Sot 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, Begaj mesazh politikës: Punoni bashkë për sfidat me të cilat përballet Shqipëria

Sot shënohen 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar. Kjo ditë e shënuar u festua në Lushnjë me këngë e valle popullore shqiptare.

I pranishëm në muzeun “Kongresi i Lushnjës” ishte edhe presidenti Bajram Begaj. Edhe në këtë ditë, Begaj zgjodhi që t’i përçojë një mesazh politikës dhe i bëri thirrje që të punojnë bashkë për të adresuar sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë.

“E shkuara duhet të kujtohet. Duhet të kujtohet jo vetëm për të kujtuar figurat e rëndësishme e ngjarjet e rëndësishme, por edhe si një moment reflektimi për të nxjerrë mësime. Kongresi i Lushnjës na frymëzon, ata delegatë vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme. Për sfidën e kohës ata vendosën që është e rëndësishme Shqipëria para interesit të tyre. Edhe sot është një thirrje shumë e madhe për ne që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ti përballuar me sukses dhe për të frymëzuar popullin shqiptar siç frymëzoi Kongresi i Lushnjës”, tha Begaj.

Begaj më pas vijoi vizitën në Manastirin e Ardenicës, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi.

 

Balla në fjalën e tij u shpreh se në godinën e Kongresit të Lushnjes filloi ribashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm si dhe theksoi se edhe parlamentarizmi e ka zanafillën e vet këtu. 

“Kjo është ditë e rëndësishme jo vetëm për Lushnjen por për gjithë kombin shqiptar, pasi zanafilla e shtetit shqiptar ka në gjerdanin e vet të çmuar Kongresin e Lushnjes, i cili ishte momenti historik ku u ndërmorrën vendime që lidhen me refuzimin e vendimit të fuqive të mëdha për copëzimin e Shqipërisë dhe prej momentit të Kongresit të mbajtur në këtë godinë filloi ribashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Gjithashtu vlen të theksoj se edhe parlamentarizmi e ka zanafillën e vet këtu”, u shpreh Balla. 

Kongresi i Lushnjës
Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
103 vjet nga Kongresi i Lushnjës, Meta: Mesazh për reflektim, të ecim në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin

Ilir Meta ka ndarë një foto me anë të një postimi në rrjete sociale ku shrpreh mirënjohjen e tij për ata patrotë në Kongresin e Lushnjës, të cilët kanë vendosur interesin kombëtar mbi gjithçka tjetër.

"Mirënjohje të gjithë patriotëve nga të gjitha trevat e vendit që 103 vite më parë u bashkuan në Kongresin e Lushnjes për hir të interesit kombëtar, zhvleftësuan paktet e fuqive të huaja për të zhbërë shtetin shqiptar dhe izoluan mercenarët vendas, duke rimëkëmbur shtetin modern shqiptar. Vendimet e atij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar", shkruan Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë në faqen e tij në facebook. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lushnjari: 21/01/2023 15:24

    Kongresi i Lushnjes ka qenë një nga eventet kryesore të historisë së Shtetit Shqiptar por ende sot nuk ka vëmendjen e duhur dhe nuk kujtohet aq sa duhet!Minimumi duhet të ishte caktuar si ditë feste Kombëtare. Kongresi qe zanafilla e formimit të Shtetit por diskriminimi territorial që ju bë vazhdimisht Lushnjes dhe "lalëve" në kohë bëri si që të kalonte si një event i zakonshëm...TURP dhe vetëm TURP për këtë vënd dhe këta politikanë vampira gjakpirës

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë