8 Marsi festë dhe protestë, gjesti i veçantë i policisë në Vlorë! Rama 'thumbon' paraardhësit, Meta: Gratë s'duhet të keqpërdoren nga politika

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila u shënua fillimisht në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë protestohet dhe festohet në shumë vende të botës. Në Shqipëri kjo datë është kthyer më shumë se një ditë proteste, në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat, të cilat ndihen të privilegjuara. Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi. 

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në Nju Jork. Por përfundimisht, 8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante. Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:31
Gruaja e parë që ka marrë pjesë në një garë makinash...urimi ndryshe për 8 mars i Drejtorisë së Transportit (VIDEO)

Drejtoria e Transportit Rrugor ka zgjedhur ta urojë ndryshe 8 marsin. Në fokus të saj është historia e 5 grave që flasin për një për një pasion që shpesh cilësohet si mashkullor, por ata bëjnë diferencës. Mes tyre kanë edhe mesazhe të ndryshme në këtë 8 mars.

Julinda Dhame: Makina ime ka qenë një Toyota Land Cruiser. Ka pasur një gomë një metër dhe kam përplasur nja dy mure shtëpisë. Pasioni për Rally nuk ishte i imi, por i shokëve të mi. Menduam të shihnim Paris Dakar, dhe vendosëm ta bënim edhe në Shqipëri. Makina s’më ka lënë në rrugë, dhe më duhej ta ndërroja vetë gomën, edhe pse kisha thonjtë me xhel. Mjeti ëndrrave të mija është një mjet sportiv Audi R8. Nuk e kam qenë e diskriminuar, jam e para femër që jam marrë me gara me makina dhe më kanë marrë si një model të mirë. Mesazhi im për femrat shqiptare, që janë shumë të sjellshme është të merren me veten e tyre dhe pasionin e tyre.

Eni Daka: Ka qenë një Mercedes Benz 307, furgon, ngjyrë e verdhë. Pasioni për “Pandat” vjen i trashëguar nga babai. Mjeti ëndrrave është një Panda, por tanimë katër herë katër. Shpesh herë jam ndjerë e diskriminuar në rrugë, pasi Panda është makinë e vogël dhe shpesh nuk hapin rrugë. Mesazhi im është që femrat shqiptare duhet të kenë guxim të ngrejë zërin dhe të kërkojnë që të drejtat e tyre të respektohen.

Xheni Haluli: Ka qenë një Nissan Nicra, i vogël me ngjyrë të kuqe. Pasioni i motorit nga babi. ai më ka mësuar të lëvizja me motor. Pasi mora patentën doja t'i jepja vetë dhe do i jap vetë, s’do rri më pasagjere. Motori më ka lënë në rrugë sistematikisht. Motori është sigurisht Harley Davidson, soft tale. Pasionin tim, që kam motorin më është dashur vite e vite për ta pasur timen dhe pavarësisht fjalëve që kam dëgjuar se femrat duhet të luajnë me lule, jo ky është pasioni im.

Balina Bodinaku: Modeli i vjetër, i parë, Mercedes Benz në një muze në Volzburg, sigurisht hipa dhe bëra foto. E diskriminuar jo, e gjykuar po. Shofera, shumica e tyre ndjejnë të nevojshme të japin dhe një mal me këshilla. Mesazhi im është duajeni veten, rrini vetvetja, guxoni të jeni vetja, kërkoni dhe gjeni veten tuaj më të mirë dhe luftoni gjithë jetën për të qenë ajo. Të mos bien preh e presionit të një modeli mashkullor në ngarjen e makinës, të qëndrojnë gratë në timon.

Alexia Karaguni: Klubi shqiptar i automobilit organizoi një garë karting autoslalom ku unë mora pjesë dhe fitova dhe mu dha mundësia të përfaqësoja Italinë në kampionatin botëror dhe garova me 25 vende të tjera të botës. Një pjesë me ka vlerësuar dhe lavdëruar, një pjesë tjetër ka pasur edhe xhelozi, por e kanë kuptuar se unë nuk ndikohesha nga kjo. Mesazhi im është që të mos ndikohen nga paragjykimet, apo çdo gjë që i pengon në rrugën e tyre.

Ora 21:23
8 Marsi/ gratë dhe vajzat e Bashkisë së Tiranës mbjellin pemë në Parkun e Farkës

8 Marsi është jo vetëm një ditë feste, por edhe një moment reflektimi për kurajon dhe punën e palodhur të grave dhe vajzave shqiptarë. Ndaj, me rastin e 8 Marsit, kryebashkiaku, Erion Veliaj zgjodhi një urim krejt ndryshe për gratë dhe vajzat e Bashkisë së Tiranës, duke iu bashkuar nismës së tyre për të mbjellë pemë në liqenin e Farkës.

“Dua të falenderoj me gjithë zemër të gjitha zonjat e palodhura që punojnë për Bashkinë e Tiranës. I japin shumë jetë, pasion dhe dinjitet qytetit tonë. Dua t’i falenderoj edhe për faktin se edhe pse 8 marsi filloi si protestë, e mandej u kthye në festë, gocat e Bashkisë së Tiranës zgjodhën një mëngjes pune, për t’i lënë Tiranës një pajë të jashtëzakonshme, më shumë gjelbërim dhe oksigjen në liqenin e Farkës. Sot kam vetëm mirënjohje dhe vetëm falenderime për të gjitha zonjat dhe zonjushat që punojnë për bashkinë tonë, duke filluar nga ato që merren me pastrimin, deri tek ato që janë në nivelin më të lartë, nënkryetare apo anëtare të këshillit bashkiak, apo drejtuese të shumë prej agjencive tona”, tha Veliaj.

Ai apeloi se ky 8 mars duhet të jetë edhe një moment reflektimi për burrat, për t’i thënë stop dhunës dhe diskriminimit gjinor.

“Sikur qyteti dhe Shqipëria të kishin më shumë zonja që drejtonin punët për t’i çuar përpara, do ishim akoma më mirë. Të qenit një nga pesë vendet e para në botë për barazinë gjinore është shumë inkurajuese, megjithatë kjo nuk mjafton kur vjen puna  tek shumë prej historive të shëmtuara që dëgjojmë. Shpresoj shumë që 8 Marsi më shumë se festë për gratë, të jetë një reflektim për burrat, për ata burra që ndoshta janë rritur keq, që për një arsye apo një tjetër mund të kenë problemet e tyre, por kjo nuk justifikon kurrë dhunën dhe diskriminimin”, theksoi ai.

Ora 18:01
I thotë të gjitha pa fjalë! Postimi i djalit të kryeministrit për nënën dhe gjyshen (FOTO)


Greg Rama, djali i kryeministrit Edi Rama ka uruar nënën dhe gjyshen me rastin e 8 Marsit. Greg 'nuk ka gjetur fjalë' për të uruar mamanë, aktoren e njohur Matilda Makoçi, teksa ka publikuar foton e saj në Instagram kur ka qenë e re, mbi të cilën ka shkruar thjesht emrin e saj duke e shoqëruar me një zemër. Në postimin e dytë ka publikuar foton e dorës së gjyshes mbi të cilën ka shkruar emrin e saj, Neta shoqëruar po me një zemër.

Ora 17:36
Kuptimi i fortë që kanë dy unazat e ambasadores Yuri Kim (FOTO)

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka dhënë një mesazh shumë domethënës me anë të një fotoje. Dy unaza, një nga nëna dhe një dhuratë për veten e saj, për të nxjerrë në pah fuqinë e gruas.

“Çdo ditë në dorën e djathtë mbaj një unazë që ma ka dhuruar mamaja ime dhe në të majtën, një unazë që ia bleva vetes kur fillova punë. Gëzuar festën e nënës! Gëzuar Ditën e Grave”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.

Ora 16:59
Lidhja demokratike e Gruas në Shqipëri 10 mijë lule për 10 mijë gra nga veriu në jug (FOTO)

Lidhja demokratike e Gruas në Shqipëri ka dhuruar ditën e sotme, për rastin e festës së gruas 10 mijë lule nga Veriu në Jug. Një simbolikë kjo e përdorur si një shpresë, optimizëm dhe besim për një ditë më të mirë.

"Sot ishim me mijëra gra dhe vajza në të gjithë Shqipërinë. Dhuruam mbi 10 mijë lule nga Veriu në Jug, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, Fier, Vlorë, Lezhë, Berat, Dibër, duke shpërndarë më shumë shpresë, optimizëm dhe besim se ditëmëtëmira do të vijnë! Ndryshimi nis me gratë! Gezuar 8 Marsin", shkruan Lidhja Demokratike e gruas së Shqipërisë.

Ora 15:56
8 arsye krenarie në këtë 8 mars nga vajzat e Ministrisë së Mbrojtjes (VIDEO)

Në urimin e saj për 8 mars, ministria e Mbrojtjes ka dhënë 8 arsye krenarie. Me anë të një video mesazhi, në fokus të së cilët janë vajza në ushtri, kanë dhënë mesazhe domethënëse, barazie, krenarie, përgjegjësie...

"I shërbejmë atdheut!
Kontribuojmë për më shumë siguri!
Krah komunitetit në çdo situatë të vështirë!
Përfaqësim dinjitoz në misione dhe akademitë ushtarake më në zë në botë!
Të barabarta me meshkujt në detyra dhe përgjegjësi!
Këmbëngulëse dhe të përgjegjshme në misionet e ngarkuara!
Model dhe motiv i shoqërisë shqiptare",
shprehen vajzat në video. Në fund videoja mbyllet "Ne jemi NATO".

Ora 15:39
Lëvizja e LGBTI i bashkohet valës së marshimeve të Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Ditës Ndërkombëtare të Gruas iu bashkua edhe lëvizja e LGBTI, të cilët protestuan për të drejtat e tyre.

Me pankarta në duar dhe thirrje "Drejtësi! Barazi!" ata marshuan nga qendra drejt zonës së ish-Bllokut.

Aktivistja kryesore e lëvizjes, Xheni Karaj kryesonte marshimin duke i rënë një daulleje.

Kujtomë që grupi i aktivistëve të LGBTI prej vitesh kërkojnë të drejtat e tyre që të mos diskriminohen në rrugë apo në ambiente të punës për shkak të preferencës së tyre seksuale, kur kjo është thjesht një zgjedhje personale.

Ora 14:46
Durrës/ Shoqata e Grave për Problemet Sociale marshim paqësor: Ndal dhunës, më tepër dashuri! (VIDEO)

Shoqata e Grave për  Problemet Sociale Durrës, ka organizuar një marrshim me të gjitha gratë dhe vajzat të cilat iu bashkuan në ditën simbol të tyre për të marshuar, kundër dhunës ndaj grave.

Marshimi u nis pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Qarku Durrës dhe vijoi më pas përgjatë gjithë rrugës drejt sheshit përpara Bashkisë Durrës.

Nëpërmjet këtij marshimi organizatorët u shprehën se vrasjet e ndodhura kohët e fundit, na vënë të gjithëve përballë përgjegjësive për të punuar më shumë jo vetëm si shoqëri civile por dhe si qytetarë për të denoncuar çdo rast dhune ndaj gruas shqiptare e për të mundësuar minimizimin deri në zhdukje të rasteve të tilla. 

Ne shpresojmë që tashmë 8 Marsi të shihet si një ditë ku gratë të kërkojnë të drejtat dhe liritë e tyre dhe jo si një ditë për t'u festuar, por për të protestuar. 

Ata vunë theksin në vrasjet e  Manjola Cukut dhe Hajdije Tasunit, ngjarje tragjike të ndodhura gjatë muaji shkurt. 

Shoqata e Grave për  Problemet Sociale Durrës përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje të gjtha grave tu bashkohen në këtë marshim.

Postimi i plotë:

Këtë fillim viti qyteti i Durrësit u trondit sërish nga dy vrasje makabre ku mbetën të vdekura dy gra, dy nëna , dy motra , dy bija, dy mikesha.

Pas ngjarjeve të vazhdueshme ku grave iu merret jeta nga partnerët e tyre , të gjitha gratë dhe vajzat e shoqërisë tonë ndjejnë frikë dhe pasiguri nga mbrojtja që ofrojnë institucionet dhe moszbatimi i legjislacionit.

Këto vrasje na vënë të gjithëve përballë përgjegjësive për të punuar më shumë jo vetëm si shoqëri civile por dhe si qytetarë për të denoncuar çdo rast dhune ndaj gruas shqiptare e për të mundësuar minimizimin deri në zhdukje të rasteve të tilla.

Eja dhe ti të marshojmë së bashku për të drejtat e grave dhe vajzave!

Marshimi do të nisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Qarku Durrës dhe do të vijojë përgjatë gjithë rrugës drejt sheshit përpara Bashkisë.

Ora 13:58
Mesazhi i ambasadores së SHBA për gratë shqiptare: Meritojnë gjithçka


Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka bërë një urim të veçantë në ditën ndërkombëtare të gruas. "Gratë shqiptare meritojnë falënderime dhe respekt për gjithçka që ata bëjnë për familjet e tyre, vendin e tyre dhe botën tonë. Unë e ndaj vendosmërinë tuaj për të bërë një ndryshim pozitiv, në ditën ndërkombëtare të gruas & çdo ditë" shkruan Yuri Kim.

Ora 13:47
Policia ndryshe nga herët e tjera, ndalon për të dhuruar lule për gratë e vajzat (VIDEO)

Policët e Vlorës kanë bërë një gjest shumë të veçantë ditën e sotme, Ditën ndërkombëtare të Gruas.

Në shumicën e rasteve ata i ndalojnë të tjerët kur thyejnë një rregull, por kësaj rradhe kanë shpërndarë lule në rrugë për gratë dhe vajzat.

Këtë të dielë policët kanë shperndarë karafila të kuq, meqe lulet janë simbol i paqes dhe mirësisë në të gjithë botën.

Kjo ka sjellë lumturi për shumë gra dhe vajza të qytetit të Vlorës.

1583671683_policetputhjelule.jpg

Ora 13:36
Zaho i dhuron lule gjyshes, Rama nxjerr foton: Nona gëzuar 8 marsin

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto shumë të veçantë, në të cilën shfaqet djali i tij i vogël, Zaho duke i dhuruar lule gjyshes, Aneta Ramës me rastin e 8 Marsit.  ‘Nona gëzuar 8 marsin❤’, shkruan Rama përkrah fotos.

Postimi i kryeministrit Edi Rama
Ora 12:35
8 Marsi, Fieri mbledh gra nga të gjtha qytetet me një thirrje të përbashkët: Jepi zë zërit tënd! (VIDEO)

Përveç kryeqytetit, edhe qyteti i Fierit është përfshirë nga Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, ku Platforma Kombëtare për Gratë, ka mbledhur gra nga i gjithë vendi.

Një pankartë e madhe ngjyrë e gjelbërt me shkrimin "Jepi zë zërit tënd" është vendosur në qendët të Fierit.

"Ky event organizohet nga rrjeti vullnetar Platforma Kombëtare për Gratë, një manifestim protestë për të vijuar në takmin rajonal ku do të marrin pjesë të gjitha gratë e ardhura edhe nga vende të tjera", është shprehur organizatorja.

Pjesë e organizimit janë vënë edhe gratë rome, të cilat janë të diskriminuara, të përjashtuara dhe të lëna në një cep të shoqërisë.

Gratë janë mbledhur për të bërë përpjekjen e tyre për zbatimin e të drejtave të grave dhe uljen e fenomentit të dhunës.

Gjthashtu kanë dhënë nga një mesazh gra të cilat janë pjesë e qytetit të Fierit apo nga qytet të tjera.

"Jemi dy gra të ardhura nga Kavaja, jemi bërë pjesë e veprimtarisë në vitin 2006 dhe nuk heqim dorë asnjëherë që të jemi gjithmonë forcë e juaja.

Gratë janë forcë e madhe e ndryshojnë botën dhe nuk duhet të lëjojmë dhunimin e gruas, ky fenomen që po na vret dita ditës, të gjitha do të bëjmë më të mirën e mundëshme", ëhtë shprehur ajo.

Një grua tjetër thotë se zëri i tyre duhet të dëgjohet në të gjithë botën, sepse nga ajo ka nisur jeta.

Një nga anëtarët e platformës është edhe një pjesëtare e këshillit bashkiak e cila është bërë pjesë në vitin 2013.

Gruaja me profesion mësuese ka nisur me një thëne të fortë: Pas një burri të fuqishëm fshhet një grua e fortë dhe e zgjuar.

"Kam ardhur këtu për t'i dhënë një shtysë forcës së grave", ka thënë ajo.

Nazmija është një mësuese, anëtare tjetër e platformës, e cila ndodhet në Fier  për Ditën Ndërkombëtre të Gruas.

Sipas saj gruaja duhet të mendojë dhe të mbrojë interesat e saj dhe kur të marrë një detyrë, duhet të flasë me zërin e gruas, vetëm në këtë mënyrë mund ta arrijë qëllimin.

Organizimet e shumta të 8 Marsit kanë vënë në qendër figurën e papërsëritshme të gruas.

1583669105_fier1.jpg

Ora 12:33
Urimi special i Veliajt për gratë dhe vajzat, këto janë bashkëpunëtoret që e rrethojnë (FOTO)

Sikurse e ka kthyer në një traditë, edhe këtë 8 Mars, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një urim special duke publikuar fotot e të gjitha bashkëpunëtoreve të tij. Veliaj i falënderon zonjat për punën e tyre për një qytet më të mirë. “Gëzuar 8 Marsin nga super ekipi i zonjave/zonjushave të Bashkisë së Tiranës! Faleminderit për gjithë kontributin që keni dhënë për Tiranën”, shkruan Veliaj.

Ora 12:29
Dita Ndërkombëtare e Gruas, marshim paqësor me pankarta dhe lule në kodrat e Liqenit Artificial (FOTO)

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, persona nga të gjitha grupmoshat me pankarta në duar kanë marshuar në kodrat e Liqenit Artificial.

Një protestë paqësore me në qendër firgurën e gruas, nënvlerësimin e saj nëpër botë dhe shtimin e fenomenit të dhunës.

Dita ditës ndodhin ngjarje makabre ku në shumicën e rasteve gruaja është viktima për arsye nga më të parëndësishmet.

Gruaja është qenie e brishtë që duhet të trajtohet me shumë kujdes edhe pse vazhdon akoma të trajtohet në mënyrën më të keqe të mundshme.

Në pankartat e mbajtura nga gra dhe burra shkruheshin:"Këtu luftohet patriarkati!"

"Mënyra më e shpejtë për të ndryshuar shoqërinë është moblizimi i grave të botës", "Dhuna nuk tolerohet nuk falet"

"Heshtja jote i jep pushtet dhunës".

Në sy kanë rënë edhe djem të rinj të cilët morën pjesë në marshimin paqësor, të cilët janë pro zbatimit të të drejtave të grave.

Në marshim përveç pankartave nuk munguan edhe lulet, si simbol i paqes dhe lumturisë në të gjithë botën.

Ora 10:35
Mesazhi i BE-së për ditën e gruas: Duhet të parandalohet dhuna

Në ditën e 8 marsit, delegacioni i BE-së në Tiranë e vendos theksin te parandalimi i fenomenit të dhunës. "Dhuna ndaj grave mund dhe duhet të parandalohet. Të gjithë duhet të aspirojmë për një botë të drejtë me barazi midis grave dhe burrave, dhe një botë ku të gjitha gratë jetojnë pa frikë dhe dhunë" thuhet në mesazhin e publikuar në Facebook.

Ora 09:53
Meta: S'duhet të keqpërdoren nga politika, falenderoj gratë që erdhën në 2 mars

Presidenti Ilir Meta shprehet se fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta, por, shton ai, ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer.

"Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN! Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t'ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e vendit. Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.

Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika. Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes. Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë. Një falenderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars PRANVERËS KUQEZI, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit. Bekuar qofshin vajzat e gratë shqiptare kudo në botë!" shkruan ai.

Ora 09:46
'Mami të duam shumë'! Mesazhi i veçantë i Bashës për 8 Marsin (FOTO)

Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar vajzat dhe gratë për 8 Marsin, por në një mënyrë të veçantë. "Mëngjesi sot nisi me një urim nga familja jonë për të gjitha vajzat dhe nënat shqiptare: Gëzuar 8 marsin" shkruan ai. Lideri demokrat postimin e ka shoqëruar me fotot e vajzave të tij, Dafina dhe Viktoria me urimin për mami Aurelën. "Gëzuar 8 marsin, mami të duam shumë'.

Ora 09:21
8 Marsi, Ruçi: Jemi më lart se BE për qeverisjen, problem dhuna dhe punësimi

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi krahas urimit me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, nënvizon se kjo është një ditë reflektimi duke theksuar edhe problemet në Shqipëri. “Sot mbushen 110 vjet nga festimi për herë të parë i Ditës Ndërkombëtare të Grave. Megjithë përpjekjet shekullore të njerëzimit, gratë dhe vajzat janë ende të diferencuara nga pjesa tjetër e shoqërisë. Krahas proceseve demokratizuese, shoqëria shqiptare është përfshirë gjatë dekadave të fundit në një proces emancipimi shoqëror e gjinor.

Por emancipimi gjinor është ende prapa shkallës së demokratizimit të shoqërisë. Ne kemi rezultate më të larta se BE në indeksin gjinor në fushën e qeverisjes, por nuk  mund të themi të  njëjtin konstatim për aspektet e tjera të barazisë gjinore. Indeksin e përgjithshëm të Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE. Barazia gjinore duhet të jetë në rradhë të parë në aksesin në tregje dhe pjesëmarrjen ekonomike. Dhe pjesëmarrja ekonomike është në radhë të parë pjesëmarrja në forcën dhe në tregun e punës. Gratë dhe kanë akses të pamjaftueshëm në treg.

Segmentimi dhe segregimi gjinor në tregun e punës mbetet një problem për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Shkalla e punësimit për gratë e vajzat është rreth 15 përqind më e ulët se e burrave, hendeku gjinor i pagave është në kufijtë 10 përqind. Gratë dhe vajzat janë më të privuara në akesin në burime, njohuri dhe shfrytëzimin e kohës  si edhe pajtimin e  veprimtarisë profesionale me jetën familjare. Dhuna ndaj grave e vajzave që konstatohet gjatë dekadave të tranzicionit ndodh për shkak të rigjallërimit të demonëve të vjetër autoritarist  e maskilist, por edhe për shkak të edukimit, vëmendjes, kontrollit dhe më të pakët të shoqërisë. Këto çështje duhet të bëhen më shumë  objekt i politikave, edukimit dhe ligjeve tona”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 08:43
Rama 'thumbon' paraardhësit me shifra: Gratë janë gjysma më e mirë e këtij populli (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një meszh për gratë. Ai thotë se vajzat dhe gratë janë gjysma me e mirë e këtij populli.

"Mirëmëngjes me një urim të përzemërt të gjitha grave e vajzave shqiptare, që janë gjysma me e mirë e këtij populli" shkruan Rama.

Edi Rama  ka publikuar edhe shifrat e grave në të gjitha qeveritë shqiptare ndër vite që nga 1991, ku rezulton se sot janë 50% me 50% në kabinetin që drejton.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ram delenxhiu: 15/03/2020 02:22

    Meqe grate jane me te mira se burrat,,qe eshte e vertete,,atehere qerohu nga posti kelysh i keq dhe vendos kryeministre nje grua,,edhe presidente duam nje grua....

    Përgjigju
  • Artur: 15/03/2020 01:48

    O julinda po ti e paske fytyren si by**e moj...

    Përgjigju
  • Xhemil lazaj: 08/03/2020 19:30

    Gruaja eshte busulla orientuese e njerzimit. Pa gruan nuk do kish kuptim jeta.prandaj dhe gruaja duhet te jet primare mbi gjithshka.

    Përgjigju
  • Gjykatesi: 08/03/2020 17:32

    Lereni show-me por beni vertete ligje me te forta sepse femra vazhdon te jete nen sundimin partiarkal ne vendin tone. S'ka dite te mos degjojme per femra te shtypura, dhunuara, abuzuara apo te vrara. Femra eshte force e shoqerise, eshte ajo qe sjell vazhdimesine e jetes ndaj duajeni, respektojeni dhe vleresojeni.

    Përgjigju
  • Më mirë se Gjermania: 08/03/2020 10:16

    Ja kalojme edhe Gjermanise. Madje kryeministri JUAJ eshte shembulli i gjalle si duhet ta repektojme nënën, gruan, ish-gruan, koleget, Kryeministri JUAJ e ka treguar me vepra si kur ishte kryetari i bashkise ashtu edhe tani qe eshte km

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja