Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar të premten një takim me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan.

Lidhur me këtë takim, vetë Sorensen shkroi shkurtimisht në rrjetin social ‘X’, ku tha se diskutimet janë përqëndruar te dialogu Kosovë-Serbi dhe te arritjet e fundit.

Gjithashtu ai tha se është siguruar harmonizimi për hapat e mëtejshëm të dialogut mes dy vendeve.

“Takim i shkëlqyer me Zyrtarin e Lartë të Byrosë, Brendan Hanrahan në Departamentin e Shtetit. Diskutuam për dialogun, shqyrtuam arritjet e fundit dhe siguruam harmonizimin në hapat përpara”, shkroi Sorensen në rrjetin social ‘X’.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Sorensen qëndroi në Kosovë, ku pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi se është arritur një marrëveshje për çështjen e Ligjit për të huajt, që ka të bëjë kryesisht me serbët.