Sot 7 marsi, ditë vlerësimi për rreth 30 mijë mësues! Nxënësit urojnë me lule në duar

Sot, rreth 30 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë festojnë 7 marsin. Dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët.

Kjo ditë festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.

Në këtë ditë të shënuar, nxënësit nuk harrojnë dhe një dhuratë mësuesit. Lule, kartolina, por edhe dhuratat të tjera, përfshirë edhe zarfe me lekë.

Urime kanë ardhur edhe nga klasa politike, kryeministri Rama e ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Nga ana tjetër, kreu i PL ngre shqetësimin për paga më të mira për mësuesit. 

Si sot 137 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:35
Basha uron 7 Marsin me mamin mësuese: Kam besim, se ditë më të mira do të vijnë për çdo mësues shqiptar

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar 7 Marsin. Me një foto familjare ku në qendër është mamaja mësuese, Basha ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë me shumë sakrifica por me shumë dashuri misionin e mësimdhënies.

‘Nga zemra dua të uroj çdo mësues shqiptar të djeshëm e të sotëm Gëzuar 7 Marsin! Mirënjohje për çdo ditë të jetës që me vështirësi dhe sakrifica por me shumë dashuri i’a keni kushtuar dhe kushtoni mësimdhënies.

Çdo 7 Mars është një ditë e çmuar edhe për familjen tonë. Prandaj edhe sot një urim i veçantë shkon për nënën time që shërbeu një jetë të tërë si arsimtare për shumë breza nxënësish dhe prindërish që e urojnë dhe kujtojnë si zyshën e tyre të preferuar. Kam shumë shpresë dhe besim, se ditë më të mira do të vijnë për çdo mësues shqiptar.’- shkruan Basha.

Ora 08:36
Sot 7 Marsi, Meta: Mësuesit meritojnë trajtim dinjitoz, paga dhe pensione të larta

1709572011_ilirmeta.JPG

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka uruar mësuesit në ditën e 7 Marsit.

‘Gëzuar 7 Marsin për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë! Një urim i veçantë për të gjithë ata që sot janë në pension, por që aq shumë i kanë dhënë arsimit dhe edukimit të brezave! Mirënjohje dhe respekt përjetë! Ju nuk meritoni vetëm lule dhe fjalë të bukura, por sa më parë një trajtim dinjitoz, me paga dhe pensione të larta!’ shkruan Meta.

Ora 08:27
Nikolla uron mësuesit me rastin e Festës së 7 Marsit: Talenti e përkushtimi juaj, investim për të ardhmen

1707244224_16856018341662999861LinditaNikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.

“Me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit, mirënjohje dhe urimet e mia të përzemërta për koleget dhe kolegët mësuese e mësues. Për dashurinë, dijet dhe vlerat që u japin vajzave dhe djemve të Shqipërisë. Talenti, përkushtimi dhe sakrifica e tyre janë investimi më i mirë për të ardhmen. Sepse progresi i arsimit është kusht dhe faktori kryesor i progresit të vendit.”- shkruan Nikolla.

Ora 08:23
7 Marsi/ Veliaj letër mirënjohjeje mësuesve: Me shembullin tuaj, nxënësit e sotëm do të bëhen qytetarët e denjë që Tirana Jonë meriton

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar dhe shprehur mirënjohjen ndaj mësuesve të qytetit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Përmes një letre, që çdo mësues dhe mësuese ka marrë mëngjesin e sotëm, ai ka përshëndetur dhe vlerësuar kontributin dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin e brezit të ri.

Kreu i Bashkisë u shpreh mirënjohjen për punën e tyre në rritjen e qytetarëve të denjë për kryeqytetin. Letra përfundon me urimet për mësuesit për Diten Kombëtare të 7 Marsit. “

Letra e plotë

Të dashur mësues,

Një jetë e tërë, një përjetësi madje, e ka shënjuar figurën e mësuesit si më të rëndësishmen për njerëzimin. Më parë ishin mjeshtrit dhe dishepujt, sot janë mësuesit dhe nxënësit. Njëlloj si mjeshtrit dikur, mësuesit sot janë̈ të pazëvendësueshëm, misioni i tyre i paçmuar. Nuk ishte e rastit që një shkrimtar i madh si Albert Kamyja, kur mori Nobelin, i shkroi mësuesit: “Kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas atij për nënën time, ishte për ju. Pa dorën e ngrohtë që i zgjatet fëmijës së varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga e gjithë kjo”.

Kamyja qe fatlum me mësuesin e tij. Zhermeni, mësuesi, qe fatlum me nxënësin e tij. Se nuk e kanë të gjithë rastin të edukojnë një Kamy. Por, me siguri, një mësues që meriton letër mirënjohjeje nga Kamyja, duhet të ketë qenë mësues me M të madhe, pra nuk ka shpërfillur asnjë nxënës, duhet t’ua ketë zgjatur dorën të gjithëve.

Sot, në dorën e njërit apo tjetrit mësues të Tiranës, në mos një Kamy, duhet të jetë dikush me potenciale të jashtëzakonshme, të cilit i lypset dora, mësimet, shembulli që ia jepni pa ngurrim, kam bindjen, sikurse Zhermeni Kamysë. E njëherësh, kam bindjen se, si mësues me M të madhe, përkushtimin nuk ia mohoni asnjë nxënësi. Ata e meritojnë, që të gjithë. Nesër do t’ua shpërblejnë duke shkëlqyer, secili në mënyrën e vet.

Gjatë verës që shkoi, një grup nxënësish emigrantë shqiptarë në Greqi, erdhën për herë të parë në Tiranë. Me këtë rast vizituan shkollën Kosova. “Ne në Greqi, - thanë, - nuk kemi një shkollë si kjo”. Çfarë krenarie! E provoj shpesh këtë ndjenjë, sa herë më vjen një mesazh i përsëritur: “Do të kisha dashur të mësoja në një shkollë si kjo!”. Janë mesazhe ish nxënësish që shohin shkollat e tyre me fytyra të reja. Ato të ish nxënësve të “Asim Vokshit” i kam të freskëta, por mirënjohës, i ruaj edhe mesazhet e ish nxënësve të “Partizanit”, “Sami Frashërit” e me radhë...

Nuk do të vijoj me listën e shkollave që kemi transformuar apo ngritur nga e para. Është shumë e gjatë për një letër të shkurtër, përmes të cilës desha t’ju përgëzoj, falenderoj dhe dëshmoj kënaqësinë e bashkëpunimit. Se bashkëpunim është: Ne bëjmë shkollat, ju nxirrni ekselentët, diademat e kurorës së Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut. Por, sot kryefjala jeni ju!

Në ditën tuaj, do t’i kthehem Kamysë për të shprehur me fjalët e tij, bindjen se me ju, me dorën e ngrohtë që u zgjasni, me mësimet dhe shembullin tuaj, nxënësit e sotëm do të bëhen qytetarët e denjë që Tirana Jonë meriton.

Gëzuar 7 Marsin!

Erion Veliaj Kryetari i Bashkisë Tiranë

Ora 08:10
VIDEO/ Rama uron 7 marsin: Mirënjohje dhe respekt për mësuesit në çdo krahinë të Shqipërisë dhe diasporë

Kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar. Rama shpreh mirënjohje dhe respekt për mësuesit në të gjithë krahinat shqiptare dhe diasporë.

Kreu i qeverisë ka uruar me një video të veçantë, ku nxënësit këndojnë ‘Himnin e Mësuesit’.

"MIRËMËNGJESI dhe duke ju uruar Gëzuar 7 Marsin me “Himnin e Mësuesit”, kënduar nga nxënësit e shkollave të Tiranës dhe kori i Liceut Artistik, me mirënjohjen më të thellë dhe respekt për mësuesit e çdo krahine të Shqipërisë, të trojeve ku flitet shqip dhe diasporë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama. 

 

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Linda: 07/03/2024 14:14

    Gezuar 7 Marsin urime sa me te bukura per gjithe mesuesit brenda dhe jasht Shqiperis! Gezuar dhe gjithe mesuesve te dashur pensionist kudo qe ndodhen!

    Përgjigju
  • Pet.: 07/03/2024 10:08

    "Kam shumë shpresë dhe besim, se ditë më të mira do të vijnë për çdo mësues shqiptar.’- epo meqe nuk ka ku te shkoje me keq se keshtu,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë