Paris SG mund të bëhet sonte skuadra e dytë në histori pas Real Madrid që fiton dy herë radhazi Superkupën e Evropës. Francezët fitues të Champions League do të diskutojnë sonte në Salzburg trofeun kundër Aston Villa-s, që në maj mposhti Freiburg në finalen e Europa League.

Francezët e drejtuar nga Luis Enrique konsiderohen favoritë përballë anglezëve, por kanë shumë dyshime në formacion për shkak se lojtarët janë bashkuar me vonesë si pasojë e Botërorit. Nuk dihet nëse sonte do të luajnë lojtarë si Dembele, Barcola, Doue, Fabian Ruiz, Ashraf Hakimi, Lucas Hernandez dhe Zaire-Emery. Megjithatë duket i sigurtë debutimi i Maghnes Akliouche në krahun e djathtë të sulmit pas blerjes nga Monaco, por edhe Lucas Digne i ardhur nga Aston Villa.

Anglezët kanë humbur gjithashtu lojtarë të rëndësishëm në merkato si Morgan Rogers i cili u largua te Chelsea për 138 milionë euro, por edhe Tielemans i cili shkoi te Manchester United. Edhe pse është afruar Johan Manzambi pas shkëlqimit në Botëror zvicerani do mungojë për shkak dëmtimi.

Trajneri i Aston Villa-s Unai Emery më herët ka drejtuar Paris SG, ndërsa ky është sezoni i katërt në krye të anglezëve. Në 3 raste të mëparshme ai ka dështuar të fitojë Superkupën, ndërsa Luis Enrique i Paris SG ia ka dalë në dy raste që ka marrë pjesë. Megjithatë ndeshja e fundit mes Aston Villa-s dhe Paris SG në Champions League është fituar 3-2 nga anglezët, por më tej u kualifikua Paris SG si pasojë të fitores në ndeshjen e parë çerefinale.

 

Interesant edhe fakti që finalen e Superkupës për herë të parë e gjykon një arbitër jo evropian. Omar Artan nga Somalia ka marë besimin për këtë ndeshje, pasi iu premtua nga UEFA ditën që SHBA nuk e la të futej në territorin e saj, duke i hequr mundësinë për të arbitruar në Botëror.