjekur nga Australia dhe Danimarka, të dyja me nga 165 pikë. Franca renditet e katërta me 144 pikë, ndërsa Finlanda mbyll top 5 me 141 pikë. Italia pozicionohet në vendin e gjashtë me 134 pikë.

Shqipëria renditet në vendin e 14 me 60 pikë nga juritë kombëtare. Ndërkohë, Italia ka marrë mbështetje të konsiderueshme gjatë votimit të shteteve. Malta i dha 10 pikë, Ukraina 4, Bullgaria 6, Estonia 6, Izraeli 3 dhe Australia 1 pikë. Gjermania e vlerësoi Italinë me 10 pikë, Belgjika me 6, ndërsa Shqipëria i dha 12 pikët maksimale.

Portugalia ishte ajo e cila i dha Shqipërisë pikët maksimale, pra e votoi me 12 pikë. Ndërkohë që vendi fqinj, Mali i Zi i dha vendit tonë 10 pikë. Greqia nga ana tjetër e votoi vendin tonë me vetëm 1 pikë.

Pikët nga Juria për Alisin:
Portugalia: 12 pikë
Mali i Zi: 10 pikë
Kroacia: 8 pikë
Qipro: 8 pikë
Malta: 6 pikë
Azerbajxhani: 6 pikë
San Marino: 5 pikë
Belgjika: 3 pikë
Izraeli: 1 pikë
Greqia: 1 pikë
Ora 22:51
Finalja e Eurovision/ I maskuar si robot, Lion Ceccahnga Lituania interpreton mes emocioneve ‘Sólo Quiero Más’

Foto: Lion Ceccahnga

Lituania ka sjell një baladë për rrezikun e inteligjencës artificiale në Eurovision 2026.

Kënga, e interpretuar në gjashtë gjuhë, i bën thirrje publikut të shkëputet nga algoritmet dhe të rikthehet te realiteti njerëzor.

Për ta theksuar mesazhin, artisti drag Lion Ceccah shfaqet i lyer nga koka te këmbët me bojë argjendi, si një robot retro.

Ora 22:08
BBC për performancën e Alis në finalen e Eurovision: Emocionuese

BBC e ka cilësuar performancën e Alis emocionuese. Në një artikull media prestigjoze shkruan se baladës prekëse të Alisit, Nân, fshihet një histori personale, e cila tregon historinë e një nëne që qëndron në pragun e derës, duke pritur që fëmija i saj të kthehet në shtëpi.

“Është një histori e njohur në Shqipëri ku, që nga rënia e komunizmit në vitin 1991, rreth 40% e popullsisë ka emigruar. Në skenë, rolin e nënës së Alisit e luan aktorja e njohur Rajmonda Bulku, e cila i jep këngës një peshë shtesë emocionale”, shkruan BBC.

Ora 22:04
Finalja e Eurovision, Rama: ‘Nân’, ka prekur zemrat e publikut! Votoni Shqipërinë dhe mbështesni artistin tonë

1778958444_eurovizion2026.jpg

Foto: Alis Kallaçi

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë Alis, i cili edhe njëherë drithëroi skenën e Eurovision me performancën e tij.

“Alis ngjitet në finalen e Eurovision2026 me “Nân”, një këngë që ka prekur zemrat e publikut kudo dhe që sjell në skenë emocionin, identitetin dhe shpirtin shqiptar.

Ftojmë të gjithë ta mbështesin Shqipërinë dhe artistin tonë duke VOTUAR 05! Suksese Alis”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ora 21:53
Finalja e Eurovision/ Ukraina emocionon publikun me ‘Ridnym’

Artistja Leléka ka dhuruar emocione teksa ka performuar  këngën ‘Ridnym’.

Ukraina është kualifikuar vazhdimisht për finalen e Eurovisionit që kur filloi të marrë pjesë në vitin 2003 dhe fitoi në vitin 2004 me këngën "Wild Dances" të Ruslanës, në vitin 2016 me këngën "1944" të Jamalës dhe në vitin 2022 me këngën "Stefania" të Kalush Orchestra.

Ora 21:38
Alis elektrizon skenën e Eurovision, ‘Nan’ ngre publikun në këmbë

1778960513_eurovizion2026.jpg

Këngëtari nga Shkodra ka dhuruar edhe një herë tjetër një performancë spektakolare, duke elektrizuar skenën e madhe të Vienës.

Performancën e bën akoma më interesante prania e aktores Rajmonda Bulku në skenë, teksa tashmë misioni i vetëm për të gjithë shqiptarët nëpër Botë është vota për numrin 5.

Ora 21:30
Finalja e Eurovision 2026/ Performon Izraeli i përfaqësuar nga Noam Bettan me këngën ‘Michelle’

Noam Bettan me këngën ‘Michelle’, përfaqësoi Izraelin në finalen e Eurovision.

Që në fillim Interpretimi i tij u prit me me brohërima dhe duartrikitje.

Ora 16:31
Në prag të finales së Eurovision, Alis Kallaçi thirrje shqiptarëve për të votuar ‘Nân’: Jam pafundësisht mirënjohës

1778941652_eurovizion2026.jpg

Në prag të finales së Eurovision Alis Kallaçi u ka bërë thirrje shqiptarëve të votojnë këngën ‘Nân’ kur të hapet votimi në 21:00.

Përmes një postimi në rrjetet sociale artisti shprehet mirënjohës për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe kanë pëlqyer këngën.

“Televotimi hapet sonte në 21:00! Jam pafundësisht mirënjohës që po e dëgjoni “Nân” dhe po i dhuroni kaq shumë dashuri!

Në imazhe gjeni kodet për çdo shtet. Kur të hapet votimi, mund të mbështesni Shqipërinë duke votuar 05.

Nëse nuk e shihni shtetin ku ndodheni në fotot sipër, mund të votoni që tani online nga kudo në botë në esc.vote

Faleminderit që e keni bërë “Nân” tuajën”, shkruan artisti.